Aktori i njohur Josh Hartnett është shtruar në spital pas një aksidenti me veturë në Kanada.
Sipas CBC News, ngjarja ndodhi të enjten (25 shtator 2025) rreth orës 01:00 të mëngjesit, ndërsa lajmi u bë publik të hënën mbrëma (29 shtator). Aktori 47-vjeçar ishte pasagjer në veturën që u përplas me një veturë të Policisë në kryqëzimin e New Cove Road dhe Elizabeth Avenue.
Shoferi i makinës ku ndodhej Hartnett ishte një 59-vjeçar, emri i të cilit nuk është bërë i ditur.
Nga përplasja, edhe një polic u dërgua në spital.
“Si masë sigurie, një nga oficerët tanë u transportua gjithashtu në spital”, kanë deklaruar autoritetet.
Zyrtarët njoftuan se Josh Hartnett, shoferi i tij dhe polici u ekzaminuan nga stafi mjekësor dhe kishin vetëm lëndime të lehta.
Të dyja veturat u dëmtuan rëndë në aksident. Hetuesit u kanë bërë thirrje dëshmitarëve dhe kujtdo që ka video të ngjarjes të paraqiten.
Hartnett kishte qenë duke u kthyer nga xhirimet e një prodhimi të Netflix, i cili ende nuk ka marrë titull zyrtar.
Projekti, i quajtur përkohësisht “seriali i paemërtuar i Netflix në Newfoundland”, ka në kastën e tij aktorë si Mackenzie Davis, Darrin Baker, Charlie Heaton, Tanchay Redvers, Joshua Close, Rohan Campbell, Ruby Stokes, Kaleb Horn, Willow Kean dhe Natasha Henstridge.
Hartnett, i lindur në Saint Paul të Minnesotës, u bë i famshëm në fund të viteve ’90 me rolet e tij në filmat “Halloween H20: 20 Years Later” dhe “The Faculty”.
Roli i tij i madh erdhi në vitin 2001 me filmin “Pearl Harbor”, pasuar nga “Black Hawk Down” dhe “Lucky Number Slevin”.
Në moshën 25-vjeçare, ai u konsiderua një nga aktorët më premtues të Hollywoodit, duke u shfaqur shpesh në kopërtinat e revistave dhe në produksione të mëdha.
Më vonë, ai vendosi të largohej nga qendra e vëmendjes dhe iu përkushtua më shumë filmave të pavarur dhe roleve televizive.
Punët e tij të fundit përfshijnë serialin “Penny Dreadful”, filmin e Guy Ritchiet “Wrath of Man” dhe hitin e Christopher Nolan “Oppenheimer”.
Projekti i Netflixit që po xhirohet në Newfoundland shënon një tjetër rikthim të bujshëm të tij në ekran.
Policia ka bërë të ditur se hetimet për aksidentin vazhdojnë.