Regjisori legjendar, Steven Spielberg, kishte refuzuar të realizonte një film me Ben Affleck, pasi aktori sipas tij, e kishte bërë të qante djalin e tij.
Këtë histori e ka treguar skenaristi dhe komediani, Mike Binder, ka raportuar FemaleFirst.
Binder ka zbuluar se filmin “Man About Town” (të vitit 2006) e kishte shkruar me bindjen se Spielberg do ta drejtonte dhe do ta prodhonte përmes kompanisë së tij DreamWorks. Por gjithçka ndryshoi kur Spielberg mësoi se rolin kryesor do ta luante Ben Affleck.
Duke folur në podcastin One Bad Movie, Binder ka treguar se Spielberg i kishte thënë: “Duhet të bëjmë diçka bashkë. Dua të shkruash diçka për mua”.
VIDEO:
Më vonë, megjithatë, Spielberg u tërhoq nga projekti si regjisor, por ishte i gatshëm që filmi të mbetej në DreamWorks, me Binderin si regjisor. Situata u përkeqësua kur Binder arriti marrëveshje me Affleckun për rolin kryesor.
“E telefonova Stevenin dhe ai më tha: ‘Jo. Nuk mund ta bëj me të. Kemi dështuar me një film të fundit me të, është edhe ajo periudha e J.Lo-së, dhe kam edhe probleme të tjera me të’”, kujton Binder.
Spielberg, sipas tij, kishte përmendur një incident gjatë një pushimi familjar, në kohën kur Affleck ishte në lidhje me Gwyneth Paltrow, kumbare e Spielbergut.
“Më tha: ‘Djali im ishte i vogël, po luante në pishinë. Ben hyri në pishinë i veshur plotësisht, djali im e shtyu për shaka në ujë. Ben u zemërua, doli nga pishina, e kapi djalin dhe e hodhi sërish në ujë. Djali im qau’”, ka thënë ai.
Binder ka treguar se ishte habitur nga arsyeja, por Spielberg i kishte thënë qartë.
“Nuk dua të punoj me të. Gjej dikë tjetër. Cilindo, veç jo atë”, ka thënë ai.
Kur Binder ua komunikoi këtë agjentëve të Affleckut, aktori e kuptoi menjëherë çfarë kishte ndodhur. Ai e telefonoi Binderin dhe i tha se “Spielberg të tha që e hodha djalin e tij në ujë, apo jo? Për këtë nuk jam më në film”.
Binder donte ende që Affleck të ishte pjesë e projektit, por pasi ia bëri të qartë këtë Spielbergut, DreamWorks u tërhoq plotësisht nga filmi një ditë më vonë. Man About Town u publikua më pas nga Lionsgate.
Vite më vonë, Binder ka kujtuar historinë teksa shikonte Affleckun duke fituar çmimin "Oscar" për filmin “Argo” në vitin 2013, duke mposhtur Spielbergun që ishte nominuar me “Lincoln”.
“Po i shihja në televizor duke u përqafuar dhe i shkrova Benit: ‘Sonte mund ta hidhje gjithë familjen e Spielbergut në pishinë dhe s’do të të ndodhte asgjë”, tha Binder.
Affleck e ka telefonuar më vonë nga ceremonia dhe i tha se mesazhi e kishte bërë të qeshte shumë.
Në fund, Binder pranoi se të gjithë ishin sjellë keq në këtë histori.
“I dua të dy, por u sollën si idiotë. Steven Spielberg është gjeni dhe njeri i madh, por ndonjëherë mund të jetë i vështirë. Ben Affleck është njeri i mirë, por ndonjëherë edhe më i vështirë. Si gjithë të tjerët”, ka thënë ai.