Moderatori i famshëm amerikan, Jimmy Kimmel, ka marrë nënshtetësinë italiane, duke përmendur pakënaqësinë e tij me gjendjen e Shteteve të Bashkuara gjatë presidencës së Donald Trumpit.
Kimmel, i cili ka origjinë italiane nga ana e nënës, ka vendosur të forcojë lidhjet e tij me Evropën përmes kësaj lëvizjeje.
“E mora nënshtetësinë italiane, e kam tani. Ajo që po ndodhë është shumë më keq se ajo që e kemi imagjinuar
Moderatori i emisionit “Jimmy Kimmel Live!”, ka theksuar se njerëzit duhet t’i “mirëpresin” ata që ndryshojnë mendim për Trumpin, edhe nëse më parë e kanë mbështetur.
“Ka shumë njerëz… tani po shihni klipet e Joe Roganit që thotë: ‘Pse po e bën këtë? Nuk duhet t’i dëbojë njerëzit’. Njerëzit reagojnë duke i thënë: ‘Por, ti e mbështete’”, ka thënë ylli.
Ai ka thënë se nuk beson në këtë dhe se mendon që dera duhet të qëndrojë e hapur për njerëzit që ndryshojnë mendim dhe e pranojnë se kanë gabuar.
Komentet e tij erdhën pasi presidenti amerikan ka deklaruar se Kimmel dhe Jimmy Fallon mund të jenë “të radhës” për t’u larguar nga televizioni, pas lajmit se “The Late Show with Stephen Colbert” do të përfundojë në muajin maj të vitit të ardhshëm.
“Fjala është, dhe është një fjalë e fortë, që Jimmy Kimmel është I RADHËS për të dalë nga gara e pashije e ‘Late Night’, dhe pak më vonë edhe Fallon. Këta janë njerëz pa ASNJË TALENT, që janë paguar me miliona dollarë për të shkatërruar atë që dikur ishte televizion I MADH. Është mirë t’i shohësh që largohen, dhe shpresoj që unë kam pasur ndikim të madh në këtë!”, ka shkruar Trump në rrjetin e tij social Truth Social.
Kimmel iu përgjigj përmes Instagramit duke i thënë se “Po dëgjoj që je ti i radhës. Ose ndoshta është vetëm një tjetër sekret i mrekullueshëm.”
Kontrata e tij për “Jimmy Kimmel Live!” në televizionin ABC pritet të skadojë në vitin 2026.