Showbiz

Josh Duhamel dëshiron të ketë vajzë

Josh Duhamel dhe Audra Mari

Josh Duhamel dhe Audra Mari

Foto: Associated Press

Aktori i njohur Josh Duhamel ka shprehur dëshirën për të pasur edhe një fëmijë tjetër, duke theksuar se do të donte që herën e ardhshme të ishte vajzë.

52-vjeçari është baba i dy djemve, Axl, 12 vjeç, nga martesa e tij e mëparshme me këngëtaren Fergie, dhe Shepherd, 19 muajsh, që e ka me bashkëshorten aktuale, modelen Audra Mari, 31 vjeçe.

“Ajo është nënë e mrekullueshme, model i shkëlqyer. Shpresojmë të kemi edhe një fëmijë tjetër. Shpresojmë të jetë vajzë, por edhe nëse do të jetë djalë, do ta mirëpresim. Do të shohim”, ka thënë ai për revistën People.

Ylli i filmit “Off the Grid” ka treguar se e shijon çdo moment të prindërimit.

“Gjithmonë ka diçka të re. Thjesht e dua të qenit baba. E dua çdo fazë, çdo arritje të fëmijëve”, ka thënë ai.

Josh ka shtuar se është krenar për personalitetet e ndryshme të djemve të tij.

“Babai i gruas sime është i pasionuar me makina dhe koleksionues i tyre, dhe më duket se Shepherd i ngjan shumë gjyshit të tij. Ai i adhuron makinat. Kurse Axl interesohet te futbolli dhe basketbolli. Kjo është bukuria e gjeneve, çdo fëmijë është ndryshe”, ka thënë aktori.

Josh Duhamel, Audra Mari me djemt, Axl 12 vjeç dhe Shepherd 19 muajsh

Aktori i filmit “Transformers” më parë kishte treguar se ndihet me fat që ka takuar Audran, me të cilën u martua në vitin 2022 pas tre vjtësh lidhjeje.

“U tregova me fat. Takova një grua të mrekullueshme, që i ka të gjitha cilësitë që kërkon te një partnere. Ajo është nënë e shkëlqyer, një model frymëzues… dhe ndihem shumë me fat që kam dikë me të cilën e ndaj jetën”, ka thënë ai për People.

Josh ka rrëfyer se romanca e tyre nisi kur ai i shkroi në rrjete sociale, pasi Audra kishte fituar disa konkurse bukurie në Dakota të Veriut.

“E ftova në ndejë një fundjavë dhe kur erdhi, mendova: ‘Wow, je shumë e bukur’,” kujtoi ai gjatë një interviste në Live with Kelly and Mark në vitin 2023.

Ai shtoi se fillimisht nuk kishte menduar se lidhja do të funksiononte për shkak të diferencës në moshë, por gjithçka ndryshoi me kalimin e kohës.

“Filluam të dilnim bashkë dhe ja ku jemi sot. Ajo është  vajzë e mrekullueshme, vërtet është”, ka thënë aktori.