Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
In Memoriam: Jürgen Habermas

Liria dhe arsyeja – kur iluminizmi s’merr fund kurrë

Jürgen Habermas – një polemist që nxiste debate sa me skepticizmin e tij po aq edhe me idealizmin e tij. Projekti i tij ishte iluminimi i shoqërisë

Jürgen Habermas – një polemist që nxiste debate sa me skepticizmin e tij po aq edhe me idealizmin e tij. Projekti i tij ishte iluminimi i shoqërisë

Shpeshherë gjenial (për shembull kur shkruante për çlirimin e Kosovës), jo përherë i pagabueshëm (kur fliste për Ukrainën), mbi të gjitha: një intelektual me format botëror, i obsesionuar në trajtimin e pothuaj çdo teme relevante për shoqërinë. Me rastin e vdekjes së sociologut dhe filozofit të madh gjerman Jürgen Habermas

1.

Më shumë se sociolog, Jürgen Habermas dëshironte të bëhej gazetar. Kjo kuptohet nga përkujtimet e botuara në dy gazetat e mëdha gjermane “Süddeutsche Zeitung” dhe “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Habermas ndërroi jetë të shtunën në moshën 96-vjeçare në Starnberg, një vendbanim pranë liqenit me të njëjtin emër në jugperëndim të Münchenit. Lajmi u bë i ditur nga shtëpia botuese “Suhrkamp”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në mes të të njëzetave, shkruan “Süddeutsche Zeitung”, Jürgen Habermas e ndiente veten në një situatë “fatale”. Edhe pse kishte doktoruar me sukses dhe filozofi Theodor W. Adorno –  i cili ishte kthyer në Frankfurt nga ekzili –  e kishte marrë si asistent në Institutin për Kërkime Sociale, Habermasit nuk i pëlqente jeta akademike aty dhe nuk dëshironte të qëndronte. I kërkoi botuesit të një reviste që t’i ndihmonte të gjente një angazhim në një redaksi ku do “të bënte disa vite punë praktike në një redaksi të kulturës ose në ndonjë pozicion të ngjashëm; a keni ndonjë ide se ku mund të jem i dobishëm?”
“Süddeutsche Zeitung” nuk ishte e interesuar ta punësonte Habermasin; ishte përcaktuar për një djalë tjetër.

Në përkujtimin për Habermasin, “Frankfurter Allgemeine Zeitung” nënvizon, jo pa krenari, se ai doli për herë të parë në skenën publike pikërisht në këtë gazetë. Më 1953! Ishte vetëm 24-vjeçar! Dhe shkroi një kritikë mbi veprën e Martin Heideggerit, “Hyrje në Metafizikë”. Bëhej fjalë për një shkrim që Heidegger kishte mbajtur si leksion në fillim të sundimit të nazistëve.
Intervenimi i Habermasit ishte më shumë se një recension. Ishte, siç shkruan “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, një ndërhyrje publike që shkaktoi valë reagimesh shumë përtej gazetës dhe pyetjes mbi lidhjen midis politikës dhe filozofisë. Heideggeri nuk e kishte hequr nga versioni i publikuar shprehjen mbi “të vërtetën e brendshme dhe madhështinë” e lëvizjes naziste. Habermas e shfrytëzoi këtë rrethanë për të luftuar kundër asaj që ai e quante “rehabilitim i vazhdueshëm” i diktaturës naziste në opinionin publik gjerman. Ai ishte një rebel. Dhe kjo u pa që në tekstin e tij të parë të botuar në një gazetë të madhe gjermane.

2.

Stefan Müller-Doohm, profesor (në pension) i sociologjisë në Universitetin e Oldenburgut, autor i veprës “Jürgen Habermas. Një biografi”, botuar më 2014 në shtëpinë botuese “Suhrkamp”, dhe më 2019 bashkautor i vëllimit “Habermasi global. Historia e ndikimit të një vepre”, shkruan në “Neue Zürcher Zeitung” se vdekja e Jürgen Habermasit nuk shënon vetëm humbjen e një filozofi, por të një figure ndikimi i së cilës kapërcen kufijtë e Gjermanisë.

