Showbiz

“One Battle After Another” dominon edhe në “Golden Globes” 2026

Ekipi i filmit "One Battle After Another"

Ekipi i filmit "One Battle After Another"

Ceremonia e ndarjes së çmimeve “Golden Globes” 2026, që u mbajt të dielën në Beverly Hilton, në Beverly Hills të Kalifornisë, pa dyshim, ishte një mbrëmje e paharrueshme, ka shkruar CNN.

Nga fundi i ceremonisë, aktorja e njohur Julia Roberts e ka përshkruar mbrëmjen si “një natë e bukur për të qenë artist”, dhe kjo ndjesi mbizotëroi gjatë gjithë spektaklit, ani pse realiteti jashtë sallës nuk u reflektua fort në skenë, siç ka ndodhur në vite të tjera.

Sipas organizatorëve, 11 aktorë dhe një regjisor fituan për herë të parë një çmim “Golden Globe”. Dhe pikërisht tek ai regjisor fillon një nga historitë më të rëndësishme të mbrëmjes.

Një hap i madh për regjisorin Paul Thomas Anderson

Le të fillojë beteja për ta rrëzuar hovin e filmit “One Battle After Another” në sezonin e çmimeve.

Filmi i Paul Thomas Andersonit ka dominuar ceremoninë, duke fituar katër çmime: filmi më i mirë komedi ose mjuzikëll, aktorja më e mirë në rol dytësor për Teyana Taylor, si dhe dy çmime personale për Anderson, regjia më e mirë dhe skenari më i mirë.

Këto ishin “Golden Globes-ët” e parë në karrierën e Andersonit, i cili më herët ishte nominuar për skenarin e projektin filmik “Licorice Pizza” në vitin 2021. Regjisori është një emër i madh i kinemasë amerikane, me filma si “There Will Be Blood”, “Boogie Nights”, “Magnolia” dhe “Phantom Thread”, dhe ka qenë i nominuar 11 herë për çmimin “Oscar”.

A mund të jetë ky viti i tij? Shenjat deri tani janë shumë pozitive.

“Ju jeni duke qenë jashtëzakonisht bujarë me këtë dashuri për mua dhe për këtë film, dhe unë do ta pranoj. Do ta marr me gjithë dashurinë dhe vlerësimin që më është dhënë”, ka thënë Anderson  teksa pranoi çmimin për regjinë më të mirë

Në “One Battle After Another” aktori Leonardo DiCaprio luan në rolin e një revolucionari të lodhur, i cili përballet me forca të errëta të udhëhequra nga një kolonel frikësues, rolin e të cilit e luan aktori Sean Penn. Në film shfaqen edhe Benicio del Toro si një mësues karateje me lidhje të forta dhe Chase Infiniti si vajza e DiCaprios. Të gjithë ishin të nominuar këtë vit.

Megjithatë, një pyetje e madhe dominoi bisedat gjatë mbrëmjes: a është vërtet ky film një komedi?

Kaos kategorish që kthehet në shaka

Ata që e kanë parë “One Battle After Another”, një thriller politik plot tension, vështirë se do ta quanin komedi. Por “Golden Globes” vazhdojnë traditën e ndarjes mes dramës dhe komedisë/mjuzikëll, një sistem që shpesh ka shkaktuar konfuzion.

Moderatori Judd Apatow u ndal gjatë në këtë temë, duke kujtuar vitin 2015, kur filmi “The Martian” i Ridley Scottit pati fituar si komedi, duke mposhtur filmin e tij “Trainwreck”.

“Ridley Scott, regjisori i preferuar i Amerikës për komedi. Ai i filmave jashtëzakonisht qesharakë si ‘Gladiator’, ‘Blade Runner’ dhe ‘Alien’”, ka thënë Apatow me ironi.

Konfuzioni vazhdoi edhe këtë vit.

