Shtojca për Kulturë

Prishtina e vrarë bashkë me arkitektin dhe ëndrrën e tij

“Prishtina – vrasja e paralajmëruar e një ëndrre” sjell kaosin e kryeqytetit tani duke u kthyer dekada prapa kur kryeqyteti “humbi shpirtin”  (Foto: Noar Krasniqi)

Duke lidhur dy kohë, “Prishtina – vrasja e paralajmëruar e një ëndrre” sjell kaosin e kryeqytetit tani duke u kthyer dekada prapa kur kryeqyteti “humbi shpirtin” me vrasjen e Rexhep Lucit (Foto: Noar Krasniqi)

Është shfaqja për vrasjen e arkitektit e të qytetit. Përgjigjet e rrethanave se si e çfarë, gjenden në imazhin e kryeqytetit sot. “Prishtina – vrasja e paralajmëruar e një ëndrre” me tekst të Jeton Nezirajt nën regji të Blerta Nezirajt, nuk është vetëm homazh për arkitektin Rexhep Luci. Është alarm se si një qyteti iu vra arkitekti e bashkë me të edhe ëndrra e tij në qytetin të cilit i është vrarë shpirti. Dëshmitë: ngrehinat që çojnë krye përditë, thirrja e kahershme e arkitektit se njerëzit do të jetojnë si minjtë midis pisllëkut, dorëzimi përballë mafisë së ndërtimit dhe heshtja përballë një realiteti të paralajmëruar

Pasluftë. Prishtinë. Qyteti është nën kërcënim të vazhdueshëm nga ndërtuesit e fuqishëm. Rregullat urbanistike shpërfillen, betoni derdhet ditë e natë pa pushim dhe hapësira publike zvogëlohet secilën herë më shumë. Shfaqja “Prishtina – vrasja e paralajmëruar e një ëndrre” me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Blerta Neziraj, vjen si rrëfim i fuqishëm dhe i guximshëm për të kundërshtuar politikat urbanistike. Duke lidhur dy kohë, sjell kaosin e kryeqytetit tani duke u kthyer dekada prapa kur kryeqyteti “humbi shpirtin” me vrasjen e Rexhep Lucit, për të cilin shfaqja është edhe një lloj homazhi.

Mafia e ndërtimit dhe paralele në “Prishtinën e përjetimeve”

Dashuria për qytetin e tij, reflekton në vënien në shërbim të profesionit prej arkitekti në projektues të Prishtinës. Rexhep Luci qe arkitekti i brezit të parë. Në shfaqjen “Prishtina”, aktori Armend Smajli e sjell figurën e tij me gjithë përpjekjet e rezistencën e pashembullt përkundër kërcënimeve të cilat çuan deri në vrasjen e tij në mbrojtje të kryeqytetit nga ajo që shfaqja i referohet si “mafia e ndërtimit”. Qe 11 shtatori i vitit 2000 kur Rexhep Luci do të vritej në hyrje të banesës së tij në Prishtinë. Vrasësit – ende të panjohur.

Skena hapet me Smajlin si Rexhep Luci që vështron planin arkitektonik urbanistik derisa publiku ende është duke u rehatuar në vendet e tyre. I pari rrëfim është historia e jetës së Rexhep Lucit, tentativat e këmbëngulja për plan urbanistik që çoi fillimisht deri në largimin e tij nga puna – nga pushimi i pozitës së tij si udhëheqës i asaj që quhej “Bashkësi Vetëqeverisë e Interesit” midis viteve ’70 dhe ’80, që ishte e angazhuar për mbikëqyrjen e gjithë ndërtimeve në kryeqytet. 

Në kohën kur ai e shtynte përmbajtjen e rregullave të përpikta të ndërtimit urban, u punësua në udhëheqje të Entit për Planifikim Urban e pozitën e tij paraprake e kishte marrë një udhëheqës serb. 
Arkitekti, emrin e të cilit e mban njëra nga rrugët kryesore të Prishtinës, kishte qenë i persekutuar tërë kohën nga sistemi serb. E në shfaqje edhe si i përndjekur nga pronarët e kompanive të ndërtimit. 
Aktori Shpëtim Selmani si Pierre, administrator francez i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, me ardhjen e tij deklarohet i pathyeshëm ndaj kriminalitetit e korrupsionit. Ndërkohë, një qendër tregtare e quajtur “Prishtina e përjetimeve” tingëllon si parodi ndaj sloganit të tanishëm të Komunës së Prishtinës. 