Autor i mbi 60 librave të përkthyera në më shumë se dyzet gjuhë (natyrisht edhe në shqip). Laureat i shumë çmimeve, mes tyre edhe i Çmimit të Paqes të librarëve gjermanë. Në Japoni u nderua me çmimin prestigjioz “Kyoto”.
“Diagnozat e tij mbi kohën tonë, si dhe interpretimet teorike të shtetit të së drejtës dhe demokracisë, gëzojnë vëmendje të madhe në Spanjë, Amerikën Latine dhe Korenë e Jugut. Në Indi dhe Kinë, këmbëngulja e tij për pacenueshmërinë e të drejtave të njeriut dhe tezat mbi të drejtën ndërkombëtare kanë shkaktuar bujë, shpesh duke irrituar elitat politike vendase”, shkruan Stefan Müller-Doohm.

Habermas nuk rrinte mbyllur në kullën e fildishtë të mendimtarit. Ai ndërhynte në jetën publike. Intervenonte. Me ese. Replika. Polemika. Ishte, pra, një shpirt luftarak. Dhe i ngjashëm me Heinrich Heinen, poetin e madh gjerman, i cili s’përtonte të futej në beteja e të përfshihej në “luftën e kohës” (Habermasi për Heinen).

Ai luftoi që fjala të depërtojë në opinionin publik dhe ta ndriçojë atë. Ta iluminojë

Edhe në moshë të shtyrë Habermas bëhej lajm për media, jo vetëm me shkrime, por edhe me veprime. Më 2021 Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan se i kishin ndarë çmimin Sheikh Zayed Book Award. Vlera e çmimit ishte 225 mijë euro. Habermas ishte shpallur “Personalitet kulture i vitit”. Filozofi njoftoi nëpërmjet shtëpisë së tij botuese gjermane “Suhrkamp” se e refuzonte çmimin nga Emiratet e Bashkuara Arabe për shkak të lidhjeve të institucioneve që e ndajnë këtë çmim me sistemin e atjeshëm politik. Sistemi i atjeshëm politik, këtë nuk kishte nevojë ta thoshte Habermas fare, është e kundërta e vlerave që përfaqësonte filozofi i madh gjerman. Habermas tha atëbotë se në aspektin afatgjatë beson në fuqinë iluminuese të fjalës kritike, po qe se kjo fjalë depërton në dritën e opinionit publik.

3.

Ai luftoi që fjala të depërtojë në opinionin publik dhe ta ndriçojë atë. Ta iluminojë. Në moshën 92-vjeçare Habermas shkroi një libër. 108 faqe. Eseja e tij titullohej “Një ndryshim i ri i strukturës së opinionit publik dhe politika deliberative”.
Para 500 vjetësh zbulimi i shtypshkronjës u ndihmoi njerëzve të bëhen lexues. Por kjo nuk ndodhi aq shpejt. Digjitalizimi tani i bën të gjithë autorë. Secili mund të publikojë diçka. Edhe idioti. Me depërtimin e idiotëve në sferën e fjalës publike, është fragmentarizuar hapësira e opinionit publik.
Sipas Jürgen Habermasit “konteksti i komunikimit i mundësuar nga shtypi” po shpërbëhet, për pasojë edhe demokracia po dëmtohet. Mbi 60 vjet më parë Habermasi shkroi kryeveprën e tij “Strukturwandel der Öffentlichkeit” (ndryshimi i strukturës së opinionit publik), ku theksonte se opinioni publik i mirinformuar është thelbësor për funksionimin e demokracisë. Dhe këtu, sipas tij, mediat luajnë rol qenësor. Shpërbërja e mediave të shtypura dëmton, sipas Habermasit, “komunitetin demokratik”.

