Showbiz

Taylor Swift paralajmëron dokumentar dhe film të ri

Taylor Swift

Taylor Swift

Taylor Swift ka njoftuar se do të bëjë dokumentar dhe një filmi të ri për koncertet e turneut të saj historik “The Eras Tour”, që do të dalin në muajin dhjetor.

Këngëtarja e hiteve si “Cruel Summer” dhe “The Fate of Ophelia” ka zbuluar se seriali me gjashtë pjesë “Taylor Swift: The Eras Tour: The End of an Era” do të shfaqet më 12 dhjetor në platformën Disney+.

Po atë ditë, do të publikohet edhe filmi i ri i koncerteve “Taylor Swift: The Eras Tour, The Final Show”, i xhiruar gjatë koncertit përmbyllës të turneut në Vancouver.

Siç u njoftua në emisionin Good Morning America, dokumentari do të ofrojë “vështrim intim në jetën e Swiftit gjatë turneut që bëri bujë në mbarë botën dhe mahniti miliona fansa”.

Në të do të paraqiten edhe bashkëpunëtorë të afërt, familjarë dhe miq të saj, përfshirë artistet Gracie Abrams dhe Sabrina Carpenter, si dhe mysafirët Ed Sheeran dhe Florence Welch.

Dy episodet e para do të publikohen më 12 dhjetor, dy të tjera javën pasuese dhe dy të fundit një javë më vonë.

Filmi “The Final Show” do t’u japë fansave mundësinë të shohin për herë të parë materialet nga albumi “The Tortured Poets Department”, i cili u shtua në listën e turneut pas publikimit të albumit dhe nuk ishte përfshirë në filmin e mëparshëm të koncertit që u shfaq në kinema.

Pas njoftimit, u publikua edhe një trailer prej 99 sekondash, ndërsa vetë Swift e ka konfirmuar lajmin në rrjetet e saj sociale.

 

“Ishte fundi i një epoke dhe ne e dinim këtë. Donim të ruanim çdo moment që çoi në përfundimin e kapitullit më të rëndësishëm dhe më intensiv të jetës sonë, ndaj lejuam regjisorët të kapnin këtë turne dhe të gjitha historitë e ndërlidhura me të, deri në shfaqjen përmbyllëse, e cila u filmua e gjitha”, ka shkruar ajo.

Dokumentari “The End of an Era” është drejtuar nga Don Argott dhe Sheena M. Joyce dhe prodhuar nga Object + Animal.
Filmi “The Final Show” është drejtuar nga Glenn Weiss dhe prodhuar nga Taylor Swift Productions në bashkëpunim me Silent House Productions.

Edhe platforma Disney+ ka reaguar me entuziazëm në rrjetin social X (ish-Twitter).

“Më 12 dhjetor, ngjarja më e madhe e transmetimit vjen në Disney+. Përgatituni për ‘Taylor Swift’ | ‘The Eras Tour’ | ‘The Final Show’, me përfshirjen e ‘The Tortured Poets Department’, dhe ‘The End of an Era’, dokumentar me 6 pjesë që dokumenton prapa skenës turneun rekord të Taylor Swiftit”, thuhet në postimin e Disneyt.