Showbiz

Sezoni i ri i “South Park” thyen rekordin e shikueshmërisë të vendosur më 1999

South Park

South Park

Premiera e sezonit të 27-të të serialit të njohur “South Park” ka thyer një rekord të vjetër të shikueshmërisë, duke mbledhur plot 5.9 milionë shikues në total përmes kanalit kabllor Comedy Central dhe platformës Paramount+, njoftoi kompania Paramount, raporton CNN.

Sipas kompanisë, kjo ishte “premiera më e suksesshme e një sezoni që nga viti 2022”, duke pasur parasysh rënien e përgjithshme të audiencës në kanalet tradicionale kabllore si Comedy Central. Për më tepër, “South Park” arriti pjesëmarrjen më të madhe në audiencën kabllore për një premierë që nga viti 1999.

Një nga arsyet për këtë interes të madh mendohet të jetë kritika e egër që seriali i bëri presidentit amerikan Donald Trump, i cili u paraqit në një skenë duke fjetur në shtrat me Satanin dhe u tall për pamjen e tij fizike.

“Ky serial nuk është më relevant prej mbi 20 vjetësh dhe po mbahet gjallë me ide të papjekura në një përpjekje të dëshpëruar për vëmendje”, thuhet në reagimin e Shtëpisë së Bardhë për episodin në fjalë.

Vetë Trump nuk e mori seriozisht ironinë, por bëri një koment.

“Showbizi dhe televizioni janë një biznes shumë i thjeshtë. Nëse merr shikueshmëri, mund të thuash apo bësh çfarë të duash. Nëse jo, gjithmonë bëhesh viktimë”, ka thënë ai.

Ndërkohë, “South Park” nuk kurseu as kompaninë mëmë Paramount, duke e kritikuar për vendimin për të mbyllur emisionin “The Late Show” të komedianit Stephen Colbert.