Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

“Shtëpi” hap dyert për treshen e radhës në Paris

“Cité internationale des arts”

E themeluar në vitin 1965, “Cité internationale des arts” është një nga programet më të rëndësishme të rezidencave artistike në Francë. E vendosur në zemër të Parisit, ajo mbledh së bashku artistë dhe profesionistë të kulturës nga e gjithë bota

Programet e rezidencave artistike janë një lloj praktike e shpeshtë në fushën e artit kohëve të fundit. “Shtëpi” titullohet ajo e “Cité internationale des arts” në Paris me Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe u ofron krijuesve jo vetëm hapësirë pune dhe reflektimi në një nga qendrat më të rëndësishme kulturore të botës, por edhe mundësinë për t’u përfshirë në një rrjet global artistësh, kuratorësh dhe institucionesh kulturore. Përderisa tre artistë tashmë kanë “bërë shtëpi” në “Cité...”, është hapur thirrja për treshen e radhës

Derisa tre artistë të rinj të Kosovës aktualisht janë në Paris në rezidencën artistike “Shtëpi” në “Cité internationale des arts” në Paris, thirrja për mundësinë e artë për të zhvilluar shkathtësitë artistike edhe për tre të tjerë, është hapur. Rezidenca, që vjen me edicionin e dytë në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Kosovës, konsiderohet si hap i rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit të artistëve nga Kosova e të vetë skenës artistike.

Programet e rezidencave artistike janë një lloj praktike e shpeshtë në fushën e artit kohëve të fundit. “Cité...” e GKK-së u ofron krijuesve jo vetëm hapësirë pune dhe reflektimi në një nga qendrat më të rëndësishme kulturore të botës, por edhe mundësinë për t’u përfshirë në një rrjet global artistësh, kuratorësh dhe institucionesh kulturore. Përmes kësaj eksperience, artistët kanë rastin të zhvillojnë më tej praktikën e tyre, të eksperimentojnë me forma të reja shprehjeje dhe të krijojnë dialog ndërkulturor.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Edicioni i dytë vjen si vazhdimësi e suksesit të rezidencës së kaluar e cila ende nuk ka mbyllur aktivitetet. Vazhdojnë deri më 5 maj. Si një dëshmi e përkushtimit institucional për të mbështetur artistët vendas ka vazhduar edhe sivjet, me qëllimin për të qenë tradicionale edhe ishte nisur.  

“Ky është edicioni i dytë i partneritetit me Cité internationale des arts për programin e rezidencës ‘Shtëpi’, përmes të cilit Galeria Kombëtare e Kosovës vazhdon të zhvillojë rolin e saj si një kontekst aktiv për krijim dhe shkëmbim”, ka thënë kuratorja e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Hana Halilaj.

Ka theksuar se edicioni i parë është ende në proces.

“Në edicionin e parë, mbështetëm prodhimin e veprave të reja dhe prezantimin e tyre në një ekspozitë grupore me laureatët Kreshnik Arifi, Renea Begolli dhe Lumurie Krasniqi, të cilët aktualisht janë në rezidencë në Paris deri në fillim të muajit maj”, ka thënë Halilaj.

Sipas saj, “kjo nismë mbetet një mundësi e rëndësishme për të kontekstualizuar artistët kosovarë brenda një rrjeti më të gjerë të praktikave bashkëkohore ndërkombëtare”.

Thirrja për aplikime është hapur të premten dhe e tillë qëndron deri më 15 maj ndërsa rezultatet do të shpallen në korrik. Rezidenca parashihet të mbahet prej 3 shtatorit deri më 27 nëntor.

Te kriteret, kërkohet që aplikuesit të jenë shtetas të Kosovës që jetojnë dhe punojnë në vend, të kenë praktikë artistike aktive në fushat e arteve pamore, të kenë të paktën tre vjet përvojë pune profesionale dhe të njohin njërën nga gjuhët: anglisht ose frëngjisht.

Aplikimet do të shqyrtohen nga një komision përzgjedhës i përbërë nga përfaqësues të Galerisë Kombëtare të Kosovës, “Cité internationale des arts” dhe ekspertë të ftuar.

Tre të përzgjedhurit fillimisht do të shfaqin një ekspozitë me punët e tyre në Galerinë Kombëtare të Kosovës, e cila i paraprin rezidencës. Ekspozita do të kurohet nga Hana Halilaj. Ky bashkëpunim është për tre vjet por Galeria synon që ky partneritet të vazhdojë edhe më gjatë.

Siç bëhet e ditur nga GKK-ja, partneriteti me “Cité internationale des arts”, institucion me të cilin mundësohet programi i rezidencës, synon të mbështesë shkëmbimet ndërkombëtare të artistëve me bazë në Kosovë, të zgjerojë rrjetet e tyre profesionale dhe artistike, si dhe të zhvillojnë tutje praktikat e tyre përmes mbështetjes për prodhim të veprave.

E themeluar në vitin 1965, “Cité...” është një nga programet më të rëndësishme të rezidencave artistike në Francë. E vendosur në zemër të Parisit, ajo mbledh së bashku artistë dhe profesionistë të kulturës nga e gjithë bota, duke u ofruar hapësirë dhe burime për të zhvilluar projekte krijuese ose për të ndjekur kërkime në të gjitha disiplinat artistike.

“’Cité internationale des arts’ nxit një mjedis që inkurajon eksperimentimin, dialogun dhe bashkëpunimin. Rezidencat, të cilat zgjasin nga dy muaj deri në një vit, u ofrojnë artistëve mbështetje të personalizuar nga ekipi i përkushtuar i institucionit dhe mundësi për t’u lidhur me një rrjet të gjerë profesionistësh kulturorë”, shkruhet për institucionin.

Aktualisht në rezidencën e edicionit të parë janë Renea Begolli, Kreshnik Arifi dhe Lumturie Krasniqi. Në dhjetor u hap ekspozita me punën e tre artistëve laureatë të edicionit të parë të programit të GKK-së.

“Kënga e parë” e artistit Arifi si projekt audio-vizual sjell tingujt e pastrukturuar të Luleradhiqes dhe ninullës në një peizazh livadhi ku përplasen këta tinguj.

“Takohemi në fushën e luleve të çrregulluara (glitching)” ishte titulli i veprës së Renea Begollit. Instalacioni me video, pikturë e skulpturë fragmentonte peizazhet duke sjellë lule nëpërmjet materialeve të reja dhe të ricikluara.

Ndërsa si konstelacion i formave të përsëritura, por kurrë identike, ishte definicioni i pikturave të Lumturie Krasniqit me titull “Existence Misplaced”.

Rezidenca në “Cité internationale des arts” nuk është vetëm një mundësi individuale, por edhe investim në kulturën e vendit.