Showbiz

Trudeau nuk e priste se takimi me Perryn do të merrte aq shumë vëmendje

Katy Perry dhe Justin Trudeau

Katy Perry dhe Justin Trudeau

Foto: Associated Press

Këngëtarja 40-vjeçare Katy Perry dhe ish-kryeministri kanadez Justin Trudeau janë parë duke darkuar së bashku në muajin korrik, duke ndezur spekulime se mes tyre ka diçka më shumë se miqësi.

Trudeau nuk e priste se takimi me Perryn do të merrte aq shumë vëmendje nga publiku.

Një burim në Kanada i tha revistës People se Trudeau, i cili për 12 vjet ishte në krye të Partisë Liberale të Kanadasë, ishte mësuar të ishte në qendër të vëmendjes si figurë publike, por nuk e kishte pritur këtë reagim kaq të madh për jetën e tij private.

“Justin nuk e dinte se kaq shumë njerëz do ta merrnin vesh për darkën private. Ai u befasua edhe nga interesi ndërkombëtar dhe mënyra se si lajmi shpërtheu për disa ditë”, ka thënë burimi.

Sipas këtij burimit, mes dyshes kishte tërheqje të ndërsjellë.

“Justin dhe Katy janë padyshim të tërhequr nga njëri-tjetri në disa nivele dhe kaluan kohë shumë të bukur së bashku në Kanada. Ata zbuluan se kanë shumë gjëra të përbashkëta dhe e shijuan shumë takimin, edhe pse zgjati shkurt”, ka thënë burimi.

Megjithatë, Trudeau do të kishte dashur të kishte më shumë kontroll mbi mënyrën si u shpërndanë detajet, sidomos pasi thashethemet për romancë nisën ndërkohë që ai dhe Perry sapo ishin njohur dhe ende nuk kishin raport të qartë.

“Sa kohë që vëmendja mediatike shkon në favorin e tij, atëherë ai është në rregull, por për interesin rreth tij dhe Katyt, ai do të kishte preferuar që gjithçka të ishte më diskrete”, ka thënë burimi.

Në një raport të botuar më 20 gusht, një tjetër burim i ka thënë People se Trudeau dhe Perry kishin shkuar në “takim për tu njohur me njëri-tjetrin”.

Sipas tij, të dy kaluan mirë dhe janë ende në kontakt, por nuk kanë plane konkrete për t’u parë sërish.

Nga ana tjetër, Perry është e angazhuar me turneun e saj “The Lifetimes Tour” dhe po mësohet ende me dinamikën e re të bashkë-prindërimit me ish-partnerin e saj, aktorin Orlando Bloom. Dyshja kishin qenë bashkë për nëntë vjet dhe të fejuar për gjashtë, ndërsa tash kujdesen bashkë për vajzën e tyre 5-vjeçare, Daisy.

Edhe Trudeau ka kaluar periudhë të vështirë personale, pasi në vitet e fundit të mandatit të tij ai dhe bashkëshortja Sophie Grégoire njoftuan ndarjen pas 18 vitesh martesë. Çifti ka tre fëmijë: Xavier, Ella-Grace dhe Hadrian.