Showbiz

“Squid Game” rikthehet në Netflix me sezon final

Squid Game

Yjet e serialit hit, “Squid Game”, parakaluan mbi qilimin ngjyrë rozë të shtruar në Londër, teksa entuziazmi i fansave sa vjen e rritet për sezonin e fundit të një prej projekteve më të popullarizuara të platformës Netflix.

Sezoni tretë i serialit korean të zhanrit triler vjen për publikun e gjerë pas një jave, duke vazhduar historinë aty ku kishte mbetur në sezonin e dytë.

Skenaristi dhe regjisori, Hwang Dong-hyuk, tha se u mundua shumë për fundin e projektit të jashtëzakonshëm televiziv, por nuk pranoi të zbulonte ndonjë informacion të detajuar.

“Sigurisht që u shqetësuam shumë sepse është vërtet finalja e këtij seriali, kështu që përfundimi që krijuam është rezultat i gjithë asaj kohe dhe përpjekjeve të investuara në të, megjithëse nuk mund t’ua prish befasinë duke ndarë me shumë detaje me ju”, tha ai.

Lee Jung-Jae rikthehet në rolin e Seong Gi-hun, apo ndryshe i njohur si Lojtari 456, kumarxhiu naiv dhe i pavlerë i shndërruar në hero, i cili detyrohet të bëjë zgjedhje edhe më të vështira në lojërat vdekjeprurëse.

Lee Byung-Hun, i cili e luan rolin e kreut të hierarkisë së “Squid Game”, pati vlerësime të larta për krijuesin e shout, Hwang.

“Ai ka shumë ide dhe shumë tregime në mendjen e tij, sepse nuk kishte ndërmend të bënte një sezon të dytë por brenda një kohe të shkurtër shpiku këtë histori të mrekullueshme. Ai është vërtetë një gjeni”, deklaroi Byung-Hun.

Kasta e aktorëve është përballur me sfida të shumta gjatë xhirimeve të serialit, përfshirë këtu ruajtjen e sekretit rreth temës që trajtohet apo detajeve rreth personazheve që i portretizojnë.

Lee Jung-Jae u ballafaqua me vështirësitë e tij, teksa iu desh të qëndrojë sa më larg kolegëve në sheshin e xhirimeve. Ai e shpjegoi arsyen për këtë.

“Kur po xhironim, në fakt ndihesha mjaft i dëshpëruar. Ndihesha shumë i vetmuar por kjo ishte e pashmangshme sepse duhej ta ruaja atë gjendje emocionale. Nuk doja të kaloja shumë kohë duke u argëtuar me kolegët e serialit, sepse nuk doja të dilja nga roli, kështu që duhej të ruaja atë energji”, tha ai.

Sezoni final i serialit “Squid Game” do të transmetohet në Netflix më 27 qershor.