Trashëgimtarja 44-vjeçare, prindërit e së cilës, Rick dhe Kathy Hilton, kanë një pasuri të përbashkët prej qindra-milionë dollarësh thotë se është krenare për gjithçka ka arritur me kompaninë e saj, 11:11 Media, e cila ka të punësuar 25 persona dhe që, sipas saj, vlerësohet në 1 miliard dollarë.
Në një intervistë për The Times, ajo deklaroi: “I kam bërë të gjitha vetë. E kam arritur gjithçka vetë. Askush s’më ka dhënë asgjë në jetën time.”
Gjyshi i saj i ndjerë, Barron Hiltonm i cili para vdekjes së tij në vitin 2019 thuhet se ia la 97 për qind të pasurisë fondacionit bamirës të familjes ka qenë krenar për etikën e saj të punës dhe të dy kanë pasur një marrëdhënie “jashtëzakonisht të afërt”.
“Ne ishim shumë të lidhur”, tregon Hilton. “Shkonim shpesh për drekë e darkë, dhe ai më thoshte gjithmonë: ‘Paris, punon më shumë se çdo CEO që njoh.’ Dhe qeshnim kur thoshte se më parë njihej si Barron Hilton, por tani si gjyshi i Paris Hiltonit.”
Këngëtarja e “Stars Are Blind” ka dy fëmijë të vegjël, Phoenix dhe London, të lindur përmes një nëne surrogate në janar dhe nëntor të vitit 2023, me bashkëshortin Carter Reum. Ajo thotë se nuk dëshiron që ata të rriten për t’u bërë “influencues”, por shpreson që trashëgojnë shpirtin e saj sipërmarrës.
“Nëse jam në takim, ata janë gjithmonë me mua”, tha ajo. “Mendoj se po e përthithin tashmë, duke parë nënën e tyre duke bërë kaq shumë gjëra dhe duke qenë e suksesshme në kaq shumë fusha.”
Lindja e fëmijëve e ka shtyrë Parisin të mendojë më shumë për vdekjen. Ajo thotë se është bërë “e fiksuar pas jetëgjatësisë”, sepse dëshiron të jetojë shumë më gjatë se 100 vjet.
Duke folur për planet për të ndërtuar një “qendër mirëqenieje dhe jetëgjatësie” në shtëpinë e saj, Hilton u shpreh: “Jam, si të thuash, e fiksuar pas jetëgjatësisë. Do të jetë ndryshe nga çdo spa tjetër në botë. E gjithë dhoma do të jetë rozë, me kristale, si të hysh në një botë tjetër, një vend fantastik.”
Ajo shtoi se ka dëgjuar miq që thonë se sot është e mundur të jetosh deri në “150 apo 160 vjeç”.
“Do të doja të jetoja përgjithmonë”, tha Hilton. “Nuk kam frikë nga shumë gjëra, përveç merimangave, bletëve dhe vdekjes. Më tremb shumë. Sepse nëse pas saj nuk do të kishte asgjë, gjë që e di se s’është kështu do të ishte thjesht e mërzitshme.”