Java që vjen është vendimtare nëse filmi “Zgjoi” do të nominohet për “Oscar”. S’ka vijë ndarëse midis realitetit në Krushë të Madhe dhe atij në film. Rrëfimet e grave të këtij fshati, për të cilin tashmë ka dëgjuar bota mbarë, janë si ai i Fahrije Hotit prej të cilit gjëllin filmi. Krejt ato janë Fahrijat e Kosovës e “Zgjoi” tashmë i takon botës, me apo pa “Oscar”
Gjallëri ka në rrugët e dyqanet e Krushës së Madhe edhe në një ditë të ftohtë dimri në fillim të shkurtit. Në qendër të fshatit, ku lidhen të gjitha rrugët, fëmijët vijnë e shkojnë në shkollë, derisa prindërit e rinj pinë kafe e çaje frutash në kafenenë plot, ndanë rrugës kryesore që zgjatet nga magjistralja ndërmjet Prizrenit e Gjakovës. Gjithsecili ka nga një mendim për trailerin ose krejt filmin “Zgjoi” me skenar e regji të Blerta Bashollit, që shpalos jetën e krushianes Fahrije Hoti, që burrin ia vranë në luftë, por që kurrë s’u dorëzua hatri i të bijës dhe të birit. Dhe ajo menjëherë pas luftës do të kthehej në frymëzim e shtytje për mbi 140 gratë e Krushës së Madhe. Edhe atyre, forcat serbe ua vranë burrat. Por nënat e forta u kthyen edhe në kryefamiljarë për 504 fëmijët e fshatit që u rritën pa baballarë.
Këdo që e pyesni në fshat, ka një familjare a grua farefisi me histori të ngjashme me të Fahrijes, rolin e së cilës e luan aktorja e mirënjohur, Yllka Gashi. Suksesi i Fahrije Hotit edhe në biznes do të kthehej në motiv për gratë e tjera në një shoqëri patriarkale.
“Filmi ka ba bum”
“Na ajvar gjithë kena maru”, i drejtohet Yllka Gashi një tregtari në film.
“Filmi ka ba bum”, thekson Miradije Ramadani, një tjetër grua që pas vrasjes së burrit, Osman Ramadani, e vetme i rriti gjashtë vajza e një djalë. Dija, sikur se e thërrasin të bijat dhe i biri, është një tjetër sipërmarrëse e suksesshme e Krushës së Madhe. Biznesin “Vigani Foods”, që eksporton turshi e ajvar në Evropën Perëndimore, e ngriti nga hiri me ndihmën e fëmijëve.
“Zgjoi”, i cili fitoi tri çmimet kryesore në festivalin e filmit, “Sundance” dhe që është në garë të nominohet për çmimin “Oscar” për filmin më të mirë ndërkombëtar, nuk e përfaqëson vetëm historinë e Hotit.
“Njeriu është më i fortë se guri”, thekson Fahrije Hotin në njërën prej promove të filmit për festivalet ndërkombëtare.
Të gjitha gratë e veja kanë rrëfime të ngjashme mbijetese. Krusha e Madhe ende po pret kthimin e eshtrave të 64 personave të pagjetur. “Ukshin Hoti 1943 - ...?” – shkruan në imazhin vendosur në qendër të fshatit. Ende nuk dihet asgjë për fatin e intelektualit Ukshin Hoti, që i gjallë për herë të fundit u pa në pranverën e vitit 1999 në burgun e Dubravës.
Miradije Ramadani ishte në spitalin e Gjakovës me të birin shtatëmuajsh, Mentorin, në fundmarsin e vitit 1999 kur nisën bombardimet e NATO-s. Forcat serbe do të hakmerreshin kundër popullsisë civile në Krushë të Madhe.
“Djalin lulak ma majke n’pushkë”
Ramadani u kthye në prill në Krushën e Madhe të shkrumbuar, ku me sytë e saj do të shihte edhe kufoma përgjatë rrugëve e livadheve. Nuk do të merrte vesh asgjë për burrin e gjashtë vajzat. Do të kthehej në Gjakovë në familjen e një shoku të burrit. Pas tri javësh qytetarët e Gjakovës do të dëboheshin në këmbë drejt kufirit me Shqipërinë në Qafë të Prushit.
“E kam pa kur e kanë vet një nanë: ‘Çka ki në torbë?’ ‘Pasul’, iu tha. E kish pas shti beben me fsheh në pasul. Ia ka marrë edhe ia ka gjujtë më zjarrm. I tha: ‘Pasul me mish keni me hangër’”, kujton gruaja e shkrehur në vaj. Edhe vetë do të përballej me kërcënimin e policëve serbë me vrasje të të birit.
“Deri në 12 të natës na kanë mbajtë në kufi. Edhe më kujtohet se dy orë ma kanë mbajtë k’ta (Mentorin,v.j.) serbët... dy orë t’vjerrtë në pushkë t’u dalë në kufi”, thekson Ramadani, duke kthyer shikimin kah i biri Mentori, që atëherë ishte vetëm shtatëmuajsh. Dorën e djathtë e ngreh lart lëkundshëm për të demonstruar se si foshnja po valëvitej në tytën e automatikut.
Vajzat do të bëheshin bashkë me nënën dhe vëllain vetëm pas disa javësh në Shqipëri. Nuk dinin asgjë për babanë.
Edhe Ramadani u tregua e fortë guri, ani pse kur u kthye nga Shqipëria, pos që nuk gjeti eshtrat e kryefamiljarit, nuk kishte as strehë mbi kokë.
“E kam dashtë jetën me jetu”, thekson Fahrije Hoti në videon promovuese të “Zgjoit”.

“Nana, shtylla e familjes”
Si Fahrija, edhe Miradija, mblodhi forcat e fëmijët rreth vetes. Për vite me radhë punoi në dyqanin e Fahrije Hotit në fshat, ku njëherësh iu lejua t’i shiste turshitë e saj.
Nëna e ve i udhëhoqi fëmijët në punë ditën e natën që asnjëri prej tyre të mos linte shkollimin universitar sherri i kushteve në një vend që rrëmujshëm po mundohej ta rimerrte veten pa ua shtrirë institucionalisht dorën e ndihmës familjeve të viktimave të luftës.
“Ka pasur vështirësi, por megjithatë ia kemi dalë. Kemi punu, me ndihmën e nanës dhe të motrave. Paradite në shkollë, pasdite në fushë, kemi punu. Kemi pasur nënën mbështetje, sepse ajo ka qenë shtylla kryesore që është marrë me ne”, thekson Edita Krasniqi, e bija e Miradijes që punon si arsimtare e gjuhës shqipe në Hoçë të Vogël.
Filmi me kryeprotagonisten Yllka Gashi në rolin e Fahrijes ka edhe momente shakash ndërmjet grave, që përnjëherë iu ra mbi shpatulla barra e sigurimit të bukës së gojës për pesëqind fëmijët e Krushës së Madhe. Në film, gratë, derisa merren me zierjen e ajvarit, ndajnë edhe momente nga hyrja e dhëndrit në natën e martesës, duke përshkruar reagimet e njëri-tjetrit.
“Veç edhe jemi dashtë fort”, thekson aktorja Kumrije Hoxha, që e luan Nazën.

Sekuenca kundërthënëse
Por në filmin ku Çun Lajçi luan rolin e vjehrrit të Fahrijes, spikatet edhe forca patriarkale e zakonit, që gruas ia njeh angazhimin vetëm brenda katër mureve, edhe atëherë kur shtëpia ngelet pa burra. Në një moment, dikush me gur ia thyen xhamin e makinës derisa nëna e dy fëmijëve orvatet të sigurojë bukën e gojës së familjes.
Disa krushianë të pyetur prapa kamerës së ekipit të grupit KOHA nuk janë pajtuar me përfshirjen e kësaj pjese, por kanë refuzuar të flasin publikisht. Por ka folur Edita Krasniqi.
“Domethënë nuk më ka pëlqy aty te ngacmimi i burrave të Krushës, unë vetë kam punu edhe në dy të natës kam shku në fusha dhe i kam grah traktorit, por nuk kemi pas ngacmime”, thekson Krasniqi. “Por ndoshta i ka ndodhur Fahrijes”.
Fahrije Hoti, pas premierës së “Zgjoit” vjet në Prishtinë, e ka mbrojtur çdo sekuencë të filmit, duke thënë se e përfaqëson kryekëput jetën e saj.
“U ka ndodhur edhe grave të tjera, kështu që filmi është i dedikuar komplet për gratë e veja të Kosovës”, ka thënë ajo.
Në krah i ka dalë Hotit edhe Miradije Ramadani, me të cilën ka punuar dhjetë vjet. “Bum ka ba qeky filmi se le ta dinë krejt bota”, thekson Ramadani. “Filmi është i mirëseardhur për tana neve”.
Hamdi Gashi, zyrtar në bashkësinë lokale të ofiqarisë në Krushë të Madhe, e pranon se të vejat vazhdojnë të paragjykohen. Ka treguar se si krushianet janë përballur vazhdimisht me sfida për mbijetesën e familjeve pa burra. Por bën thirrje që shteti e shoqëria të mobilizohen që Kosova t’ia dokumentojë edhe nëpërmjet artit të vërtetën për luftën e saj.

Thirrje për lidershipin e Kosovës
“Filmi ka pasë shumë rëndësi të madhe, e kanë pa edhe publiku vendor, edhe i jashtëm se vërtet Serbia ka ba gjenocid në Krushë të Madhe dhe në krejt Kosovën”, thekson ai, duke shtuar se shteti duhet të ketë një buxhet të veçantë për dokumentimin e krimeve më të mëdha serbe në Kosovë që bota ta marrë vesh historinë e vërtetë të luftës së fundit.
Një thirrje të ngjashme ka edhe Destan Ramadani, 31 vjeç, që ende i shfaqen para syve tmerret e fundmarsit 1999 kur serbët kryen në Krushë njërën prej masakrave më të mëdha.
“Na si popull kemi hjekë shumë, por këta qeveritarët tanë nuk kanë bërë shumë me na përkrah neve, me na ndihmu familjeve që i kanë të zhdukur dhe fshati që është djeg shumica, nuk kanë kurrgjë hiç pothuajse”, thekson ai, duke shtuar se Serbia po investon në fushata propaganduese që edhe nëpërmjet kinematografisë ta përmbytë të vërtetën për luftën e fundit.
“Duhet me punu më shumë Qeveria me ba më shumë me libra, me filma që me pa krejt të vërtetën e Krushës dhe të krejt Kosovës që me ditë të vërtetën se çfarë është bërë këtu”.
Kosova ende nuk di asgjë për fatin e 1642 qytetarëve të saj, që Serbia e Milosheviqit u hodhi edhe në kodra me dhe për t’i fshehur krimet, derisa e sotmja e Vuçiqit, kthimin e kohëpaskohshëm të eshtrave e kushtëzon me kompromise në dialogun që kurrkund nuk po i shihet fundit.
“Zgjoi” përfshin edhe protestat e nënave dhe grave të personave të pagjetur para institucioneve qendrore. Por thirrjet e nënave e grave nuk janë dëgjuar fort as nga lidershipi i Kosovës.
Nënë Dija, sikurse e thërrasin fëmijët, ende nuk po ia del ta bindë Mentorin se eshtrat e kthyera ishin të babait të tij. “Nuk shkon te varri se thotë: ‘Aty nuk është baba jem, edhe çka me shku?’”
“Nuk muj me u pajtu se pa e pa ftyrën e atij që është aty, s’muj”, thotë Mentori.
“Kemi kësi raste shumë, po kur po mbetshin pa prind që s’po i njehshin, të ftoftë janë që...”, thotë nënë Dija, duke mbledhur dy duart grusht. “Nuk po di qysh me thanë, a çikat që e njohin, të kallta janë dhe lypin me shku te vorri, këtij s’ia merr menja me shku hiç”.

Amerika e shpresës së shqiptarëve
Fahrija e Dija janë vetëm dy prej qindra grave që lufta i la pa burra, por që ditë e natë nuk iu ndanë punës, duke u kthyer tashmë edhe në punëdhënëse për kurshianet e tjera me të cilat ndajnë të njëjtin fat.
Dija tashmë eksporton ajvar e turshi në Gjermani.
Basholli dëgjoi për rrëfimin e Hotit në lajme disa vjet më parë, në kohën kur ajo po përfundonte masterin në Universitetin e New Yorkut. E dinte se duhet të bëhej një film dhe se Yllka Gashi, aktorja e mirënjohur në Kosovë, duhet të ishte ylli. Basholli e Gashi e kishin takuar Hotin rreth vitit 2011 dhe kjo ua përforcoi misionin për ta treguar historinë e saj.
Tani Yllka Gashi në Shtetet e Bashkuara e Blerta Basholli në Kosovë po presin në ethe derisa të shpallen emrat e filmave të nominuar për filmin më të mirë të huaj për çmimin ”Oscar”, më të praruarin në kinematografinë botërore.
Nga Shtetet e Bashkuara, shqiptarët historikisht kanë pritur shpallje e kumte të mëdha në rrugën e Kosovës drejt lirisë e pavarësisë.
Por pavarësisht se a do të kurorëzohet “Zgjoi” me kryeçmimin amerikan, Basholli e Hoti tashmë kanë fituar çmimet e tyre të zemrës.
“Të luaja këtë karakter të jashtëzakonshëm në film ishte realizim i një ëndrre”, ka thënë protagonistja Gashi në njërën prej promove të filmit. Ajo ka thënë se si tinejxhere në kohën e luftës, e ka kuptuar fort mirë dhimbjen dhe sakrificat e saj.
“Ndjenja e komunitetit, komuniteti i grave, të cilat pavarësisht se fillimisht hezituan t’i bashkoheshin (Fahrijes në sipërmarrjen e saj, v.j.) në moment iu bashkuan dhe ndërtuan bashkë të ardhmen, dhe ia dolën”, thekson Basholli, duke shtuar se është kënaqësi që t’i shohësh të gjitha gratë të qeshura duke punuar në kooperativën bujqësore “Krusha”, nën udhëheqjen e Fahrije Hotit, me fjalët e së cilës mbyllet xhirimi promovues i “Zgjoit” në garën për shpërblimin e praruar.
“…dhe kjo është një mrekulli e Zotit që e kemi ba vetë gratë”.