Si ishte e mundur që në qershorin e vitit 2013, deputetët e Kuvendit të Kosovës e amnistuan Serbinë për të gjitha ato vrasje, djegie, dhunime e shkatërrime të të mirave jetësore të shqiptarëve në Kosovë, duke aprovuar ligjin i cili kishte të bënte me faljen e krimeve që i kishin bërë serbët. Sot pyesim, si ishte e mundur, nesër brezat e komunitetit tonë (natyrisht do të duhej edhe historia) të rrëfejnë me indinjatë të thellë mbi deputetët të cilët, sikur të ishin në agoni, pranuan ligjin e sajuar për t’ia falur Serbisë të gjitha krimet e bëra mbi shqiptarët e Kosovës gjatë luftës së fundit, më 1999. Kjo sa është e pabesueshme, po aq e tmerrshme; është një veprim armiqësor ndaj të gjitha familjeve të të vrarëve e të masakruarve
Ndodhi në qershor të 2013-s, në Sallën e Kuvendit të Kosovës, me ngritje gishtash (përveç refuzimit të deputetëve të Vetëvendosjes) qe miratuar Ligji për amnisti (falje) të krimeve serbe në Kosovë. Një ligj aq i pakuptimtë, aq ofendues, por ja se deputetët e zgjedhur, siç thuhet, nga populli, sikur të ishin të përgjumur, sikur kishin harruar se çfarë kishte ndodhur në Kosovë, janë bërë vasalë të kryetarëve të tyre partiakë dhe, ashtu siç kanë urdhëruar për ngritje të gishtave, kanë vepruar duke u bërë, njëherësh, bashkëveprues në krime. Aprovimi i këtij ligji (famëkeq) na bën të kuptojmë se shumë nga deputetët janë të përgjumur, as që analizojnë situatat e rrumbullakuara me ligje të posaçme, por ia shikojnë sytë eprorëve të tyre, domethënë kryetarëve partiakë dhe pranojnë propozimet e tyre edhe kur ato janë aq idiotike e me pasoja për Kosovën tonë. Pas aprovimit të një ligji të tillë, ne bashkëkohësit mund t’ua falim shpirtvogëlsinë, naivitetin apo thënë troç – budallakinë e tyre, por historia nuk do t’ua falë. Kjo është e sigurt, por të tillët nuk çajnë kokën për histori, mendjen e kanë vetëm te tavolina ku duhet të nënshkruhen për mëditje...
Si ndodhi amnistia për aq shumë të vrarë nga urrejtja serbe, si e kanë ndier veten nënat, baballarët, miqtë dhe të njohurit e të vrarëve, kur kanë marrë vesh për vrasje masive dhe për masakrat në mënyrën më bizare të ndodhura në Kosovë. U bënë shumë masakra të njerëzve vetëm pse ishin shqiptarë; vrasje me gjakftohtësi të bëra nga kriminelët serbë, nga ushtarakët e tyre, nga paraushtarakët (kriminelë të udhëhequr nga ish të burgosur) të cilët kanë arritur në Kosovë të prirë nga mllefi shekullor kundër shqiptarëve që asgjë tjetër nuk kanë kërkuar pos të jetojnë të lirë me fëmijët e tyre në tokat e tyre stërgjyshore... Asgjë më tepër nuk kanë kërkuar. Ata erdhën, vranë dhe shkatërruan e dogjën shtëpitë e shqiptarëve dhe, para djegieve, i vodhën të gjitha të mirat jetësore që i kishin shqiptarët dhe i bartën në Serbi... (në ekranin TV shihej serbi duke dalë nga shtëpia e shqiptarit duke bartur televizorin e vjedhur).
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoJanë dëshmitë e shumta të krimeve, jo vetëm ato individuale të kufomave të humbura, të djegura ose të lëshuara në varre masive, por sidomos vrasjet kolektive, siç ishin në Likoshan dhe Qirez, Prekaz (afër 60 vetë), Reçak (45 të vrarë), Krushë të Madhe, (90-100 të vrarë) Bellacërk (62 të vrarë), Suharekë (48), Izbicë (93), Podujevë (14), Pustasellë (106), Razallë (80), nga bombardimi i Gjakovës (73 të vrarë) në Sllavi (35-44 të vrarë), në Poklek (47 të vrarë), Qikatovë (24), në Meje (300 civilë), në Vushtrri (120 të vrarë), në Korishë (87), në Qyshk (42), në Dubravë (79-82) në Tusus (27 të vrarë) e të tjera. Mandej, duhet të bëhet me dije se shumë janë vrarë edhe pas përfundimit të luftës.. Për shembull, në shkurt të vitit 2000 në Mitrovicë u vranë 10 shqiptarë dhe u plagosën qindra të tjerë. Të ashtuquajturit “Roja të urës” ishin vrasës të shqiptarëve me qëllim të largimit të tyre nga pjesa e veriut e qytetit. Në Poklek, bie fjala, dy serbë të armatosur deri në dhëmbë, 47 veta i vrasin në një dhomë duke ua hedhur fillimisht një bombë e pastaj me automatik. Me atë rast e vranë edhe poetin Ymer Ellshani me katër djem, nënën dhe gruan... Të na kujtohet edhe vrasja e avokatit Bajram Kelmendi me dy djemtë, ose vrasjet e shkrimtarit Latif Berisha dhe profesorit Fehmi Agani e shumë të tjerë.

