Këngëtarja, Kylie Minogue, ka shprehur hapur dëshirën për të bashkëpunuar me mbretëreshën e muzikës pop, Madonna, pas performancës së tyre të përbashkët që ajo e ka cilësuar si “të jashtëzakonshme”.
Këngëtarja e hitit “XMAS” ishte e ftuar speciale e surprizë në koncertin e turneut “Celebration Tour” të Madonnas në Los Angeles, në muajin mars të vitit 2024. Edhe pse që nga ajo mbrëmje nuk ka pasur biseda konkrete për një projekt të përbashkët muzikor, Minogue ka thënë se do ta pranonte menjëherë një bashkëpunim të tillë.

“Natyrisht që do të bashkëpunoja me Madonnan. Nuk ka pasur asnjë diskutim deri tani, por nëse do të ndodhte, do të ishte fantastike”, ka thënë australiania për People.
57-vjeçarja e ka përshkruar performancën e tyre në Kia Forum në Los Angeles si moment shumë të veçantë, duke e quajtur atë “natë të jashtëzakonshme” për të dhe për ikonën e pop-it.
“Ajo ishte një natë e pabesueshme dhe një moment i jashtëzakonshëm. Shumë njerëz kishin pritur prej kohësh për këtë, ndoshta edhe ne vetë. Mendoj se gjithçka ishte thjesht perfekte”, u shpreh ajo.
Gjatë koncertit, dy yjet befasuan publikun duke interpretuar këngën ikonike “I Will Survive” të Gloria Gaynor, si dhe hitin e Minogues nga vitet 2000, “Can’t Get You Out Of My Head”.
Duke reflektuar mbi atë moment, Minogue ka thënë se performanca nuk kishte koreografi të ndërlikuar.
“Nuk ishte diçka e madhe koreografike. Ishim thjesht dy performuese, dy gra, dy njerëz që pa pasur nevojë të thonë shumë, e kuptojnë rrugëtimin e njëra-tjetrës”, ka thënë ajo.
Këngëtarja e hitit “Padam Padam” ka pranuar gjithashtu se disa nga miqtë e saj ishin “të zemëruar” që nuk i kishte paralajmëruar për performancën me Madonnan.
“U thashë: ‘Ishte befasi’. Thjesht nuk i tregova askujt”, kujtoi ajo.
Nga ana tjetër, Madonna e quajti “privilegj” performancën me Minoguen.
“Në temën e mbijetesës, dua t’ju prezantoj një të ftuar shumë të veçantë që do të vijë këtu për të kënduar me mua. Emri i saj është Kylie Minogue. Kështu quhet një e mbijetuar e vërtetë. Është privilegj për mua të jem këtu duke kënduar me ty. Edhe ti je një luftëtare. Zoti të bekoftë. Mos u dorëzo kurrë. Nuk e ke bërë asnjëherë”, ka thënë ajo ndërkohë që ishte në skenë.
MADONNA INTRODUCES KYLIE @kylieminogue #KylieMinogue #Madonna pic.twitter.com/nzXEb6SzZx
— David Block (@dave_tvnyc) March 8, 2024
Pas koncertit, Minogue ka ndarë një video nga publiku në rrjetin social X, ku kishte veshur një bluzë me emrin e Madonnas.
“Madonna, ka qenë pritje e gjatë! U kënaqa pafund duke qenë me ty. ‘Celebration Tour’ dhe tani është Dita Ndërkombëtare e Gruas… Faleminderit dhe shumë dashuri”, ka shkruar ajo.