Viti 2020, përveç tjerash do të mbahet mend edhe si viti kur të gjithë luajtën shah online dhe u kyqën në platformën “Netflix” për ta shikuar një serial për shahun.
Seriali “The Queen’s Gambit” që bazohet në romanin me të njëjtin titull të Walter Tevisit, theu rekord të shikueshmërisë.
Ngjarja e serialit zhvendoset në mes të viteve ’50 dhe vazhdon deri në fillimvitet ’60. Në episodet e serialit që mori shpejt damë, shtjellohet rrëfimi i një vajze jetime e cila bëhet një prej lojtareve më të mira të shahut në botë, derisa përballet edhe me telashe të shumta emocionale dhe varësinë nga droga e alkooli.
“Queen’s Gambit” u lansua më 23 tetor të vitit 2020. Brenda katër javësh u bë seriali më i shikuar në platformën e famshme. Kritika e ka vlerësuar lart sidomos lojën e aktores në rol kryesor, Anya Taylor-Yoy, në rolin e Beth Harmon por gjithashtu seriali ka marrë vlerësime pozitive edhe për aspektin kinematografik dhe atë të produksionit. Nga komuniteti i shahut, “Queen’s Gambit” u mirëprit duke e shtuar edhe interesimin e njerëzve për të luajtur shah.
Madje, vetë legjenda e shahut rus, Garry Kasparov, i këshilloi krijuesit e serialit “The Queen's Gambit”, për t’u siguruar që loja në këtë seri televizive të ishte e saktë dhe tërheqëse. Seriali përcjell fatin e një një vajze të talentuar amerikane që u bë sfiduese e kampionit botëror sovjetik në Moskë.
Kasparov së fundi ka deklaruar në medie që ai ndihmoi ekipin në mënyrë që loja e shahut në këtë serial të bëhej më e besueshme.
Pas rolit në këtë serial, aktorja 24-vjeçare, Anya Taylor-Joy ka fituar popullaritet të madh dhe është vënë në fokus të medieve botërore.
Sado që shahu dhe moda zakonisht nuk shkojnë bashkarisht, në serial gjeniu i shahut dhe prirjet e saj për modën e viteve ’60 janë kombinim perfekt. Kostumografia e njohur franceze Gabriele Binder, i ka realizuar veshjet e protagonistes dhe të paktën dhjetëra prej tyre përmbajnë figura gjeomerike që në një mënyrë apo tjetër pasqyrojnë strukturën e një tabele shahu.
Deri më tani, “The Queen’s Gambit” ka pasur sukses të jashtëzakonshëm duke tërhequr mbi 62 milionë shikues të Netflixit.
Në role kryesore të “Queen’s Gambit” paraqiten edhe aktorët Bill Camp dhe Marielle Heller.