Personazhi heroik i Mujit (i njohur edhe si Muja, Mujo, Gjeto Basho Muji, Çeto Bashe Muji) është bazuar në personin historik të Mundit (Mundus/Moundos/Mundo). Mundi ka qenë gjeneral ilir. Halili po ashtu është i bazuar në një person historik, gjeneralin Calluc, një nga gjeneralët e Ilirisë. Omeri, i njohur edhe si Homeri dhe Imeri, që është i biri i Mujit në epos, është i bazuar në personin historik Mauricius/Maurikios. Maurici (emër që në shqip del edhe si Murrik, Muriq, Mavriq), ka qenë në fakt biri i Mundit
Personazhet
Hulumtimi im tregon se personazhet kryesore të këngëve (“30 agët e Jutbinës” dhe antagonistët) ishin frymëzuar nga burrështetas ilirë/romakë dhe gjermanikë të antikitetit të vonë/periudhës së dinastisë ilire. Këtu do t’i jap versionet e ndryshme të emrave të njerëzve dhe vendeve, ku versionet origjinale në latinisht dhe greqisht do t’i vendos në kllapa. Gjithashtu do të mundohem të përfshij sa më shumë lokacione relevante (si për shembull vendbeteja) dhe detaje të tjera për shkak se këto ndihmojnë në gjetjen e lidhjeve të mëtutjeshme me eposin shqiptar. Burim i pazëvendësueshëm mbi personat historikë është Prosopografia nga Martindale (Martindale, 1971).
Muji
Personazhi heroik i Mujit (i njohur edhe si Muja, Mujo, Gjeto Basho Muji, Çeto Bashe Muji) është bazuar në personin historik të Mundit (Mundus/Moundos/Mundo). Mundi ka qenë gjeneral ilir (Magister militum per Illyricum, Gjeneral i Ilirisë). Pra bëhet fjalë për gjysmën juglindore të prefekturës së vjetër Ilirikumit që kishte mbetur në Perandorinë Romake Lindore. Pjesa veriperëndimore ishte ndarë në provincat e Dalmatisë dhe Panonisë (dhe Norikumit), dhe pikërisht lufta për kontroll të këtyre provincave (dhe qytetit të rëndësishëm të Sirmiumit) do të luante një rol të rëndësishëm në zhvillimet historike, por edhe në epos. Mundi ishte princ i mbretërisë së fisit gjermanik të gepidëve të vendosur në veri të Danubit, përreth Tisës. Është quajtur edhe mbret, edhe pse pas vdekjes së babait të tij fronin gepid e merr ungji i tij, kurse Mundi kontrollon një territor në jug të Danubit. Pikërisht lufta mes tri forcave (Ostrogotëve në perëndim, Gepidëve në veri dhe Perandorisë Romake Lindore në juglindje) për këtë territor të rëndësishëm me kryeqendër Sirmiumin, krijon një vakum të cilin e shfrytëzon Mundi për të vendosur kontroll mbi një territor të ndërmjetëm (Martindale, 1971).
Mundi fillimisht shpall lojalitetin ndaj Teodorikut të Madh dhe qëndron luajal ndaj tij deri në vdekjen e mbretit gotik. Më vonë, në vitin 529, Mundi e merr titullin Magister militum per Illyria nga Perandori Justinian dhe vihet në mbrojtje të prefekturës së Ilirisë ndaj inkursioneve barbare. Mundi gëzonte një famë si trim dhe kishte treguar sukses në luftimin e inkursioneve barbare. Në vitin 532, Mundi merr pjesë në shtypjen e trazirave Nika në Kostandinopojë, duke hyrë në hipodrom përmes portës Nekra.
Më vonë Mundi do të luante një rol të rëndësishëm në luftën gotike, duke udhëhequr një nga dy mësymjet kryesore, atë tokësore përmes Dalmatisë (mësymja tjetër duke qenë ajo detare e udhëhequr nga Belisari). Në vitin 535, Mundi kishte arritur ta merrte Dalmatinë nga gotët. Pikërisht gjatë luftërave gotike Mundi vdes në Betejën e Salonës, ku vdes edhe i biri i tij. Gjatë një sulmi gotik për rimarrjen e Dalmatisë në vitin 536, biri i Mundit, Maurici vdes befasisht në takim me pararojën gote; dhe pasi që merr vesh për vdekjen e birit të tij Mundi e sulmon ushtrinë kundërshtare verbërisht ku edhe plagoset për vdekje.