Mediat online janë të përqendruara vetëm tek “ekonomia e vëmendjes”, pra nuk zgjidhet mjet për të zgjuar vëmendjen e publikut. Nëse ky është kriter i vetëm, atëherë temat relevante nuk trajtohen. Trajtohen banalitetet. Ose relevantja helmohet me vulgaritet për t’u bërë “e klikueshme” nga masa.
Zbavitja etiketuese, personalizimi i temave dhe dalldia afektive groposin faktet me buldozer. Rrjedhimisht, shkruan Habermas, në këto rrethana vuan “cilësia iluministe” e mediave. Madje filozofi dhe sociologu gjerman arrin në përfundimin se tekstet e digjitalizuara lexohen me më pak vëmendje se të shtypurat. Kjo, shton ai, e dëmton demokracinë.
Për çfarë media ëndërronte një intelektual me famë botërore? Për media që qëllim primar e kanë atë që quhet “Service public”, furnizimin e opinionit me informata jotendencioze, të sakta, përmbajtjesore. Qëllimi është që mediat, shkruan Habermas, të ruajnë karakterin inkluziv. Fragmentarizimi çon në kanibalizëm medial. Më 2023 ky libërth u botua edhe në gjuhën shqipe nga “Dukagjini” (në përkthim të Blertë Ismajlit dhe me titullin: “Transformimi i ri i sferës publike dhe politika deliberative”).

4.

Në Kosovë Jürgen Habermas nuk kishte shumë lexues. Por s’kishte as në vende të tjera. Sepse nuk ishte autor për masa të gjera. E lexonin kryesisht intelektualët. Ngjashëm edhe në Prishtinë. Duke ia bërë të padrejtë ndokujt që s’më kujtohet kësaj radhe (përzgjedhjet gati përherë janë arbitrare), po përmend disa nga lexuesit më të vëmendshëm kosovarë të Habermasit: Gani Bobi, Ramush Mavriqi, Isuf Berisha, Astrit Salihu, Bekim Baliqi, Blerim Latifi, Enver Hoxhaj (nga bota universitare) dhe Blerim Shala e Halil Matoshi (nga publicistika).
Opinioni i gjerë kosovar u njoh me emrin e Jürgen Habermasit në vitin 1999, kur ai me një ese të gjatë në gazetën “Die Zeit” doli në mbrojtje të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s për çlirimin e Kosovës. Kur je në rrezik, fqinjët demokratikë duhet të të dalin në ndihmë, nënvizonte ai në fund të prillit 1999. Fqinjë demokratikë të Kosovës Habermas i konsideronte vendet perëndimore. Ai theksonte se lufta e Kosovës paraqet një kapërcim nga e drejta ndërkombëtare klasike e shteteve në një të drejtë kozmopolite të një shoqërie të qytetarëve të botës. Për fat të keq, me ndryshimet gjeopolitike ky kapërcim është ndërprerë, por si shembull i luftës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut vlen ende.

“Tëhuajësimi terrorist i pushtetit shtetëror e shndërron luftën civile në krim masiv. Kur s’ka mundësi tjetër, fqinjët demokratikë duhet të vrapojnë për të ofruar ndihmë urgjente të legjitimuar nga e drejta ndërkombëtare”, shkruante Habermas për Kosovën. Domethënë: Serbia e ka tëhuajësuar pushtetin me qëllime terroriste. Sipas tij askush nuk ka të drejtë që viktimat t’i lërë nën mëshirën e kasapëve. Relevante (në rastin e Kosovës) janë veprat të cilat si “krime kundër njerëzimit” kanë hyrë në të drejtën ndërkombëtare nga parimet e Tribunaleve për Krimet e Luftës në Nürnberg dhe Tokio.

5.

Gjatë pandemisë së fundit Habermas e tha këtë fjali pothuaj gjeniale: “Një gjë mund të thuhet: kurrë nuk ka pasur më shumë dituri për paditurinë tonë”. Si askush tjetër Habermas dinte të dallonte simptomat e krizës shoqërore. Të gjithë flisnin për virusin, por gati askush nuk kuptonte gjë, përveç shkencëtarëve, natyrisht.

Rrjedha e debateve në Gjermani zakonisht shkon kështu: mediat bëjnë punën e tyre, politikanët bëjnë punën e tyre, flasin, diskutojnë, japin mendime dhe kur një ngjarje bëhet e madhe, atëherë të gjithë pyesin: “E kur do të prononcohet Habermasi?” Kështu ishte deri të shtunën.

