Showbiz

Perry e Bloom njoftojnë për ndarjen

Katy Perry

Pop-ylli Katy Perry dhe aktori Orlando Bloom kanë njoftuar zyrtarisht se janë ndarë, gjashtë vjet pas fejesës.

Çifti ka qenë në lidhje romantike që nga viti 2016 dhe ka një vajzë katërvjeçare.

Në një njoftim të përbashkët për mediat amerikane, përfaqësuesit e çiftit kanë thënë se dyshja “ka ndryshuar marrëdhënien përgjatë muajve të fundit për t’u përqendruar në bashkëprindërim”.

“Ata do të vazhdojnë të shihen si një familje, pasi prioriteti i tyre i përbashkët është – dhe gjithmonë do të jetë – rritja e vajzës së tyre me dashuri, stabilitet e respekt të ndërsjellë”, thuhet në komunikatë.

Siç thuhet në komunikatë, ajo u publikua për shkak të interesimit të vazhdueshëm rreth lidhjes së dyshes.

Këngëtarja 40-vjeçare dhe aktori 48 vjeçar ishin ndarë edhe në vitin 2017, por ishin ribashkuar shpejt. Ata u fejuan në Ditën e të Dashuruarve më 2018.

Një vit më pas, Perry bëri të ditur se është shtatzënë.

Ndarja e çiftit vjen pas një viti të vështirë për Perryn. Albumi i fundit i saj “143”, dhe kënga “Woman’s World” nuk u mirëpritën si hitet e shkuara. Këngëtarja aktualisht është në turne, por shitjet e biletave raportohet se kanë ngecur në krahasim me fillimet e karrierës.

Këngëtarja amerikane në të kaluarën ka qenë e martuar me aktorin Russel Brand.

Ndërsa, Bloom ishte i martuar me modelen australiane, Miranda Kerr dhe ka një djalë 14 vjeçar.

Aktori britanik ka bërë famë me paraqitjet në “Pirates of the Caribbean”, “The Lord of the Rings” dhe “The Hobbit”.