Mundi pra ka qenë një nga gjeneralët kryesorë të Perandorisë Romakë Lindore dhe i ka shërbyer me lojalitet Mbretit Justinian. Arsyeja pse ai nuk njihet më shumë në historiografi është për shkak së ka mbetur nën hijen e Belisarit, gjeneralit më të famshëm të së njëjtës periudhë.
Ngjashëm, edhe fushata tokësore (nëpër Iliri) e luftës gotike e udhëhequr nga Mundi, nuk ka marrë vëmendjen e duhur për shkak të fokusit në fushatën detare të udhëhequr nga Belisari.
Edhe shpjegimi alternativ për emrin e tij, që supozohet të jetë me prejardhje boshnjake, si diminutiv i Mustafa, ka domethënie relevante. Në otomanisht e ka kuptimin “i përzgjedhur”. Pra, siç shihet edhe ky version, ka gjasa të mos ketë qenë i rastësishëm. Sa u përket emrave Gjeto Basho dhe çetobash, ka gjasa që të dyja këto janë alternativa të vërteta. Gjeto ka gjasa që vjen nga getae, një term që është përdorur për gotët, gepidët, dhe fiset gjermanike në përgjithësi. Kurse Basho mund të rrjedhë nga ilirishtja bato (udhëheqës) (shih Basho Jona më poshtë); edhe në epos ai referohet disa herë si bac, fjalë që me gjasë rrjedh nga bato. Pra del se Gjeto Basho Muji e ka kuptimin “udhëheqësi gepid Mundi”, që përputhet plotësisht me realitetin historik. Kurse çetobash është një titull që në fakt i përshtatet Mundit si udhëheqës i një çete para se të futet në shërbimin ostrogot e më vonë romak. Kurse titulli Bylykbash me siguri i referohet pozitës së tij si gjeneral. Ekziston edhe një shpjegim hunik për emrin e tij, sepse supozohet se ka pjesërisht edhe prejardhje hune dhe është pasardhës i Atilës. Disa autorë mendojnë se bëhet fjalë për dy persona të ndryshëm, por të tjerët pajtohen se ka qenë vetëm një person i njohur si Mundus dhe Mundo (Sarantis, 2015).

Mundi ka operuar fillimisht nga qyteti Herta, që mund të identifikohet me emërvendin Herdel që paraqitet në epos (Jordanes). Ndërkohë, sa i përket karrierës së tij çetuese në moshë të re, edhe kjo mund të ketë një domethënie. Ka gjasa që çetimi i tij i hershëm të jetë refleks i traditës indoevropiane të grupeve të të rinjve që dilnin të “çetonin” (jetonin jashtë bashkësisë duke gjuajtur dhe duke sulmuar komunitetet e tjera). Këto grupe/”çeta” njihen si koryos ose mannerbund, kurse pasardhësit e tyre në fiset gjermanike inicioheshin në kultin odinik dhe identifikoheshin me ujqër. Jeta e Mundit i ngjason kësaj tradite sepse ai detyrohet ta braktisë oborrin mbretëror gepid, për të mbijetuar duke çetuar me një grup pasuesish. Edhe në epos, Muji shpesh paraqitet si i pamartuar dhe e shohim edhe lidhjen e tij shpirtërore me ujkun magjik, i cili e ruan atë kur ai është i plagosur. Ndihma që Mujit ia japin ujku dhe gjarpri gjatë lëngimit të tij mund të paraqesë në epos bashkëdyzimin e kulturës gjermanike (të prejardhjes së tij) dhe asaj ilire (shtëpisë së tij të re), kur dihet rëndësia kultike e këtyre dy kafshëve (Colarusso, n.d.; Mallory, 2006; McNish, 2000).
Gjithashtu, këngët për Mujin mund të jenë të bazuara në legjenda të mëhershme të Bariut magjik/Loparit magjik që paraqiten në disa kultura, ku bën pjesë edhe Herkuli. Te shqiptarët kulti i bariut magjik ka mbijetuar te Bariu i shenjtë dhe te Shndreu, të cilët kanë funksion të kontrollimit të kafshëve të egra, duke përfshirë ndalimin e ujqërve për të mos sulmuar bagëtitë. Ky kult mund të jetë refleks i kultit të Bariut magjik antik dhe mund ta ketë informuar legjendën e Mujit (Allen, 2011; Bengtson, 2016).
