Pas muajsh spekulimesh, aktori i njohur, Tom Cruise dhe aktorja, Ana de Armas, e kanë konfirmuar romancën e tyre përmes një gjesti të ëmbël gjatë një udhëtimi privat në Vermont.

Sipas TMZ, aktori i filmit “Mission: Impossible”, 63 vjeç, dhe ylli i “Ballerina”, 37 vjeç, janë fotografuar duke ecur dorë për dore në qytezën Woodstock, të dielën.
Sipas burimeve, çifti ka kaluar një fundjavë romantike në një park kombëtar, ka shijuar një ditë pazari dhe përmbyllur mbrëmjen me akullore.

Udhëtimi i tyre në Vermont vjen vetëm disa ditë pasi janë parë së bashku në një koncert të grupit Oasis në stadiumin Wembley të Londrës, ka raportuar Page Six. Gjatë koncertit, Cruise është parë duke i kapur dorën Anës, teksa të dy kërcenin dhe qeshnin me njëri-tjetrin.

Thashethemet për një lidhje midis tyre nisën në muajin shkurt, kur u fotografuan duke darkuar së bashku në Londër. Asokohe, një burim i tha revistës People se takimi kishte qenë profesional, duke shtuar se po diskutonin për “bashkëpunime të mundshme”.

Që nga ajo kohë, janë parë disa herë së bashku, në shëtitje nëpër parqet londineze, në udhëtime me helikopter dhe në festën e ditëlindjes së Ana de Armas. Në muajin maj, gjatë një interviste për Good Morning America, aktorja foli shkurt për marrëdhënien e tyre, duke e cilësuar si “argëtuese” dhe duke zbuluar se po punonin në disa projekte së bashku.
“Kemi një lidhje të këndshme dhe jemi të përfshirë në disa projekte interesante”, ka thënë ajo.

Njëri nga këto projekte përflitet të jetë një thriller-aksion i titulluar “Deeper”, nën regjinë e Doug Liman. Deri tani, përfaqësuesit e të dy aktorëve nuk kanë dhënë ndonjë koment zyrtar për marrëdhënien e tyre.