Një plan urbanistik i propozuar nga arkitekti has në miratim sipërfaqësor ndonëse kërkohet të vendoset për miratim në Kuvend Komunal.

Armend Smajli në rolin e Rexhep Lucit në shfaqjen “Prishtina – vrasja e paralajmëruar e një ëndrre” (Foto: Noar Krasniqi)

“Eksperti” i huaj dhe korruptimi i zërave protestues

Në shfaqje, ndërtuesit janë armiq të qytetit. Konfliktet midis Pierre dhe arkitektit nisin kur botëkuptimet e tyre përplasen. I pari është pro parqeve, tjetri pro ndërtimeve. 

Aktori Afrim Muçaj luan si Shabani, një udhëheqës i sindikatave të punëtorëve që përkrah arkitektin në vizionin e tij e ngrihet edhe në mbrojtje të të drejtave të punëtorëve. Ai është shpirti ideal luftarak për të drejtat e punëtorëve që pak shihen sot. Por jo më larg se derisa i ofrohet një banesë. Fillimisht synon të rezistojë ndaj parimeve të tij, por përfundimisht bie. 

Aktori Muçaj ka thënë se në shfaqje ai portretizon ata që paslufte organizonin protesta në të mirë të qytetit e më pas janë korruptuar dhe janë bërë pjesë e këtij klani. 

“Jam shumë i lumtur që kam qenë pjesë e këtij produksioni, kësaj ekipe. Është një proces që ka zgjatur më shumë se një muaj e gjysmë. Kemi kaluar shumë mirë dhe uroj që të ketë reflektuar te publiku. Roli im është një kryetar i sindikatave që në kohën e pasluftës menjëherë janë bërë disa protesta për të mirën e qytetit. Mandej janë korruptuar dhe kanë përfunduar duke u bërë pjesë e shantazheve dhe gjërave të tjera që nuk ka qenë shumë e dinjitetshme”, ka thënë aktori Muçaj. 

Ka theksuar misionin e teatrit për të vënë në skenë problematikat e shoqërisë si ajo e ndërtimeve masive në kryeqytet. 

“Teatri dhe vetë ne e kemi përgjegjësi ta plasojmë çdo problematikë të shoqërisë, t’ua vëmë para syve, sidomos njerëzve që shkaktojnë ato parregullsi. Jetoni, dramaturgu ka bërë punë të jashtëzakonshme, sikurse edhe Blerta. Detyra jonë është ta bëjmë publikun të reflektojë mbi gjendjen që na shqetëson secilit”, është shprehur Muçaj më tej.

Në shfaqje vihet në pah injoranca e qytetarëve ndaj planifikimit urban të kryeqytetit derisa arkitektit të gjithë ia kthejnë shpinën, e përbuzin (Foto: Noar Krasniqi)

Qytetarët – minj midis pisllëkut

Në media situata shfaqet krejt tjetër nga realiteti. Të gjithë janë të ndikuar në mbështetje të degradimit. Vihet në pah injoranca e qytetarëve ndaj planifikimit urban të kryeqytetit derisa arkitektit të gjithë ia kthejnë shpinën, e përbuzin. Dhe krejt çfarë ai thotë është e pakuptimtë. Është i vetmi që e do kryeqytetin dhe askush tjetër s’e do sipas tij. 

Ai shprehet se Prishtina po shkon drejt një vendi ku nuk do të ketë erë pranvere, as vend për lule. Se njerëzit do të jetojnë si minjtë, midis pisllëkut. Duke u pajtuar me fatin e tij, thotë se do të jetojnë pa dashurinë për qytetin. Në një fjalim të fuqishëm ku i drejtohet publikut, thotë se ata janë minjtë e ardhshëm. Fjalimin e tij të fuqishëm e pason një përleshje e ashpër fizike midis tij, Pierre, Shabanit dhe Metit, rol që e luan aktori Kushtrim Qerimi. 

Meti, pronar i një kompanie ndërtimore, e vret arkitektin. E shfaqja që përpos anës artistike ka edhe pjesën e informimit të publikut me këtë histori, bën të ditur se vëllai i arkitektit Luci, arkeologu Kemajl Luci, nuk është thirrur kurrë në intervistë. Arkeologu i shquar, ka qenë në publik. Nuk ka pranuar të flasë për shfaqjen. 

Në 11 shtatorin e vitit 2000 kur vizionari i Prishtinës do të qëllohej me gjashtë plumba pas shpine derisa po kthehej në banesën e tij në Prishtinë. Vrasja e arkitektit Rexhep Luci vlerësohet si pasojë e kundërshtimit që bënte ndaj ndërtimeve ilegale në Prishtinën e pasluftës. Dyshohet se vrasja e tij ishte planifikuar shumë kohë më parë. Kur u vra kishte qenë 58 vjeç.

Për vrasjen e Rexhep Lucit kishte shkruar edhe prestigjiozja “The Guardian”. “Detyrat e Lucit përfshinin nënshkrimin e urdhrave për prishjen e ndërtesave të paligjshme. Në kohën e vrasjes së tij, departamenti ishte në proces të prishjes së një kompleksi hotelesh. Kolegët thanë se Luci ishte kërcënuar dy herë në dhjetë ditët e fundit”, raportonte “The Guardian”. E kjo pjesë është përfshirë edhe në shfaqjen “Prishtina”. 

“Qyteti u vra me vrasjen e Rexhep Lucit”, thuhet në shfaqje.

Pjesë e shfaqjes janë edhe rrëfimet që ngjajnë si histori personale të aktorëve. Kostumet e shfaqjes i ka punuar Njomza Luci, e bija e arkitektit të ndjerë (Foto: Noar Krasniqi)

Zanafilla e kaosit dhe ngufatjes

Dramaturgu Jeton Neziraj ka thënë se shfaqja ka dimension artistik, por edhe atë njerëzor. Se komunikon në mënyrë të sinqertë me publikun për problematikën që sot preokupon. 

“Shfaqja i ka dy nivele, një lloj prerje të Prishtinës së periudhës së pasluftës, kaosit të asaj kohe dhe mbi të gjitha flet për Prishtinën sot. Për pasojat e atij kaosi, atyre vendimeve, pasojat edhe të vrasjes së Rexhep Lucit. E thonë edhe aktorët që ka qenë një lloj dige e cila kur është larguar, ka vërshuar shkatërrimi dhe kjo që e kemi sot në Prishtinë e në Kosovë”, ka thënë Neziraj. 

Ka përmendur se drama është një lloj versioni i ri i shfaqjes me tekst të tij “Pesë stinët e armikut të popullit” dhënë premierë më 24 shtator të vitit 2019 në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Të gjithë aktorët që luajnë në këtë shfaqje janë pjesë e shfaqjes së dhënë premierë të premten mbrëma në teatrin “Oda”. 

Kjo dramë është shkruar para gjashtë e shtatë vjetëve me një titull tjetër, me një materie dramaturgjike që ka bazë edhe kjo dramë, por që ka qenë krejt ndryshe, një alegori politike për Prishtinën e pasluftës, për arkitektin. 

“Më shumë ka rezonuar e korresponduar me dramën e Ibsenit – ‘Armiku i popullit’. Ndërsa tash kemi konsideruar që duhet të flasim për Prishtinën sot, por duke iu referuar asaj periudhe të pasluftës, duke e marrë si shkak vrasjen e Rexhep Lucit”, ka shpjeguar dramaturgu Neziraj në fund të shfaqjes. 
Për ta përforcuar tezën se kryeqyteti po ngulfatet secilën herë më shumë e kaosi po bëhet përherë më intensiv, shfaqja përfshin edhe të dhëna nga hulumtimet e “Atlas Institute” mbi gjendjen e Prishtinës si shkalla e ndotjes së ajrit, zvogëlimi i hapësirave publike dhe jo vetëm. 

“Dramaturgu Jeton Neziraj na ka ftuar si ‘Atlas Institute’ për të ofruar të dhëna sa i përket çështjes mjedisore dhe të ndërtimeve në Komunën  e Prishtinës. Pjesa jonë ka qenë ofrimi i të dhënave konkrete se çfarë ka ndodhur dy dekada e gjysmë pas vrasjes së Rexhep Lucit dhe zhvillimet që kanë ndodhur në Prishtinë sa i përket ndotjes, ndërtimeve ilegale, zvogëlimit të hapësirave publike, ndotjes, ndikimit që ka te të moshuarit e te fëmijët. Këto janë përfshirë në shfaqje për të treguar gjendjen jo të mirë të qytetit”, ka thënë Agron Demi, drejtor i “Atlas Institute”. 

Pjesë e shfaqjes janë edhe rrëfimet që ngjajnë si histori personale të aktorëve. Kostumet e shfaqjes i ka punuar Njomza Luci, e bija e arkitektit të ndjerë. Në një shfaqje që i kursehet patetikës në maksimum, sikurse edhe skenave ku shfaqet dhembshuri, kjo ndjenjë vjen përfundimisht kur aktori Kushtrim Qerimi, në një rrëfim të sinqertë, shprehet se roli i tij në shfaqjen ku vret arkitektin, ka qenë më i sikletshmi ndonjëherë për të.

Shfaqja është një lloj diptiku midis Prishtinës së periudhës së pasluftës, kaosit të asaj kohe por mbi të gjitha flet për Prishtinën e sotme (Foto: Noar Krasniqi) 

E sotmja në një qytetet pa shpirt

E si Njomza, vajza e Rexhep Lucit, luan aktorja Verona Koxha. Një skenë ëndrre në fund, me skenografi përrallore të punuar nga Alice Vanini e video të Besim Ugzmajlit, çon në botën e përtejme ku ajo takohet me babanë. Duke e ëndërruar një univers ideal që nuk ekziston, ky i fundit gjen kurajë të pyesë për qytetin. E ajo gjendjen e kryeqytetit e përshkruan me atë që është sot: sesi njerëzit e karrocat që bartin fëmijët nuk kanë vende më në trotuare. 

Regjisori Fadil Hysaj ka thënë se rikthimi i kësaj teme në këtë kohë me shfaqje teatri ka shumë vlerë dhe është akt shumë i guximshëm. 

“Zhvillimi i kryeqytetit ka kaluar në situata traumatike. Prej vrasjes së Rexhep Lucit këtij qyteti i është vrarë shpirti, i është vrarë frymëmarrja dhe sot, prej atij vrapi galopik të ndërtimeve e që natën është e tmerrshme të shohësh se nuk ka njerëz, vetëm blejnë banesa dhe nuk jetojnë aty. Unë nuk kam arritur ende ta kuptoj se çfarë është kjo epidemi e ndërtimit dhe pasionit për të blerë një banesë në qytetin që faktikisht e ka humbur shpirtin dhe që është shumë e vështirë t’i kthehet shpirti që është marrë bashkë me njeriun që i ka dhënë identitet këtij qyteti”, ka thënë Hysaj. 

Sipas tij sot nuk ka as guxim e as dëshirë të flitet për këtë çështje. 

“Çdo përpjekje për t’ia kthyer shpirtin qytetit has në rezistencë, edhe kur është një arkitekt kryetar i këtij qyteti”, ka thënë Hysaj. 

Shfaqja do ta shpalosë rrëfimin në Austri, Belgjikë e Holandë në vitin e ardhshëm. Të paktën këto janë vendet që dihen për rrugëtimin e saj. Muzikën e ka krijuar kompozitori Tomor Kuçi ndërsa koreografinë Gjergj Prevazi. Asistent regjie është Gëzim Hasani ndërsa drejtoreshë arti Aurela Kadriu e ndriçimi nga Mursel Bekteshi. 

Vështrimet admiruese të planit të Prishtinës në miniaturë, përcjellë nga pamjet arkivore të Prishtinës së shekullit të kaluar, janë mbyllja artistike e shfaqjes “Prishtina – vrasja e paralajmëruar e një ëndrre”. 

Është shfaqja për vrasjen e arkitektit e të qytetit. Përgjigjet e rrethanave se si e çfarë, gjenden në imazhin e kryeqytetit sot.