Të gjitha këto vrasje, me atë ligj famëkeq të aprovuar me ngritje gishtash në Kuvendin e Kosovës, i falen Serbisë. Të themi se, edhe andartët grekë, bënë aq shumë vrasje të shqiptarëve në pjesën jugore të Shqipërisë, ndërkaq dëshmitarja e atyre masakrave të atjeshme, humanistja zëmadhe Edi Durham kur shpreh dëshminë për gjitha ato vrasje e masakra të grekëve ndaj shqiptarëve, shkruante: “...nuk mund të besoj atë që kam parë. Më duket sikur jam në një ëndërr të keqe, dhe grekët, sikur edhe një shekull të tërë të bënin pendesë, nuk mund t’i shlyejnë krimet dhe urrejtjet që kanë bërë ndaj shqiptarëve...” Kurse Kuvendi i Kosovës, jo pas njëqind vjetëve, veç pas trembëdhjetë vjetësh ka bërë ratifikimin e Ligjit për falje të krimeve.
E pse ka ndodhur kjo? Sepse (sigurisht) ka qenë marrë një garanci prej Serbisë se do ta njihte Kosovën, sepse kjo ndodhi pas bisedimeve mes krerëve të qeverisë së Kosovës dhe Serbisë, sepse ende nuk jemi të bindur se Serbia gjithmonë gënjen, se ajo (sipas dëshmisë së Sonja Biserkos dhe Vuk Drashkoviqit, ka vrarë serbët e vet për t’ua lënë shqiptarëve, se ka vrarë edhe shqiptarë bashkëpunëtorë të policisë serbe (domethënë spiunë shqiptarë) për t’ua lënë fajin UÇK-së, e të tjera.
Shumë njerëz mendojnë se vrasjet masive janë të pafalshme, sepse dëmtojnë në mënyrë të pakthyeshme jetë të pafajshme dhe shoqërinë në tërësi. Edhe nëse dikush shpreh pendesë, pesha morale e asaj që ka bërë mbetet enorme. Sipas logjikës që del nga juridiku, edhe nëse një person “falet” nga individë apo familje viktimash, drejtësia penale nuk e fal krimin. Shoqëria ka detyrim të mbrojë jetën dhe të vendosë përgjegjësi nëse ajo mbrojtje anashkalon ose bëhet e shurdhë, njësoj si deputetët e Kuvendit të Kosovës. Kjo çështje e vrasjeve individuale apo masive definohet edhe në traditat fetare. Në disa tradita fetare falja është e mundur vetëm nga Zoti, jo nga njerëzit dhe zakonisht kërkon pendesë të thellë dhe të sinqertë.
A kërkuan falje ndonjëherë serbët, a shprehën pendesë edhe nëse ndonjë nga vrasjet ose masakrat është bërë nga individë (serbë) të pandërgjegjshëm. Derisa ndodh kështu, domethënë nuk ka falje nga Serbia për vrasjet, atëherë kuptohet se gjithë ajo tragjedi që u ndodhi shqiptarëve ishte e programuar shtetërisht nga ana e Serbisë së cilës, për ironi, shqiptarët ia falën edhe me Ligj që u ratifikua nga deputetët në mesin e të cilëve ka edhe aq shumë emra të cilëve u besohej se kanë ndjenja ndaj kombëtares.
Për disa viktima ose familjarë, falja (jo harresa) mund të jetë një mënyrë për të çliruar veten nga urrejtja, jo për të justifikuar krimin. Të tjerët nuk munden dhe kjo është po aq e vlefshme për të mos i dhënë të drejtë amnistisë përmes Ligjit të posaçëm për falje. Mund të flitet për falje personale ose shpirtërore, por nuk ka justifikim moral apo shoqëror për vrasje masive dhe, duhet të kuptohet, përgjegjësia nuk zhduket kurrë. Me fenomenin e faljes (amnistisë) janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen shumë debate edhe teorike, por në asnjë debat nuk pohohet se falja (shoqërore) duhet të ndodhë. Nëse shëtisim në mendimet e filozofëve, fjala vjen, shihet se ata në vlerësimet e tyre nuk anojnë nga falja. Për Kantin, për shembull, vrasjet masive janë shkelje absolute e dinjitetit njerëzor. Ato vendosen përtej faljes morale, sepse falja do të nënkuptonte relativizim të së keqes. Ndërkaq Hannah Arendt kur flet për “të keqen radikale”: disa akte e shkatërrojnë vetë hapësirën morale ku falja ka kuptim, kurse mos-falja është akt moral, jo hakmarrje. Nga ana tjetër, Derrida, thotë se nëse falja kushtëzohet nga pendesa, dënimi apo shpjegimi, ajo bëhet kontratë morale, jo falje. Kurse shoqëria, thotë ai (në rastin konkret Kuvendi I Kosovës) nuk mund të falë: vetëm viktima, nëse do – mundet. Në këtë drejtim mund të vihet në konkludim se disa krime janë aq ekstreme sa falja do të ishte imorale, sepse do ta fshinte kujtesën dhe do të tradhtonte viktimat.
Ai Ligj i miratuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës është imoral dhe me keqardhje nga viktimat dhe familjarët e tyre. Sipas konkludimeve të këtij gjykimi: nuk mund të ketë falje universale për vrasje masive: falja mund të jetë akt strikt vetjak, jo normë shoqërore. Si përfundim mund të thuhet se vrasjet masive janë në kufirin ku filozofia heziton të flasë për falje, sepse rrezikon të flasë kundër njerëzores.