Ylli i njohur televiziv, Victoria Beckham, ka folur hapur për periudhën e vështirë që ajo dhe bashkëshorti i saj, David Beckham, kanë kaluar për 26 vjet martesë, duke pranuar se e “kanë përballuar stuhinë e mallkuar së bashku”.
Gjatë një interviste në podcastin “Call Her Daddy”, 51-vjeçarja u pyet drejtpërdrejt për thashethemet e dikurshme mbi lidhjen e supozuar të Davidit me asistenten e tij personale, Rebecca Loos, ka raportuar FemaleFirst.
“E di çfarë? Ne kemi pasur aq shumë që na është hedhur përpara. Po flisnim për këtë, sepse sapo kemi festuar 26-vjetorin e martesës, dhe njerëzit thanë se nuk do të zgjaste… 26 vjet! Ne kemi pasur shumë sfida, por gjithmonë kemi qenë bashkë dhe kemi kaluar nëpër stuhinë e mallkuar”, ka thënë Victortia.
Çështja u rikthye në vëmendje pas dokumentarit “Beckham” që është shfaqur në platformën Netflix, ku David pranoi se ajo periudhë ishte më e vështira në jetën e tyre si çift.
“Sinqerisht, nuk e di si ia dolëm. Victoria është gjithçka për mua. Ta shihja të lënduar ishte jashtëzakonisht e vështirë, por ne jemi luftëtarë. Në atë kohë duhej të luftonim për njëri-tjetrin, për familjen tonë. Ajo që kishim ia vlente të luftonim për të”, pati thënë David.
Ai ka shtuar se përjetonte stres të madh çdo ditë.
“Kishte ditë që zgjohesha dhe mendoja: ‘Si do shkoj në punë? Si do dal në fushë sikur s’ka ndodhur asgjë?’ Ndihesha fizikisht i sëmurë çdo mëngjes kur hapja sytë.”
Rebecca Loos, e cila ishte asistentja e Davidit gjatë kohës që ai luante për Real Madrid në fillim të viteve 2000, ka këmbëngulur se lidhja mes tyre ishte reale, megjithëse Beckham e ka mohuar gjithmonë.
“Për mendimin tim, isha shumë guximtare të përballesha me ta. Kam thënë gjithmonë të vërtetën. Nuk kam ekzagjeruar, nuk kam gënjyer për asgjë. Pse? Sepse po përballesha me çiftin më të fuqishëm në media, me gjithë paratë e botës, me PR-in dhe avokatët më të mirë. Gjithçka që kisha në anën time ishte e vërteta”, pati thënë Loos, 48- vjeçe, për “60 Minutes Australia”.