Halili
Heroi i dytë më i rëndësishëm i Eposit të Kreshnikëve, Halili (i njohur edhe si Sokol-e Halili), po ashtu është i bazuar në një person historik, gjeneralin Calluc (Calixtus/Kallistos). Calluc (i shqiptuar Kalluk) ishte një nga gjeneralët e Ilirisë (Magister militum per Illyria) pas vdekjes së Mujit. Emri Kalluk vjen nga emri Calixtus ose Kallistos, që e ka kuptimin në greqisht “i bukur”, gjë që referohet në këngë; kurse Halil në otomanisht domethënë shok i ngushtë. Kalluku vdes më 539 në luftë kundër gepidëve për Sirmiumin (Martindale, 1971).
Për të kuptuar rëndësinë e betejave të Mundit dhe Kallukut na ndihmon një citat i autorit Jordan (Jordanes), i cili duke folur për një betejë mes Lombardëve dhe Gepidëve, thotë se “ditët e tij nuk kishin parë një betejë më të madhe se kjo që nga kohët e Atilës – ndoshta me përjashtim të Kallukut kundër Gepidëve, dhe Mundit kundër Gotëve.” (Jordanes, p387).
Omeri
Omeri, i njohur edhe si Homeri dhe Imeri, që është i biri i Mujit në epos, është i bazuar në personin historik Mauricius/Maurikios. Maurici (emër që në shqip del edhe si Murrik, Muriq, Mavriq), ka qenë në fakt biri i Mundit. Maurici ka qenë gjeneral në ushtrinë fushore të Ilirisë në shërbim të babait të tij Mundit. Ai, ka marrë pjesë në shtypjen e trazirave Nika, bashkë me Mundin, si dhe në rimarrjen e Salonës në vitin 535. Në vitin 536 derisa ishte në një ekspeditë vëzhgimi me vetëm pak ushtarë, takohet me ushtrinë gotike (të udhëhequr nga Asinarius dhe Gripas), dhe pas luftimeve të ashpra vritet. Ka pasur një djalë, Theodimundin (Theodimundus), i cili merr pjesë në luftërat gotike në Itali, dhe një vajzë, e cila martohet me sunduesin e herulëve, Aruthin. (Martindale, 1971, p. 854) Kuptimi origjinal i emrit në otomanisht është “lulëzues” nga rrënja umr (jetë), dhe kjo mund të ketë lidhje me ngjarjen klimatike të vitit 536 që kishte shkaktuar vyshkjen e natyrës dhe dëme bujqësore. Përhapja e resë vullkanike kishte filluar në mars, muaji kur janë vrarë Maurici dhe Mundi në Betejën e Salonës.
Ajkuna
Personazhi Ajkuna mund të thuhet së është personazh më shumë mitologjik që e ka funksionin e nënës. Kjo arsyetohet edhe nëse pranohet etimologjia nga fjala Proto-Indo-Europiane *akkā (nënë). Mund të ketë lidhje edhe me hyjneshën amnore romake Acca Larentia (Nëna e lareve) (Krappe, 1942; Schwenck, 1867). Gjuhësisht si duket ka lidhje me emrin Alkumena (nëna e Herkulit) që e forcon argumentin për lidhjen mes ciklit Mujovian dhe Ciklit Herkulian si dhe variacioneve lokale të arketipit të Bariut magjik/Loparit magjik. Sidoqoftë, emri dhe funksioni i saj sugjerojnë lidhje të ngushtë me Omerin. Edhe ne shpjegimin alternativ, ku supozohet se Ajkuna rrjedh nga Ajsha, kuptimi është pothuajse i njëjtë me emrin e Omerit (jetë). Vajtimi i saj i njohur për Omerin, mund të përfaqësojë traumën e të mbijetuarve nga vyshkja e natyrës gjatë dimrit vullkanik të vitit 536. Vajtimi i Ajkunës mund të jetë ndikuar edhe nga legjenda e vdekjes së hyjnisë Pan, e cila mund të jetë ndikuar nga ndryshimet klimatike (Borgeaud, 1983).
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë