Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Mickey Rourke dëbohet nga shtëpia pasi refuzoi ndihmën financiare nga fansat për qira

Mickey Rourke

Mickey Rourke

Foto: Associated Press

Aktori amerikan Mickey Rourke është dëbuar nga shtëpia që e kishte marrë me qira në zonën e Beverly Grove në Los Angeles, pasi nuk ka paguar rreth 60 mijë dollarë qira, ka raportuar Los Angeles Times.

Megjithatë, ai refuzoi edhe më shumë se 100 mijë dollarë donacione të mbledhura nga fansat për ta ndihmuar të qëndronte në shtëpi.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas dokumenteve në Gjykatën e Lartë të Los Angelesit, një gjykatës ka vendosur të hënën në favor të pronarit të shtëpisë, Eric Goldie, duke urdhëruar largimin e aktorit dhe përfundimin e kontratës së qirasë.

Vendimi u dha pasi Rourke nuk kishte reaguar brenda afatit ligjor për t’u mbrojtur ndaj padisë për dëbim.

Rourke ka ndaluar pagesën e qirasë sepse, sipas tij, kushtet e jetesës në shtëpi ishin bërë të papranueshme.

“Ndërprerja e pagesës së qirasë nuk ishte një vendim që e mora lehtë. Thjesht nuk mund të vazhdoja të paguaja për një shtëpi që ishte në gjendje kaq të keqe, pas kaq shumë përpjekjesh për t’i rregulluar problemet”, ka thënë ai në një deklaratë.

Ai ka thënë se kishte probleme serioze me minjtë dhe instalimet e ujit, të cilat, sipas tij, nuk u rregulluan pavarësisht kërkesave të vazhdueshme për ndërhyrje.

Sipas dokumenteve të gjykatës, aktori mori një njoftim më 18 dhjetor për të paguar qiranë brenda tre ditësh ose për t’u larguar nga banesa, por nuk e bëri këtë. Më 29 dhjetor, pronari paraqiti padinë për dëbim, duke pretenduar se Rourke i detyrohej 59,100 dollarë për qira të papaguar nga shtëpia, qiraja e së cilës kushtonte 7 mijë dollarë në muaj.

Në janar, ekipi menaxhues i aktorit ka organizuar një fushatë në platformën GoFundMe për ta ndihmuar të qëndronte në shtëpi. Fushata u organizua nga menaxherja e tij prej nëntë vjetësh, Kimberly Hines.

“Mickey Rourke është një ikonë, por rruga e tij, sado e dhimbshme, është gjithashtu thellësisht njerëzore. Është historia e dikujt që i dha gjithçka punës së tij, mori rreziqe reale dhe pagoi çmime reale. Fama nuk të mbron nga vështirësitë dhe talenti nuk garanton stabilitet. Ajo që mbetet është një person që meriton dinjitet, strehim dhe mundësinë për t’u ngritur përsëri në këmbë”, thuhej në deklaratë.

Brenda vetëm tri ditësh, rreth 2,700 persona dhuruan më shumë se 100 mijë dollarë.

Por Rourke refuzoi kategorikisht ta pranonte këtë ndihmë. Në një video të publikuar në rrjetin social Instagram më 5 janar, ai e quajti fushatën “poshtëruese”.

Ai madje deklaroi se më parë “do të preferonte të vriste veten sesa të pranonte bamirësi”.

Në të njëjtën video, aktori ka thënë se ndodhej në një situatë shumë të vështirë pasi pronarët e rinj të shtëpisë që kishte marrë me qira prej vitesh nuk kishin pranuar të rregullonin problemet.

“Unë thashë që nuk do të paguaj qira, sepse ka minj, ka brejtës, dyshemeja është e kalbur dhe në njërën nga vaskat nuk ka fare ujë”, ka thënë ai.

Rourke, i njohur për rolet në filmat “Barfly” dhe “Angel Heart” në vitet 1980, si dhe për nominimin për “Oscar” me filmin “The Wrestler” në vitin 2008, ka thënë gjithashtu se nuk e dinte kush e kishte nisur fushatën e donacioneve dhe u kërkoi fansave të kërkonin kthimin e parave.

Megjithatë, menaxherja e tij Hines e ka kundërshtuar këtë pretendim.

Ajo ka thënë për The Hollywood Reporter se ideja për fushatën ishte diskutuar më parë me ekipin e aktorit.

“Askush nuk po përpiqet të përfitojë nga Mickey. Unë dua ta shoh duke punuar, nuk dua ta shoh duke bërë GoFundMe”, ka thënë ajo.

Sipas Hines, ajo kishte organizuar që aktori të largohej nga ajo shtëpi dhe të zhvendosej në një apartament në zonën Koreatown, duke shtuar se banesa kishte dëmtime serioze nga uji dhe myk të zi.

Një avokat i pronarit nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment nga media.