Lindsay Lohan thotë se ndihet e lumtur që jeton një jetë të thjeshtë dhe të qetë në Dubai, larg zhurmës dhe vëmendjes së medias.
Aktorja 39-vjeçare u zhvendos në Dubai në vitin 2014 dhe që atëherë, jeta e saj ka ndryshuar rrënjësisht.
“Është shumë larg nga Hollywoodi dhe unë jetoj një jetë shumë normale”, ka thënë ajo në emisionin “Live with Kelly and Mark”, ka raportuar FemaleFirst.
Lohan vlerëson faktin që në Dubai ka më shumë privatësi dhe se mund të kalojë kohë cilësore me familjen, pa u shqetësuar nga fotografët.
“S’kam pse të shqetësohem kur dal për të ngrënë diku, se mos dikush i bën fotografi djalit tim. Ndihem shumë e sigurt”, ka treguar ajo.
Aktorja, e cila ka një djalë dyvjeçar të quajtur Luai me bashkëshortin Bader Shammas, ka shtuar se nëpër restorante nuk mund të ju bëhen fotografi njerëzve pa kërkuar leje.
“Nëse je në një restorant, nuk mund t’i bësh dikujt fotografi pa lejen e tij. Duhet të kërkosh leje, ky është ndryshim i madh nga SHBA-ja”, ka thënë tutje ajo.
Ndërkohë, aktorja Jamie Lee Curtis ka folur për lidhjen e saj të veçantë me Lohanin, që lindi pas bashkëpunimit të tyre në filmin e famshëm të vitit 2003 “Freaky Friday”.

“Kam ndjerë një kujdes të madh amësor për Lindsay që nga filmi i parë, dhe vazhdova ta ndiej atë”, ka thënë Lee Curtis për The Guardian.
“Kur ajo vinte në Los Angeles, e takoja. Kemi mbetur shoqe dhe tani jemi disi kolege. S’ndiej më atë ndjesi amësie ndaj saj, sepse ajo vetë është bërë nënë dhe nuk ka më nevojë për kujdesin tim si më parë. Dhe ka nënën, Dina, është gjyshe fantastike”, ka thënë 66 vjeçja.
Lee Curtis ka shtuar se ani pse është e prirur të japë këshilla, e di që Lohan është e zonja.
“Jam pak shefe nga natyra, por përpiqem të mos ndërhyj. Ajo nuk ka nevojë për këshillat e mia. Është një grua e zgjuar, kreative dhe funksionale. Privatisht më ka bërë disa pyetje, por asgjë më shumë se ç’do të të pyeste një mike”, ka thënë aktorja.
Dy yjet janë bashkuar sërish për të xhiruar filmin vazhdimësi të “Freakier Friday”, dhe Lohan thotë se tani ndihet më e pjekur dhe më e balancuar.
“Jam shumë në paqe me jetën time. Kam jetuar jetë të gjatë në moshë të re. Ndihem më e mençur tani dhe shumë e qetë. Jam kthyer në një njeri shumë pozitiv”, u shpreh ajo për People.