Aktori i njohur Kiefer Sutherland është arrestuar në orët e para të mëngjesit të së hënës në Los Angeles, nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht një shofer të një shërbimi transporti, ka njoftuar policia.
Sipas Departamentit të Policisë së Los Angelesit, policët janë thirrur pak pas mesnatës në një kryqëzim në jug të kodrave të Hollywoodit, pas raportimit për një sulm.
Autoritetet thanë se Sutherlandi kishte hyrë në automjetin e shoferit dhe më pas e kishte sulmuar fizikisht atë, duke bërë edhe “kërcënime penale ndaj viktimës”, ka raportuar agjencia e lajmeve Associated Press.
“Hetimet paraprake tregojnë se i dyshuari ka sulmuar shoferin dhe ka bërë kërcënime serioze”, thuhet në deklaratën e policisë.
Sipas tyre, shoferi nuk kishte nevojë për trajtim mjekësor.
Sutherland u arrestua dhe u lirua nga burgu disa orë më vonë, pasi pagoi një garanci prej 50 mijë dollarësh, sipas të dhënave të autoriteteve. Paraqitja e tij e parë në gjykatë është caktuar për 2 shkurt.
Përfaqësuesit e aktorit nuk janë përgjigjur në pyetjet e gazetarëve.
Ky nuk është rasti i parë që aktori përballet me probleme ligjore të lidhura me alkoolin.
Në vitin 2007, ai përfundoi në burg pasi pranoi fajësinë për drejtim të mjetit në gjendje të dehur. Ai ishte dënuar edhe më parë, në vitin 2004, për të njëjtën shkelje dhe ka pasur disa arrestime të tjera të lidhura me alkoolin që nga vitet ’90.
Kiefer Sutherland, aktor britaniko-kanadez, është më i njohur për rolin e tij si agjenti federal Jack Bauer në serialin e famshëm televiziv “24”.
Ai ka luajtur gjithashtu në filma të njohur si “The Lost Boys”, “Young Guns”, “Stand by Me” dhe “A Few Good Men”.
Ai është djali i aktorit legjendar të Hollywoodit, Donald Sutherland.