Shtojca për Kulturë

“Toka e babës” për një autenticitet tipik shqiptar

Toka e babës - Binak Kelmendi

Konflikt e mospajtim deri në vrasje e përpjekje për vrasje është edhe “Toka e babës” i autores laureate e çmimit letrar “Rexhai Surroi” të Grupit KOHA për vitin 2024 (Foto: Driton Paçarada)

Duke qenë juriste me profesion, Jetlira Avdiaj në romanin “Toka e babës” – Botimet KOHA, Prishtinë 2025 – arrin të krijojë skena e skema letrare që ndonjëherë mund të duken shumë të ngjashme me faqe romanesh kriminalistike, por që në këtë roman gjithmonë kanë një autenticitet tipik shqiptar: dëshira, lakmia dhe sidomos përpjekja për t’u hequr nga pjesa e hisesë në trashëgimi ndonjëri nga pjesëtarët e familjes. Në rastin e shqyrtimit të këtij romani, nga toka

Librin “Toka e babës”, unë e quaj roman klasik të Letërsisë sonë. Këtë roman e ka shkruar një e re, tashmë pothuaj me përvojë shkrimtareje. Mendoj të jetë roman klasik, për shkak se e gjithë ngjarja ka një bosht dhe një linjë kryesore të zhvillimit, rreth të cilit dhe përmes të cilave shtjellohen edhe ide të tjera sporadike që e përplotësojnë temën kryesore të romanit.

Është klasik, sepse personazhi kryesor mban në duar penjtë e të gjitha zhvillimeve të ngjarjeve që trajton romani.

Është klasik për shkak se që në fillim të romanit vërehet qartë se cili është ky kryepersonazh – Platori – që fillon zbulimet dhe i përfundon ato në mënyrën që ai ose autorja e romanit i dëshiron.

Dhe është klasik po ashtu për shkak se romani trajton një temë, për mua edhe ajo shumë klasike, madje do të thosha edhe shumë antike, tokën, problemet e saj, telashet që nxjerr ajo, temë që është e vjetër pothuaj sa vetë toka.

Duke e qenë e tillë, ajo, toka pra, ka shkaktuar e ka nxitur gjithmonë konflikte, vrasje, hakmarrje e gjakmarrje, kudo në botë. Natyrisht dhe ndoshta më së shumti te shqiptarët. Me pushtues të ndryshëm të tokave të tyre, por edhe shqiptarë me shqiptarë rreth tokave të kontestuara.

Dhe kur këto konflikte, vrasje, hakmarrje e gjakmarrje bëhen e zhvillohen e ndodhin edhe në rrethin e ngushtë familjar, atëherë nuk ka pse të mos thuhet se toka, krahas të mirave, sjell edhe tragjedi: vrasje dhe vdekje të përgjakshme. Dhe kjo sidomos në rastet kur janë bërë përpjekje, me hile ose dhe të dhunshme që dikush në familje të mbetet pa pjesën e tokës që e ka lënë ose ia ka lënë babai. Dhe këto raste, për fat jo të mirë, nuk janë të rralla në mesin dhe në realitetin tonë kohor.

Këtë temë e ka romani “Toka e babës”.

Në letërsinë shqipe ka disa romane që e kanë trajtuar këtë temë para Jetlira Avdiajt.

Natyrisht qasjet kanë qenë gjithmonë të ndryshme, sado që qëllimi duket të ketë qenë i njëjtë: zgjidhja e këtij problemi në mënyrën më të drejtë të mundshme dhe me arritje të konsiderueshme letrare. 

E, i tillë, konflikt e mospajtim deri në vrasje e përpjekje për vrasje është edhe “Toka e babës” i autores laureate e çmimit letrar “Rexhai Surroi” të Grupit KOHA për vitin 2024.

Autorja e re i qaset me shumë guxim temës shumë të vjetër njerëzore: trashëgimisë pronësore që në romanin e saj është toka, pra trashëgimi i saj nga pasardhësit, që te shqiptarët duket se ende mbetet një plagë e rëndë dhe për t’u shëruar.

Duke qenë juriste me profesion, pronarja e romanit, në këtë libër arrin të krijojë skena e skema letrare që ndonjëherë mund të duken shumë të ngjashme me faqe romanesh kriminalistike, por që në këtë roman gjithmonë kanë një autenticitet tipik shqiptar: dëshira, lakmia dhe sidomos përpjekja për t’u hequr nga pjesa e hisesë në trashëgimi ndonjëri nga pjesëtarët e familjes.

Në rastin e shqyrtimit të këtij romani, nga toka.  

Kështu, autorja gjatë tërë romanit lexuesin e lë me sy e vesh hapur se çfarë do të ndodhë në faqen pasuese të romanit, sidomos me kryepersonazhin që përballë ka armikun e vet jetësor: çuditërisht Nënën, e cila, ndoshta, mu për shkaqe trashëgimie, e ndoshta edhe për ndonjë shkak tjetër që vështirë të kuptohet, kishte hequr dorë nga i biri që nga lindja… e që në shumë situata të tjera, për të mos thënë në të gjitha, e ndihmojnë me fjalë e veprime edhe fëmijët e tjerë të saj.

Këta fëmijë i dalin në krah Nënës së pashpirt edhe në eliminimin fizik të burrit, përkatësisht babait të tyre, Antonit, zbulimin e vdekjes së të cilit, krahas luftës për të marrë trashëgiminë, që në fund të romanit edhe e mori të gjithën falë testamentit nga babai që se si gjendet, e zhvillon në mënyrë titanike kryeheroi.

Romani “Toka e babës” nuk ka vetëm konflikt trashëgimie. Ai ka edhe konflikt dashurie. Madje shumë dhe që nganjëherë t’i përkujton edhe konfliktet antike të dashurisë ose ato në veprat e autorëve klasikë të renesancës.

Edhe në këtë temë, në dashuri dhe në zënkat e grindjet rreth saj, Jetlira tregohet e lirë dhe e gjindshme: I zgjidh këto probleme, po i quaj kështu, në mënyrë të duhur: fitorja është sërish e kryepersonazhit.

Autorja në roman dëshmohet edhe stiliste dhe përshkruese e mirë e natyrës dhe e tipareve psikologjike të personazheve, një galeri e tërë, që defilojnë, të gdhendur, në këtë vepër letrare.

Për më shumë, lexojeni romanin.