Shtojca për Kulturë

Një libër, nga një masakër në tjetrën

“Masakrat në Kosovë 1998-1999”

“Masakrat në Kosovë 1998-1999” nuk mund t’u bëjë homazh viktimave dhe as të shërbejë si burim edukativ dhe informues sepse ka shumë pasaktësi dhe paplotësi, nuk paraqet ndonjë studim serioz dhe të thelluar por vetëm një vepër të kompiluar nga disa pak libra të tjerë, pa teorizime, pa metodologji, pa bibliografi dhe pa krahasime burimesh

Ky shkrim paraqet një lexim kritik të librit “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, me autor Shkëlzen Gashin

Mbi librat për luftën

Sivjet më 2025, kur po mbushen 80 vjet nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, një studim online ka nxjerrë për rezultat që deri tani janë botuar rreth 80 000 libra për këtë luftë. Po ta shpërndajmë në mënyrë të barabartë këtë numër titujsh duke e pjesëtuar atë me vitet e kaluara nga fundi i asaj lufte, rezulton që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe deri sot, çdo vit janë botuar mesatarisht nga 1 000 libra për të. Ndërkaq për më shumë se një shekull, diku 50 000 libra janë botuar për Luftën e Parë Botërore. Në kontinentin e Evropës ku origjinojnë këto dy luftëra dhe ku janë zhvilluar shumica e betejave më të mëdha të tyre, lufta e fundit në shekullin e dy luftërave botërore ka qenë lufta e Kosovës. Nga atëherë deri sot, në botë janë botuar mbi 7 700 libra për luftën e Kosovës, të shkruar, të përkthyer apo të edituar në 28 gjuhë të ndryshme. Kjo shifër u konstatua gjatë një studimi të realizuar gjatë dy viteve të fundit nga ana ime bashkë me studiuesen shqiptare të Holokaustit që jeton në Kanada, Davjola Ndoja. Ky studim i yni i realizuar në 43 biblioteka të 40 shteteve të ndryshme, u finalizua me botimin e librit “Lufta e Kosovës 1997-1999: Një bibliografi e përzgjedhur” – (Durim Abdullahu & Davjola Ndoja).  

Kur ky libër po dorëzohej në versionin final të tij për t’u përgatitur për botim, një nga titujt e fundit të përfshirë në të, ishte libri “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, i shkruar nga publicisti Shkëlzen Gashi, i cili doli në shitje në javën e dytë të shtatorit më 2024. Ai është botuar nga dy organizata joqeveritare që ndër të tjera njihen për projektet e tyre për drejtësi tranzicionale, “Admovere” dhe “Integra”. Autori i këtij libri, Shkëlzen Gashi, është ish-drejtor ekzekutiv i organizatës “Admovere”, aktivist i shoqërisë civile dhe analist televiziv i zhvillimeve politike në Kosovë. Ky libër me rreth 270 faqe, është botuar në një edicion njëvëllimësh tregjuhësh, në shqip, serbisht dhe anglisht, që i ka dhënë librit vëllim prej gjithsej 824 faqesh. Ky libër shitet vetëm në librarinë “Dukagjini” në Prishtinë, me çmim 30 euro. Si një projekt për masakrat e kryera gjatë luftës në Kosovë, ky libër ishte paralajmëruar disa herë në publik nga autori Gashi dhe siç ka shpjeguar ai, puna për të ka nisur diku më 2019.

Në mëngjesin e 9 shtatorit 2024, kur shkova ta blija këtë libër në librarinë “Dukagjini”, teksa po prisja që libri të regjistrohej në sistemin e shitjes, nga librashitësja e kuptova që isha blerësi i parë i këtij libri. Duke qenë që prej vitesh kam ngritur një koleksion librar privat me qindra libra për luftën e Kosovës, duke bërë gjueti librash lufte nëpër librari, te librashitës në qytet, në platforma online për libra të vjetër, si dhe te vetë autorët, një libër si ky për masakrat në Kosovë, nuk mund t’i shpëtonte vëmendjes sime dhe as t’i mungonte koleksionit tim. Aq më tepër që botimi i tij ishte paralajmëruar disa muaj më herët në mënyrë të përsëritur.

Librin “Masakrat në Kosovë 1998 – 1999” e lexova brenda pesë ditësh, duke mbajtur shënime në margjinat e tij dhe në bllokun tim të shënimeve për librat e luftës. Por duke qenë se nuk paraqiste rezultate të reja dhe as ndonjë risi në literaturën e botimeve për këtë fushë, nuk shkrova gjë për të në publik. Në muajt në vazhdim, duke parë publicitetin e madh që iu bë këtij libri dhe trumbetimin e tij si një libër i jashtëzakonshëm për temën që e trajton, e gjykova të dobishme të shkruaj këtë vështrim, megjithëse i vetëdijshëm që në sferën publike në Kosovë përgjithësisht nuk ka ndonjë atmosferë mirëpritëse për leximet kritike të botimeve të reja. Si historian ligjërues në Universitetin e Prishtinës që prej vitesh e ka studiuar historinë dhe trashëgiminë e luftës së viteve 1997 – 1999 në Kosovë, përgjegjësia profesionale dhe intelektuale ndaj kësaj fushe studimesh, më shtynë dhe më obliguan ta shkruaja këtë tekst.

Çfarë përmban ky libër?

“Masakrat në Kosovë 1998 – 1999” është një libër me të dhëna për 83 masakra të kryera gjatë luftës në Kosovë nga fillimi i vitit 1998 deri në mes të vitit 1999. Libri hapet me një listë të shkurtesave, vazhdon me një parathënie dhe tutje vazhdon me një tekst falënderimesh, para se të pasohet nga 83 tekste për 83 masakra, që është përmbajtja qendrore e librit. Tekstet për 83 masakrat në fjalë, janë radhitur sipas rendit kronologjik, duke filluar nga 28 shkurti i vitit 1998 kur ngjau masakra në Likoshan dhe Qirez, deri më 23 korrik 1999, kur ngjau masakra në Grackë të Vjetër.

Në këto tekste, masakrat janë përshkruar duke u përqendruar te rrethanat dhe të dhënat e përgjithshme për to: sikur emrat e vendeve ku kanë ndodhur masakrat; datat dhe kohëzgjatja kur janë kryer masakrat; strukturat policore, ushtarake apo paraushtarake të përfshira në to; numri i viktimave i zbërthyer në të dhëna statistikore për etninë e tyre, gjininë dhe moshën e viktimave; proceset gjyqësore të zhvilluara për to në rastet kur janë ngritur aktakuza për këto masakra, etj. Të gjitha këto janë përmbledhur shkurtimisht në një, dy ose më së shumti tri faqe shqip, që pastaj janë përkthyer në serbisht dhe anglisht. Të gjitha tekstet janë ilustruar me nga një, dy ose tri fotografi relevante për masakrat përkatëse, ku shihen kryesisht skenat e masakrave, kufomat e viktimave, ose sendet e tyre, ose varrimet dhe varret e tyre, ose familjarët e tyre, ose shtëpitë e tyre, ose memorialet e tyre etj. Në fund të librit, janë përpiluar katër shtojca, me këto mbishkrime: “Shtojca 1 – Lista e masakrave të përfshira në këtë botim; Shtojca 2 – Lista e masakrave për të cilat nuk kemi gjetë materiale; Shtojca 3 – Rrëmbimet e civilëve (nuk përfshihen në mesin e masakrave); Shtojca 4 – Vrasjet e civilëve nga bombardimet e NATO-s (nuk përfshihen në mesin e masakrave).”

Ç’është “masakra”?