Rose Byrne, e cila fitoi çmimin për aktoren më të mirë në komedi ose mjuzikëll për filmin e rëndë emocionalisht “If I Had Legs I’d Kick You”, tha gjatë fjalimit se “Nuk kam kënduar fare në këtë rol”.

Megjithatë, një nga kategoritë më të debatueshme, ajo e suksesit kinematografik dhe të ardhurave, funksionoi siç ishte parashikuar, me filmin “Sinners” që fitoi çmimin, duke treguar se ndonjëherë ka edhe logjikë në këtë kaos.

Politika, pothuajse e padukshme

Moderatorja e spektaklit, komedianja, Nikki Glaser, e hapi ceremoninë me humor vetëkritik, duke thënë se “Golden Globes” është “pa dyshim ngjarja më e rëndësishme në botë për momentin”.

Dhe aty përfundoi pothuajse çdo referencë politike në skenë.

Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë herë fjalimet u fokusuan më shumë te familja dhe kolegët, sesa te problemet globale.

Në tepihun e kuq, megjithatë, disa yje si Mark Ruffalo dhe Jean Smart mbanin distinktivë “Be Good”, në mbështetje të Renee Nicole Good, një nënë nga Minnesota e vrarë nga agjentë të ICE javën e kaluar.

Jean Smart, e cila fitoi çmimin për aktoren më të mirë në serial komedi për “Hacks”, tha më vonë se ka ndjenja të përziera për politikën nëpër ceremoni për ndarjen e çmimeve kinematografike.

“Kam ndjenja të përziera për politikën në ngjarje çmimesh, por kemi arritur në një pikë ku është shumë e rëndësishme që njerëzit të hapin sytë, të jenë të guximshëm dhe aktivë. Veproni sipas ndërgjegjes suaj dhe qëndroni të përfshirë”, ka thënë ajo.

Edhe Jack Thorne, skenarist i serialit të njohur “Adolescence”, preku temën e përgjegjësisë shoqërore.
“Heqja e urrejtjes është përgjegjësi e brezit tonë. Shpresa duket e largët, por është një gjë e bukur”, ka thënë ai.

Momente të tjera nga mbrëmja

Në televizion, fituesit ishin kryesisht të parashikueshëm: Noah Wyle fitoi për aktorin më të mirë në dramë me projektin filmik “The Pitt”, ndërsa Jean Smart fitoi sërish për “Hacks”, pas fitoreve në 2022 dhe 2025.

Surpriza erdhi nga Rhea Seehorn, e cila fitoi çmimin e parë “Golden Globe” për rolin në serialin fantastiko-shkencor “Pluribus”. Në fjalimin e saj, ajo falënderoi krijuesin Vince Gilligan duke thënë: “Faleminderit që më shkrove rolin e jetës sime”.

Një nga momentet më emocionale ishte fitorja e aktores Teyana Taylor, e cila iu drejtua vajzave dhe grave afroamerikane.

“Butësia jonë nuk është dobësi. Thellësia jonë nuk është ‘tepër’. Drita jonë nuk ka nevojë për leje për të ndriçuar”, ka thënë ajo.

Timothée Chalamet, fitues për aktorin më të mirë në komedi ose mjuzikëll me filmin “Marty Supreme”, u shfaq më i përmbajtur se vitin e kaluar.

“Babai im më mësoi gjithmonë të jem mirënjohës. Kjo më ka ndihmuar të përballoj edhe momentet kur largohesha pa çmime”, ka thënë ai.

Seriali “Adolescence” pati një brëmje triumfale, me tre çmime për aktorët Stephen Graham, Owen Cooper dhe Erin Doherty, ndoshta duke mbyllur kështu një cikël shumë të suksesshëm çmimesh.

Fenomeni global,  filmi i animuar i platformës “Netflix”, “K-pop Demon Hunter”, ka fituar çmimin për filmin më të mirë të animuar, kurse kënga “Golden” nga ky film, fitoi si kënga më e mirë.