Showbiz

Zbulohet shkaku i vdekjes së babait të Rihannës

Rihanna

Babai i këngëtares Rihanna ka vdekur nga problemet shëndetësore të shkaktuara prej kancerit dhe sëmundje të tjera të rënda. Ronald Fenty vdiq më 30 maj në moshën 70-vjeçare, pak pasi ishte shtruar në një spital në Los Angeles, shkruan Female First.

Sipas një certifikate vdekjeje të siguruar nga TMZ, ai vuante nga disa probleme serioze shëndetësore. Shkaktarët e vdekjes u listuan si: pamjaftueshmëri akute e frymëmarrjes, kancer në pankreas, pneumoni, si dhe dy sëmundje të rënda të veshkave.

Ronald la pas ish-partneren, Monica Braithwaite – me të cilën ishte ndarë në vitin 2002 – dhe fëmijët: Rihannën, dy vajzat tjera Kandi 54 vjeçe dhe Samantha 44 vjeçe, si dhe djalin Rorrey Fenty, 35 vjeç.

Ronald dhe Monica i rritën fëmijët në Bridgetown të Barbadosit. Ai punonte si mbikëqyrës magazinash dhe ajo ishte kontabiliste.

Rihanna ka pasur një marrëdhënie të komplikuar me të atin në fëmijëri. Marrëdhënia e tyre u bë edhe më e tensionuar kur ai foli për mediat pas sulmit që ajo pësoi nga partneri i atëhershëm, Chris Brown, në vitin 2009.

Më vonë, Rihanna tha se kishte arritur të përmirësonte marrëdhënien me babanë.

“Ai më mësoi gjithçka, dhe sado i keq të ishte ndaj nënës sime ndonjëherë, ai ishte një baba i mrekullueshëm për mua. Më duhej ta pranoja këtë dhe ta mbushja atë boshllëk mes nesh”, ka thënë ajo në një intervistë me Oprah Winfreyn.

Megjithatë, në vitin 2019, Rihanna e paditi të atin, duke e akuzuar se kishte shfrytëzuar emrin e saj për përfitime financiare. Ajo më pas e tërhoqi padinë pak para se të shkonte në gjykatë.

Rihanna aktualisht është shtatzënë me fëmijën e saj të tretë me reperin A$AP Rocky. Çifti tashmë ka dy djem: RZA, dy vjeç, dhe Riot, 22 muajsh. Ronald kishte shprehur më herët miratimin për partnerin e vajzës, duke thënë për PageSix në vitin 2023 se Rocky “është djalë shumë i mirë dhe i respektueshëm dhe po ia del shumë mirë si baba”.