Në parathënien e librit “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, autori shpjegon që “prej të gjitha shkeljeve të së drejtës humanitare ndërkombëtare gjatë luftës në Kosovë më 1998-’99, zgjodha masakrat, për shkak se ato përbëjnë më të rëndën shkelje dhe për shkak se një publikim përmbledhës i tyre mungon. Evidentova kur e ku u kryen këto masakra, nga kush, pse e në çfarë rrethanash, cili ishte numri i viktimave dhe çfarë etnie, moshe e gjinie ishin ato[…] Lexuesi duhet ta ketë parasysh se për ta cilësuar një krim si masakër janë disa kritere që duhen plotësuar. Vrasja duhet të jetë mizore, e qëllimshme dhe e motivuar politikisht, duke synuar një numër të madh të individëve, veçanërisht të atyre që nuk janë të përfshirë në konflikt si luftëtarë dhe që nuk mund të vetëmbrohen. Për më shumë, akti duhet jetë moralisht i papranueshëm që të kategorizohet si masakër.”

Termi “masakër” nuk është i vetëkuptueshëm, andaj në çdo rast të përdorimit të tij, është e nevojshme të shoqërohet me shpjegime siç është bërë me të drejtë edhe në këtë rast. Mirëpo, masakra nuk është ndonjë kategori juridike në të drejtën ndërkombëtare humanitare, siç thuhet në parathënien e këtij libri. Andaj asnjëherë nuk mund të lexohet në ndonjë aktakuzë se dikush është akuzuar për masakër edhe nëse krimet për të cilat mund të akuzohet një i akuzuar, mund të cilësohen si masakër. Në të drejtën ndërkombëtare humanitare ka një mori llojesh të krimeve të kryera në kohë lufte, sikur vrasjet masive; krimet e luftës; spastrimi etnik; krimet kundër njerëzimit; gjenocidi; vrasja; keqtrajtimi; deportimi; skllavërimi; dhunimi; keqtrajtimi i të burgosurve të luftës; tortura ose trajtimi çnjerëzor; eksperimentet biologjike; plaçkitja e pronave private ose publike; shkatërrimi i qyteteve, i qytezave dhe i fshatrave; shkatërrimi i pasurive kulturore dhe shumë kategori të tjera të ngjashme apo të lidhura me këto.

Që nga shekulli XII kur u përdor së pari fjala “masakër”, asaj i janë ndajshtuar një mori shtresash me ngarkesa kuptimore të ndryshme gjatë historisë. Në studimet e gjenocidit, termi “masakër” zakonisht është definuar varësisht nga konteksti i përdorimit. Duke shkruar për masakrat ndaj armenëve, studiuesi Robert Melson sugjeron që “me masakër nënkuptohet vrasja e qëllimshme nga akterët politikë të një numri të konsiderueshëm njerëzish relativisht të pambrojtur”. Të tjerë studiues e kanë përdorur termin “masakër” për të treguar vrasje dhe ekzekutime në rrethana, regjime politike, përmasa dhe periudha historike krejt të ndryshme. Masakra ishin edhe vrasjet shfarosëse të popujve indigjenë të Amerikës nga evropianët, por masakër është edhe një e shtënë në turmë njerëzish në një qendër tregtare që shkakton të vrarë, pavarësisht motivit të sulmuesit.

Duke mos qenë një term i normuar juridikisht apo i përkufizuar brenda disa kushtesh a kriteresh fikse, fjala “masakër” ka gjithmonë nevojë për sqarime dhe specifikime përkarshi konteksteve të përdorimit të saj. Por parathënia e librit “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, nuk ofron shumë për kontekstin historik të luftës së Kosovës dhe për një lexues të painformuar e që nuk di gjë për këtë luftë, nuk kuptohet përse shteti i Jugosllavisë kreu aq shumë masakra dhe krime të tjera ndaj shqiptarëve në Kosovë. Më tutje ky libër nuk ka asnjë radhë që do të shpjegonte qëllimet finale të kryerësve të këtyre masakrave dhe as për lidhjet e tyre qoftë dhe eventuale me spastrimin etnik apo gjenocidin e planifikuar nga Serbia në Kosovë. Kjo pështjellohet edhe më shumë nga përshtypja që mund të krijojë fakti që në fund të librit është përfshirë edhe një masakër që pretendohet të jetë kryer nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).  

