Albumi i shumëpritur i yjeve të muzikës K-Pop, “BTS”, tashmë është publikuar. Projekti me titull “Arirang”, që mori pesë vjet e gjysmë për t’u realizuar shënon vetëm fillimin e një viti të madh për grupin.
“Arirang”, albumi i shumëpritur i grupit korean “BTS”, i pesti i incizuar në studio, më në fund është publikuar.
Gjatë pesë vjetëve të fundit, anëtarët e grupit kanë punuar në projekte solo si dhe kanë kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Korenë e Jugut. Por tani ata po rikthehen fuqishëm në skenë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoPërveç albumit me 14 këngë, grupi ka publikuar edhe një videoklip për këngën “Swim”. Më 21 mars, ata kanë planifikuar një koncert falas në sheshin “Gwanghwamun” në Seul, të cilin Netflixi do ta transmetojë drejtpërdrejt.
Më 23 mars, grupi do të performojë në SHBA për herë të parë pas gati katër vitesh në ngjarjen “Spotify x BTS: SWIMSIDE”, në New York.
Ndërsa një dokumentar i ri i titlluar, “BTS: The Return”, do të publikohet në Netflix më 27 mars, duke ofruar një vështrim prapa skenave të jetës dhe punës së anëtarëve të bendit. Më pas, më 9 prill, ata do të nisin një turne botëror me 82 koncerte, që pritet të zgjasë deri në mars të vitit të ardhshëm.
Për të realizuar albumin, RM, Jin, Suga, J-Hope, Jimin, V dhe Jung Kook u zhvendosën të gjithë në Los Angeles, ku jetuan së bashku në një shtëpi për dy muaj. Ishte hera e parë që të shtatë jetonin në të njëjtin vend që nga viti 2019. Disa prej këngëtarëve dhe producentëve që kanë bashkëpunuar me djelmoshat në album janë: Pdogg, Diplo, Kevin Parker nga “Tame Impala”, Flume, JPEGMAFIA, Mike WiLL Made-It, Ryan Tedder nga “OneRepublic”, El Guincho dhe Teezo Touchdown, ndër të tjerë. Në fund, ata krijuan albumin “Arirang”, të emërtuar sipas një kënge popullore koreane.
“Gjatë kohës sime në ushtri, nuk mund të punoja në muzikë edhe kur doja”, tha së fundmi Jung Kook për revistën “Rolling Stone”. “Kjo krijoi një ndjenjë malli. Më bëri të dua të bëj muzikë më të mirë dhe të sjell diçka të shkëlqyer për fansat”.
“Për të bërë muzikë si ekip në një mënyrë të shëndetshme, ndërsa secili prej nesh krijon muzikën e vet, ne kalojmë përmes rritjes personale dhe sfidave që vijnë me të”, tha J-Hope në emisionin “Zach Sang Show” vitin e kaluar. “Ne mësojmë shumë gjëra. Dhe pastaj, kur ribashkohemi pasi kemi bërë gjërat tona, këto përvoja na mbushin me forcë dhe energji të re. Dhe tani të gjithë jemi rritur duke ndjekur projektet tona solo. Mendoj se kjo do të kontribuojë në muzikën që krijojmë si ‘BTS’”.
Në fund, grupi ka thënë se albumi që krijuan është shumë personal.
“Duke u mbështetur në thellësinë emocionale të ‘Arirang’— ndjenjën e mallit, dëshirës dhe rrjedhës së jetës, grupi në fund zgjodhi këtë titull për rezonancën e fortë me rrugëtimin e tyre aktual”, thuhet në një deklaratë për media. “Albumi i ri eksploron emocionet universale të mallit dhe dashurisë dhe do të rezonojë me audiencën mbarëbotërore si një trashëgimi e përjetshme ndër breza dhe kultura”.