Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

“Netfixi” tërhiqet nga marrëveshja për ta blerë “Warner Bros.-in”

Netflix

Netflix

Foto: Associated Press

Platforma transmetuese “Netflix” është tërhequr nga marrëveshja për blerjen e gjigandit “Warner Bros. Discovery”, duke hapur rrugën që kompania rivale “Paramount Skydance” të marrë kontrollin e plotë të gjigantit mediatik.

Në një deklaratë të enjten në mbrëmje, bashkëdrejtuesit ekzekutivë të “Netflixit”, Ted Sarandos dhe Greg Peters, kanë thënë se “me çmimin e kërkuar për të barazuar ofertën e fundit të “Paramount Skydance”, marrëveshja nuk është më financiarisht tërheqëse”, ka raportuar The Guardian.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Paramount Skydance kishte rritur ofertën në 31 dollarë për aksion (nga 30), kishte ofruar një tarifë ndërprerjeje rregullatore prej 7 miliardë dollarësh nëse bashkimi nuk miratohet, si dhe një “ticking fee” prej rreth 650 milionë dollarësh në para për çdo tremujor, duke filluar pas muajit shtator.

“Netflixi” kishte katër ditë pune për ta tejkaluar ofertën e re, por vendosi shpejt të mos e bëjë këtë.

“Ne besojmë se do të ishim kujdestarë të fortë të brendeve ikonike të ‘Warner Bros.’ dhe se marrëveshja jonë do ta forconte industrinë e showbizit dhe do të ruante e krijonte më shumë vende pune në prodhim në SHBA. Por kjo marrëveshje ka qenë gjithmonë një ‘e dëshirueshme’ me çmimin e duhur, jo një ‘e domosdoshme’ me çdo çmim”, kanë deklaruar Sarandos dhe Peters.

Nga ana tjetër, presidenti dhe CEO i “Warner Bros. Discoveryt”, David Zaslav, e quajti “Netflixin” “kompani të shkëlqyer” dhe uroi drejtuesit e saj për të ardhmen.

Refuzimi i “Netflixit” për të rishikuar ofertën prej 82.7 miliardë dollarësh do të thotë se familja Ellison, që zotëron “Paramount Skydance”, pritet të blejë të gjithë kompaninë, përfshirë edhe rrjetin kabllor të lajmeve CNN.

“Pasi bordi ynë të votojë për miratimin e marrëveshjes me ‘Paramount’, kjo do të krijojë vlerë të jashtëzakonshme për aksionarët tanë. Jemi të entuziazmuar për potencialin e një ‘Paramount Skydance’ dhe ‘Warner Bros. Discovery’ të bashkuar”, ka thënë Zaslav.

Më herët gjatë ditës, drejtori ekzekutiv i “Paramount”, David Ellison, ka deklaruar se kompania ishte “e kënaqur që bordi i WBD ka konfirmuar njëzëri vlerën superiore të ofertës sonë, e cila u sjell aksionarëve vlerë më të madhe, siguri dhe mbyllje më të shpejtë të marrëveshjes”.

Megjithatë, marrëveshja ka ngjallur reagime politike.

Senatorja amerikane Elizabeth Warren e quajti bashkimin e mundshëm “një katastrofë antimonopol që kërcënon me çmime më të larta dhe më pak zgjedhje për familjet amerikane”.

“Çfarë i thanë zyrtarët e Trumpit sot drejtorit të ‘Netflixit’ në Shtëpinë e Bardhë? Një grusht miliarderësh të afërt me Trumpin po përpiqen të marrin kontrollin e asaj që ju shikoni dhe t’ju tarifojnë sa të duan. Me hijen e korrupsionit mbi Departamentin e Drejtësisë të Trumpit, do t’u takojë qytetarëve amerikanë dhe prokurorëve të përgjithshëm të shteteve të zbatojnë ligjin”, ka thënë ajo.

“Netflixi” ka njoftuar tërheqjen pasi Sarandos zhvilloi takime në Uashington me zyrtarë të administratës së presidentit Donald Trump.

Marrëveshja pritej t’i nënshtrohej një shqyrtimi të rreptë rregullator, përfshirë një analizë të plotë nga Departamenti amerikan i Drejtësisë për të vlerësuar nëse paraqiste rrezik për konkurrencën në industrinë e argëtimit.

Sarandos dhe Peters falënderuan “Warner Bros. Discovery” “për një proces të drejtë dhe rigoroz”, duke theksuar se, megjithëse marrëveshja e negociuar prej tyre kishte një rrugë të qartë drejt miratimit rregullator, çmimi i ri e bënte atë të papranueshme financiarisht.

Tani, aksionarët e “Warner Bros. Discovery” duhet të votojnë për bashkimin me “Paramountin”.

Meqë “Paramount” është tashmë ofertuesi i vetëm i mbetur, miratimi shihet gjerësisht si formalitet.