Ndonëse parathënia shpjegon shkurtimisht se mbi ç’kritere është konceptuar masakra e të cilat vlejnë për 83 raste vrasjesh në Kosovë, nuk kuptohet se si janë klasifikuar si masakra 22 raste vrasjesh të tjera që janë listuar në shtojcën nr. 2 me shënimin “Lista e masakrave për të cilat nuk kemi gjetë materiale”. Nuk është e qartë se si janë klasifikuar si masakra këto 22 raste vrasjesh, nëse për to nuk janë gjetur materiale?! Në këtë pikë natyrshëm shtrohet pyetja se kush i ka cilësuar si masakra më herët këto 22 raste për të cilat autori nuk ka gjetur materiale?! Përderisa nuk janë gjetur materiale, prej nga dihet që ato kanë ndodhur pikërisht në ato data dhe në ato vende dhe prej nga dihet numri i dhënë i viktimave: sikur 22 civilë të vrarë në Samadrexhë më 27-28.3.1999; 27 civilë të tjerë në Burojë më 28-19.3.1999; 12 të vrarë në Popovë më 4.4.1999; 11 civilë të vrarë në Makërmal më 31.3.199; 14 të tjerë në Gllobar më 14.6.1999 etj.

Pa teori dhe pa metodologji

Në parathënien e librit, autori rrëfen që “I frymëzuar nga mënyra se si Bosnjë-Hercegovina i përkujton krimet e luftës (madje me punë të jashtëzakonshme e ndonjëherë të kryer edhe në baza vullnetare), vendosa që t’i identifikoj, t’i hulumtoj gjerësisht dhe rrënjësisht, dhe t’i përmbledh në një vëllim të vetëm, të dhënat relevante për masakrat e kryera gjatë luftës në Kosovë nga data 28 shkurt 1998 deri më 23 korrik 1999.” Por përtej këtij paragrafi, autori nuk jep asnjë shpjegim se cili është pozicioni teorik i tij ndaj kësaj trashëgimie atrocitare dhe nuk e shpjegon fare se cila ka qenë metodologjia e ndjekur për hulumtimin dhe shkrimin e këtij libri. Të dyja këto mbulohen me një paragraf që tregon se “për të përpiluar tekstet për masakrat, mora për bazë raportet e organizatave prestigjioze për të drejtat e njeriut, si Amnesty International (AI), Humanitarian Law Center (HLC), Human Rights Watch (HRW), International Crisis Group (ICH), Orgnization for Security and Cooperation in Europe (OSCE), e më rrallë edhe ndonjë tjetër. […] Mbas kërkimit edhe nëpër gazetat, revistat, librat e monografitë e ndryshme kredibile, të botuara në vend, ku më shumë ku më pak, gjetëm materiale për 83 masakra, të cilat i përfshimë në këtë publikim.[…]Megjithatë, për 22 vrasje masive nuk kemi gjetë materiale nëpër burimet e lartpërmendura.”

Sado që lexuesi paralajmërohet për ambicien e lartë të këtij projekti në fjalinë ku autori e shpall atë gati si një mision personal, teksa shkruan në vetën e parë që “vendosa që t’i identifikoj, t’i hulumtoj gjerësisht dhe rrënjësisht, dhe t’i përmbledh në një vëllim të vetëm, të dhënat relevante për masakrat e kryera gjatë luftës në Kosovë”, katër paragrafë më tutje, kuptohet që me hulumtim të gjerë dhe rrënjësor, fjala është thjesht për lexim librash, raportesh, gazetash dhe revistash. Nëse nuk është gjetur asgjë mes atyre librave, gazetave dhe revistave si për 22 vrasjet e sipërpërmendura, ato thjesht grupohen si “Lista e masakrave për të cilat nuk kemi gjetë materiale”. Kjo sepse me sa duket për këtë libër nuk është bërë fare punë në terren. Në këtë libër, thjesht janë riprodhuar të dhënat e disa librave dhe artikujve, që nga përpjekja për t’i sintetizuar kanë përfunduar në një kompilim tekstesh të ndryshme të marra nga libra të tjerë. Por edhe ata libra dhe artikuj janë numerikisht të paktë, madje aq të paktë sa ndonëse janë cituar dhe ricituar në trajtë fusnotash, ata nuk janë përmbledhur si burime në një tabelë bibliografike në fund të librit sipas parimeve akademike. Duke i ndjekur fusnotat, kuptohet që i tërë libri “Masakrat në Kosovë 1998-1999” është shkruar duke riprodhuar të dhënat e kryesisht këtyre librave: “Libër-Kujtimi i Kosovës” i përpiluar nga Humanitarian Law Center, udhëhequr nga Natasha Kandiq; “Nën pushtetin e urdhrave: Krimet e luftës në Kosovë”, hartuar nga Human Rights Watch; “Humanitarian Law Violations in Kosovo”, përgatitur gjithashtu nga Human Rights Watch; “Krimet e luftës në Kosovë 1998-1999 – Monografi I”, botuar nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut; raporti dyvëllimësh i Misionit Verifikues të OSCE-së në Kosovë, “Kosovo/Kosova as seen as told”. Këta pesë libra janë burimet kryesore të stërcituara në librin “Masakrat në Kosovë 1998-1999”. Ndërkaq, pretendimi fillestar i shpallur te “vendosa që t’i identifikoj [masakrat]”, rezulton i pasuksesshëm, meqë në këtë libër nuk ka as edhe një masakër të identifikuar që nuk ishte identifikuar më herët.