Mbi 60 vjet më parë Habermasi shkroi kryeveprën e tij “Trukturwandel der Öffentlichkeit” (Ndryshimi i strukturës së opinionit publik), ku theksonte se opinioni publik i mirinformuar është thelbësor për funksionimin e demokracisë

Publicisti Willi Winkler nënvizon në “Süddeutsche Zeitung”: “’Obsesionin’ e tij –  siç e quante ai vetë –  nevojën e tij për t’u hedhur në debate, qofshin ato mbi bioetikën, ribashkimin e Gjermanisë, luftën në Irak, të ardhmen e Europës apo së fundmi mbi luftën ruse kundër Ukrainës, ai e shpjegonte me ‘rrënjët e historisë së tij jetësore’.

Këto rrënjë ai i ndante me brezin e tij. Hans Magnus Enzensberger, Ralf Dahrendorf, Helmut Kohl, Martin Walser dhe Günter Gaus, ashtu si ai, kishin marshuar në ‘Hitlerjugend’ (Rininë Hitleriane) dhe në fund ishin dërguar në frontin e luftës.
Ata i përkisnin grupit të ‘të privilegjuarve të pamerituar’, të cilët me përfundimin e luftës patën rastin ta pranonin si dhuratë demokracinë e fituar papritur dhe, po ashtu, dëshironin ta mbronin atë. Për Peter Sloterdijkun, armikun niçean të Habermasit, kjo i shndërroi ata në ‘bijtë hipermoralë të etërve nacionalsocialistë’”.

6.

Habermas nuk ishte i pagabueshëm. Në mediat gjermane ai u kritikua për disa qëndrime lidhur me Ukrainën. Në një tekst të gjatë, i cili zinte dy faqe të gazetës “Süddeutsche Zeitung” dhe të botuar në pranverën e vitit 2022, pas fillimit të agresionit rus, Habermas i doli në mbrojtje kancelarit Olaf Scholz, i cili kritikohej nga opozita (e atëhershme) konservatore dhe disa parti partnere të qeverisë së tij se në raport me Ukrainën mbante pozicion të ngurtë, duke mos u solidarizuar sa duhet.
Habermas kritikonte politikanët e gjelbër, të cilët kërkonin përkrahje më të madhe për Ukrainën. Vlladimir Putinin njëherë e quante “pushtetar që kalkulon në mënyrë racionale”, pastaj “të paparashikueshëm”. Ndaj kryetarit të Ukrainës Vollodimir Zelenski nuk ishte aq i përzemërt. Sipas tij, Zelenski po bënte një “inskenim të suksesshëm”. Një fjalim të tij para parlamentarëve gjermanë Habermas e quajti “një qortim moral” dhe e akuzoi liderin ukrainas për “shantazh moral” ndaj Gjermanisë.

Në një koment kritik gazeta “Frankfurter Allgemeine Zeitung” pyeste më 2022: “Duhet ta kemi parasysh këtë: një vend i sulmuar, me pavarësi të kërcënuar dhe i shkatërruar nga mizoritë e luftës po e shantazhon fuqinë e katërt ekonomike në botë (Gjermaninë)?”

7.

Më 19 nëntor 2025 Jürgen Habermas mbajti një nga ligjëratat e tij të fundit. E mbajti në München, në Fondacionin Siemens. Nuk ishte një apel i zjarrtë për një botë ku respektohen të drejtat e njeriut dhe të cilat mbrohen nga Perëndimi. Ai ankohej se mentaliteti ka ndryshuar, hap pas hapi. Në SHBA po gërryhet rendi demokratik, Kina po bëhet superfuqi, India ka ambicie gjeopolitike, lufta në Ukrainë sfidon elitat europiane. Cila është përgjigjja europiane?
Kjo: “Në fund të një jete politike që, në përgjithësi, ka qenë më tepër e favorizuar politikisht, nuk më vjen lehtë përfundimi, përkundër të gjithave këmbëngulës, se integrimi i mëtejshëm politik, të paktën në bërthamën e Bashkimit Europian, për ne nuk ka qenë kurrë kaq jetik për mbijetesë sa sot. Dhe njëkohësisht nuk ka qenë kurrë kaq i pagjasë”. Jürgen Habermas ishte një europian i madh. Një gjerman që të qenit intelektual e kuptoi si borxh për të luftuar për një shoqëri më të mirë. Një polemist që nxiste debate sa me skepticizmin e tij po aq edhe me idealizmin e tij. Projekti i tij ishte iluminimi i shoqërisë. Një projekt që s’përfundon kurrë.

Lexo edhe: