Shtojca për Kulturë

Kori në një rrugëtim zbulimesh me mjeshtren Michelle Jensen

Kori në një rrugëtim zbulimesh me mjeshtren Michelle Jensen

Në frymën e hapësirës ku është mbajtur koncerti, në kishën katolike “Shën Ndou” në Prishtinë, kanë jehuar edhe veprat. Janë kryesisht këngë liturgjike e qasja në vepra, siç vlerësohet, ka qenë më ndryshe nga ajo që dëgjohet nga Kori i Filharmonisë së Kosovës. Një përvojë krejt unike për Korin e publikun ka ardhur në koncertin e dirigjuar nga mjeshtrja amerikane Michelle Jensen. Fotot: Arben Llapashtica

“Më pëlqen të mësoj, të di gjëra që nuk i kam ditur, të zbuloj”, ka thënë pas koncertit dirigjentja Michelle Jensen. E koncerti me Korin e Flharmonisë së Kosovës ka qenë i tillë: një zbulim veprash e qasjesh ndaj të kënduarit koral. E shquar në botën e muzikës – në listën e së cilës janë edhe bashkëpunime yje e fitues çmimesh madhore si “Grammy” – Jensen ka zbuluar edhe një vepër si pjesë e traditës muzikore të Kosovës

Kori i Filharmonisë së Kosovës i drejtuar nga amerikania Michelle Jensen ka sjellë stile e frymë krejt të re për publikun. Disa prej veprave janë të padëgjuara jo veç në vend, por madje edhe premierë në Evropë. Midis repertorit sakral, dirigjentja e shquar në botën e muzikës korale ka zbuluar edhe një vepër si pjesë e traditës muzikore të Kosovës.

Në frymën e hapësirës ku është mbajtur koncerti, në kishën katolike “Shën Ndou” në Prishtinë, kanë jehuar edhe veprat. Janë kryesisht këngë liturgjike e qasja në vepra, siç vlerësohet, ka qenë më ndryshe nga ajo që dëgjohet nga Kori. Për koristët vlerësohet përvojë e vyer në punën e tyre.

Koncerti ka nisur me “Lotus iste” nga Brian Sidders në frymë klasike e tillë ku një pjesë e formacionit mban ritmet derisa pjesa tjetër zhvillon një temë ndryshe.

“Christus factus est” nga Anton Bruckner ka pothuajse ritëm të njëjtë, veçse një ndërprerje e ndan nga pjesa tjetër që fillon me një jehonë dhe si rrëfim më i theksuar. Baritoni Shaban Behramaj interpreton një pjesë solo. Vepra tash e ka jehonën më të theksuar.

Pos anës muzikore, e veçantë e programit është edhe përfshirja e këngëve me të njëjtin titull, por të autorëve të ndryshëm. Të njëjtin titull e ka edhe vepra e kompozitorit Felice Anerio. Janë lutje kishtare.

E dirigjentja edhe para publikut ka thënë se nuk i ka interpretuar këto vepra më parë në Evropë. Është shprehur e emocionuar që, sa i përket kontinentit, sefte të dëgjoheshin në Kosovë.

“Repertori përfshin kompozitorë amerikanë që janë specialistë e të cilët m’u kërkua t’i sillja. Janë kompozitorë të famshëm që i njoh mirë. Gjithashtu pati muzikë nga renesanca dhe disa klasikë të tjerë. Është shumë e rëndësishme të mos harrohet tradita muzikore, sepse ajo që dëgjojmë sot kam dyshime nëse lidhet me atë që ishte më parë. Por gjithashtu kemi sjellë edhe këngë që është shkruar në këtë kohë”, ka thënë ajo për KOHËN.

E ka vlerësuar kapacitetin e Korit të Filharmonisë së Kosovës.

“Koristët janë talente fenomenale. Punojnë shumë dhe janë shumë fleksibilë. Kam krijuar një program me shumë gjuhë dhe stile të ndryshme muzikore, që ata nuk e kanë bërë më parë. Dhe ata thjesht i dhanë formë. Ishte shumë kënaqësi të interpretoja me ta”, ka vlerësuar mjeshtrja Michelle Jensen, dirigjente korale dhe pedagoge, e renditur në vendin e parë në klasifikimet e “Billboardit”. Në Universitetin “Azusa Pacific” është udhëheqëse e studimeve korale dhe dirigjente e formacioneve vokale kamerale dhe koreve të oratoriove. Ajo ka qenë gjithashtu pedagoge e jashtme në Universitetin e Kalifornisë Jugore (USC), ku ka marrë diplomën bachelor në muzikë, master në edukimin muzikor dhe doktoratë në muzikë korale. Jensen ka drejtuar performanca në katër kontinente. Në bashkëpunimin e saj të gjatë me kompozitorin e shquar, Eric Whitacre, ka shërbyer si drejtuese e korit për disa prezantime të “Paradise Lost”, ka drejtuar “Eric Whitacre Honor Choir” në një turne në Itali (2007). Përveç punës në skenë, ajo është aktive edhe në studio, duke drejtuar regjistrime për artistë si Lady Gaga. Mjeshtrja Jensen shërben gjithashtu si drejtoreshë artistike dhe dirigjente e “Sterling Ensemble Los Angeles”. Qëkur e themeloi këtë kor në vitin 2018, është renditur në vendin e parë të “Billboard Traditional Classical”, kanë fituar çmime të shumta prestigjioze, ka publikuar dy albume, ka performuar në konferenca të rëndësishme, përfshirë Konferencën Kombëtare ACDA në Cincinnati (2023), dhe ka bashkëpunuar me shumë artistë fitues të çmimit “Grammy”.

Titulli i njëjtë i dy veprave ngjan edhe me “Ave Maria” të Jacob Handl dhe veprën me të njëjtin titull të Patti Drennan. Kjo, sipas dirigjentit e kompozitorit Baki Jashari, është një pjesë e veçantisë së përzgjedhjes së programit të Jensen.

“U pa se dirigjentja zgjedh një program të veçantë, kompakt, ku madje disa tituj ishin të njëjtë të disa kompozitorëve të ndryshëm. Ajo ka dashur të shpalosë, diku nga 70 për qind të veprave ishin sakrale dhe pjesa e fundit e programit ishte rezervuar për disa vepra shumë interesante që s’i kemi dëgjuar më parë”, është shprehur Jashari.

E dirigjentja edhe para publikut ka thënë se nuk i ka interpretuar këto vepra më parë në Evropë. Është shprehur e emocionuar që, sa i përket kontinentit, sefte të dëgjoheshin në Kosovë

E konsideron përvojë unike punën e Korit me dirigjenten.

“Është interesante edhe për Korin, pasi natyrisht e njoh mirë korin, programet që ka kaluar deri më tani, ishte përvojë e veçantë deri më tani. Me siguri që edhe puna e saj si jo-evropiane, amerikanët kanë tjetër qasje me vokalin, ndaj muzikës, filozofia e tyre është krejt tjetër, interpretimi. E vërejta gjatë koncertit që edhe pse ishin veprat të shekullit XVIII e më të hershme, ishte një qasje më ndryshe dhe risi për publikun. Përvojë shumë e vyer për Korin”, ka thënë Jashari më tej.

Edhe tenori Agon Tufa, anëtar i Korit të Filharmonisë, e ka konsideruar përvojë të vyer punën me Jensen.

“Ka qenë një repertor goxha i larmishëm me një përzgjedhje shumë interesante, pak më ndryshe se herët e tjera. Kemi pasur një përvojë shumë të mirë me dirigjenten amerikane, e cila vërtet na ka lënë mbresa edhe gjatë procesit të punës, e që u pa edhe në koncert që ishte diçka më ndryshe. Ishe përvojë e mirë dhe shpresoj të vazhdojë kështu që të kemi bashkëpunime të mira me dirigjentë nga vendet e huaja”, ka thënë ai.

Më pas është sjellë “Ave verum corpus” e Richard Burchard dhe “The evening star”, “Whispers of summer” dhe “Summer is gone” të Samuel Coleridge – Taylor.

“The once invisible garden” e Dale Trumbore me Lekë Salihun në piano, siç dirigjentja ka shpjeguar, flet për të përbashkëtat.

Janë sjellë edhe katër vepra nga Mortem Lauridsen. Ato që njihen si nokturne. Siç ka shpjeguar dirigjentja, kanë qenë katër piktura të ndryshme të natës. “Sa nuit d’ete” rrëfim francez, “Soneto de la Noche” një tjetër spanjoll, “Sure on this Shining Night” që flet për shërim dhe të gjitha këto që përbashkohen në “Epilogue: Voici le Soir”. Krejt ky rrëfim përcillet me lojën e lehtë të pianos.

Violonçelisti Antonio Gashi ka qenë solist në veprën “When the violin” të Reena Esmail. Nga Kori, solistë kanë qenë sopranoja Kaltrina Miftari, altoja Andra Rexhepi, tenori Etrit Nura dhe baritoni Rizah Jahaj.

Programi është mbyllur me veprën “Shkoni krushqi” të Drinor Zymberit.

Dirigjentja Michelle Jensen ka thënë se është fanatike e zbulimit të muzikës së vendeve të ndryshme.

“Më pëlqen të mësoj, të di gjëra që nuk kam ditur, të zbuloj. Mënyra më e mirë për këtë është nëpërmjet muzikës. Të bën të kuptosh më mirë  njerëzit kur këndon këngë nga e gjithë bota. Nuk kam punuar më parë këngë në gjuhën shqipe. Ishte e vështirë të gjeja një përkthim që kishte kuptim, kështu që u desh të hulumtoja shumë. Por ishte shumë kënaqësi të gjeja një kulturë dhe një lloj të ri të muzikës. Gjithashtu këtë javë e kam kaluar duke mësuar për këngët tradicionale të Kosovës dhe kam rënë në dashuri me ritmet, meloditë dhe harmonitë”, është shprehur ajo.

Pos anës muzikore, e veçantë e programit është edhe përfshirja e këngëve me të njëjtin titull, por të autorëve të ndryshëm. Të njëjtin titull e ka edhe vepra e kompozitorit Felice Anerio. Janë lutje kishtare.