Përkundrazi, në librin “Masakrat në Kosovë 1998-1999” nuk janë identifikuar një mori masakrash të kryera ndaj shqiptarëve civilë në Kosovë veçanërisht më 1999, që nuk figurojnë as te shtojca “Lista e masakrave për të cilat nuk kemi gjetë materiale”. Për të përmendur vetëm disa të tilla është rasti i masakrës në fshatin Dobratin, ku më 27 prill 1999, forcat serbe vranë 8 civilë, katër fëmijë dhe katër të rritur. Apo masakra e kryer në Keqekollë të Prishtinës ku më 22 prill 1999, rreth orës 22:00, janë vrarë 10 civilë: shtatë të familjes Jakupi nga Orllani, dy të familjes Krasniqi nga Grashtica dhe një i familjes Hyseni nga Bellopoja. Siç nuk evidentohet as masakra e kryer në fshatin Balloc ku më 15 prill 1999, u vranë shtatë njerëz, mes tyre katër vëllezërit Sejdiu. Apo masakra e 6 prillit 1999 në fshatin Miroc, ku nga një granatë e hedhur mes refugjatësh u vranë pesë persona, mes tyre dhe dy fëmijë të familjes Hajdari, 10 dhe 13 vjeçar. Aty mungon edhe masakra e kryer më 25 mars 1999 në rrugën “Ramë Obrança” në Podujevë, ku policët serbë i ekzekutuan Zenel Begollin, Salih Begollin, Emin Poterën, Ibrahim Poterën, Xhevahir Gashin dhe Qazim Maçastenën.

Një nga problemet e librit “Masakrat në Kosovë 1998-1999” është që në të fare nuk listohen emrat dhe të dhënat personale të viktimave, duke u mjaftuar vetëm me numërimin e tyre si shifra. Ky reduktim i viktimave të masakrave në të dhëna statistikore, e bën lehtësisht të cenueshëm vërtetësinë e tyre nga kushdo që mendon ta vërë në pikëpyetje kredibilitetin e këtyre burimeve. Si mund të mbështeten për të sakta dhe të vërteta shifrat me numrat e të vrarëve, kur ato nuk pasohen me emrat e tyre apo të dhëna shtesë?!  

Duke mos i njohur gjerësisht burimet e shumta vizuale për luftën e Kosovës, në disa raste, masakrat janë ilustruar në kontekst dhe jo në rastin specifik të tyre. Si shembull, kështu është bërë me masakrën e Kotlinës e cila është ilustruar me tri fotografi të refugjatëve në malet e Kaçanikut, ndonëse ekzistojnë të paktën 15 fotografi që tregojnë zhvarrimin e viktimave të masakrës së Kotlinës në qershor të vitit 1999 nga hetuesit e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavi, të arkivuara edhe në Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL)

Prekazi mes masakrës dhe rezistencës

Ndër huqjet më të mëdha të librit “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, është rasti i Prekazit. Te teksti për Prekazin, është shkruar që “Nga të dhënat e HLC-së, rezulton se forcat serbe në këtë offensive kanë vra 59 veta në Prekaz, tre në Polac, dy në Llaushë, dy në Turiqec, një në Burojë dhe një në Tushilë, pra gjithsej 68 veta, prej të cilëve 40 civilë ishin civilë të paarmatosur”. Nisur nga kjo logjikë, te tabela me grafikonin e masakrave, numri i të vrarëve në Prekaz është shënuar i zbritur në 40. Në këtë rast, autori i ka ndarë të vrarët nga 68 gjithsej, në 28 të armatosur dhe 40 civilë të paarmatosur, prej të cilëve vetëm këta të fundit janë cilësuar viktima të një masakre. Sipas këtij kriteri, konkludohet që Adem dhe Hamëz Jashari bashkë me djemtë e tyre që luftuan më 5 mars 1998 në shtëpitë e tyre ishin të vrarë si luftëtarë, kurse pjesëtarët e tjerë të familjes, gratë dhe fëmijët e tjerë të vrarë pranë tyre dhe në po të njëjtat shtëpi ishin viktima të një masakre. Apo që Kajtaz, Faik, Sherif e Ali Jashari që luftuan bashkë me ta dhe të tjerë atë ditë ishin gjithashtu të vrarë luftimesh, kurse familjarët dhe kushërinjtë e tyre të vrarë më 5 mars 1998 ishin thjesht të vrarë të një masakre të kryer nga forcat serbe. E njëjta logjikë sjell te konkluzioni po kaq i palogjikshëm që Sala dhe Hamit Jashari që luftuan në shtëpitë e tyre ato ditë janë të vrarë, kurse anëtarët e tjerë të familjes së tyre dhe kushërinj të tjerë në fqinjësi ishin viktima të masakrës së Prekazit. Kjo ndarje e të vrarëve në Prekaz në 40 viktima civile si viktima të një masakre nga të tjerë që ishin të armatosur si dy kategori të veçanta, më e pakta është shpërfillje e kontekstit të operacionit policor dhe ushtarak të Serbisë në Prekaz gjatë atyre ditëve të marsit 1998. Ngjarjet e rastit të Prekazit, nuk e përmbushin njërin nga kushtet kyçe të mënyrës se si e ka përkufizuar masakrën edhe vetë autori në hyrje, që të vrarët “nuk janë të përfshirë në konflikt si luftëtarë”. Të vrarët në Prekaz ishin të përfshirë në mënyrë të pashqitshme dhe me vetëdije në një rezistencë të armatosur dhe të organizuar. Këtu përfshihen edhe djem dhe vajza nën moshën madhore, mes 13 dhe 18 vjeç, sikur Besimi, Fitimi dhe Kushtrimi por edhe të tjerë që atë ditë ishin përfshirë në luftime. Veçanërisht pas sulmit të policisë serbe gjashtë javë më herët, më 22 janar 1998, prej kur e tërë lagjja Jashari dhe banorët e Prekazit në përgjithësi ishin organizuar në roje të armatosur, çdo natë, nga ora 21:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit. Pra, kriteri i sipërshënuar nuk mund të shërbejë për t’i ndarë të vrarët në dysh dhe përvijuar ata në dy kategori, meqë termi “masakër” është i bazuar vetëm nëse mund të jetë i referueshëm ndaj rrethanave të tërësishme të rastit dhe jo duke i seleksionuar dhe marrë të vrarët veç e veç.

Nisur nga fakti që gjatë atyre ditëve të marsit 1998 në Prekaz, shumë burra edhe gra rezistuan të armatosur ndaj sulmeve masive të trupave të panumërta të policisë dhe të ushtrisë jugosllave, ky rast nuk mund të grupohet thjesht si një masakër. Lufta e zhvilluar aty në mbrojtje të shtëpive dhe të atdheut të tyre e zhvendos këtë rast në tjetër regjistër. Ndryshe, shfaqen çështje absurde dhe të paqena sikur ta zëmë pyetja se përderisa Adem Jashari ishte një luftëtar që u vra duke luftuar, çfarë ishte gruaja e tij Adilja, që paraditen e 5 marsit u vra kur po ia çonte një çantë me predha Ademit dhe ku duhet kategorizuar ajo? Rezistenca e armatosur dhe e organizuar e familjes së Shaban Jasharit dhe e fqinjëve të tjerë në lagjen Jashari në Prekaz, e përjashton mundësinë që rasti i Prekazit të cilësohet thjesht si masakër. Për më tepër që e minon rrezikshëm tregimin e faktuar dhe të mirëbazuar të shembullit frymëzues për luftë çlirimtare që populli shqiptar e mori pikërisht nga rezistenca e familjes Jashari. Operacioni i policisë dhe ushtrisë jugosllave në Prekaz, paraqet një rast tejet kompleks që assesi nuk mund të cilësohet si një masakër, sepse kjo do të ishte një thjeshtëzim i tepruar i rrethanave dhe reduktim i skajshëm i mundësive të konceptimit dhe interpretimit të atyre ngjarjeve në kontekstin e kohës.  

Gjithsesi, problemet e këtij libri nuk mbarojnë këtu. Ai ka pasaktësi te teksti për njërën nga masakrat më të mëdha për nga numri i viktimave, që ka ngjarë në fshatin Krushë e Madhe të Rahovecit. Aty është shkruar që “Më 25-28 mars 1999, sipas të dhënave të HLC-së rezulton se forcat serbe kanë vra 205 veta në Krushë të Madhe, prej të cilëve tetë figurojnë si persona të armatosur, kurse 197 si civilë të paarmatosur.” Masakra e Krushës së Madhe është mbase masakra për të cilën janë regjistruar më së shumti dëshmi nga dëshmitarët deri sot, pasi profesorë dhe studentë nga Departamenti i Antropologjisë i Universitetit të Prishtinës kanë realizuar një projekt gjatë të cilit kanë intervistuar 150 persona me të mbijetuar dhe dëshmitarë, intervista këto të botuara nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës në 10 vëllime. Prej këtij studimi rezulton që më 25, 26 dhe 27 mars 1999, në Krushë të Madhe janë vrarë 244 njerëz, prej të cilëve 206 nga fshati Krushë e Madhe kurse 35 nga fshatrat përreth.     
Po kaq problematik është kurimi i rreth 200 fotografive me të cilat është ilustruar secila masakër përgjatë gjithë librit. Kjo pasi që për arsye të pakuptueshme për lexuesin, të gjitha ato fotografi janë dekolorizuar duke u kthyer në bardh e zi. Kjo ndërhyrje në origjinalitetin e tyre, cenon autenticitetin e fotografive përkatëse si burime dokumentare. Shto kësaj edhe faktin që mbase duke mos i njohur gjerësisht burimet e shumta vizuale për luftën e Kosovës, në disa raste, masakrat janë ilustruar në kontekst dhe jo në rastin specifik të tyre. Si shembull, kështu është bërë me masakrën e Kotlinës e cila është ilustruar me tri fotografi të refugjatëve në malet e Kaçanikut, ndonëse ekzistojnë të paktën 15 fotografi që tregojnë zhvarrimin e viktimave të masakrës së Kotlinës në qershor të vitit 1999 nga hetuesit e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavi, të arkivuara edhe në Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL).

Në fund fare, teksti i mbramë i këtij libri, i takon një rasti të pasqaruar ndonjëherë, i ngjarë në fshatin Grackë e Vjetër të Lipjanit, ku janë vrarë 14 civilë serbë të paarmatosur, të gjithë meshkuj. Rasti në Grackë të Vjetër është vërtet një grackë për lexuesin, pasi ai ka ndodhur më 23 korrik 1999, më shumë se një muaj pas përfundimit të luftës dhe tërheqjes së trupave të armatosura serbe nga Kosova. Ky kapitull i fundit i librit pothuajse e përmbysë gjithë rrjedhën e tij kokëposhtë, pasi që siç edhe është shkruar në të “fshatarët serbë akuzuan UÇK-në për vrasjet”. Citimi i fjalëve të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar me fotografi kur më 2016 e kishte vizituar fshatin Grackë dhe kishte bërë homazhe para pllakës përkujtimore, lë hapësirë për të krijuar përshtypje të gabuara për historinë e ngjarjeve në Kosovë gjatë vitit 1999. Dhe kjo është lehtësisht e gjasshme pasi as ky tekst sikur edhe i tërë libri, nuk ofron fare një sfond më të gjerë të rrethanave historike të këtyre ngjarjeve.
Duke u kthyer në fillim te paragrafët e fundit të parathënies, lexohet që “Libri “Masakrat në Kosovë 1998-1999” po botohet për disa arsye të rëndësishme. Ai synon t’u bëjë homazh të gjitha viktimave të luftës së Kosovës nga vitet 1998’-99, pavarësisht nga përkatësia etnike, krahinore, gjuha, feja, gjinia, statusi social a orientimi politik. Libri gjithashtu nderon familjarët e viktimave të luftës dhe kontribuon në përpjekjet më të gjera për drejtësinë tranzicionale të pasluftës. Për më shumë, ai mëton të shërbejë si një burim edukativ dhe informues për brezat e ardhshëm dhe të ndihmojë në ruajtjen e kujtesës kolektive. Së fundi, libri po botohet edhe me qëllim që të ndihmojë në formimin e një perceptimi më të saktë publik për Kosovën.”

Por kur lexohet ky libër, kuptohet që me përmbajtjen dhe nivelin e tij, ai nuk arrin asnjërin prej këtyre mëtimeve. Libri “Masakrat në Kosovë 1998-1999” nuk mund t’u bëjë homazh viktimave dhe as të shërbejë si burim edukativ dhe informues sepse ka shumë pasaktësi dhe paplotësi, nuk paraqet ndonjë studim serioz dhe të thelluar por vetëm një vepër të kompiluar nga disa pak libra të tjerë, pa teorizime, pa metodologji, pa bibliografi dhe pa krahasime burimesh. Aq më pak, ai nuk mund “të ndihmojë në formimin e një perceptimi më të saktë publik për Kosovën”, sepse duke i reduktuar rrethanat e masakrave në 200-400 fjalë, pa emra viktimash dhe vetëm me shifra, pa burime dokumentare, pa prezantim të rrethanave të gjera historike dhe me shumë mangësi e boshllëqe të tjera, ai vetëm sa i thellon duke i tekstualizuar një mori të dhënash gjysmake dhe tekstesh joprofesionale për masakrat në Kosovë të kryera gjatë viteve 1998-’99 dhe për historinë e gjatë të konfliktit shqiptaro-serb.

Sa i takon njoftimit publik që të gjitha paratë e grumbulluara nga shitja e këtij libri do të përdoren për ndërtimin e një faqeje online për masakrat në Kosovë, ky është kulmi i joseriozitetit të tërë këtij projekti. Për të krijuar një përfytyrim për këtë, mjafton të shkoqisim një postim nga Facebooku në faqen e organizatës “Admovere” që edhe e ka botuar këtë libër, i bërë më 20 prill 2023, kur libri ende po shkruhej, e ku thuhej: “Ndihmë për informata për masakrat në Fushë Kosovë, 26 mars ’99 dhe 1 prill ‘99”. Hulumtimi dhe studimi i masakrave të kryera në Kosovë nuk mund të bëhet mbi baza vullnetare dhe të rastësive të postimeve online, sepse kjo nuk mund të jetë serioze dhe as metodologji shkencore. Sidoqoftë, përtej publicitetit që i është bërë këtij libri dhe shitjeve apo shpërndarjes që mund të ketë ai, në literaturën aq të gjerë të botimeve për luftën në Kosovë, ai do të stivoset mes plot librash të tjerë të konceptuar keq, të shkruar dhe të kuruar dobët, si dhe joserioz.

Autori është historian në Universitetin e Prishtinës