Kishte synuar të studionte arkeologji, nuk pati mundësi, por arkeologjia u bë inspirim në artin e Valbona Zherkës. Skulptura mbeti në tentativë, por shpejt krijoi identitetin e saj, për t’u bërë unike në art, veçmas si pioniere në teknikën e tekstilit. Por në shprehje ka rezistencë. Aty tregon historitë e grave që s’e patën fatin të gjëllijnë në liri. Arti i saj i rezistencës gjen shprehje edhe te një rast kur në pritje që policia serbe ta nxirrte nga banesa, ndërhyri në pikturën e saj
Veprimtaria e artistes Valbona Zherka është etabluar ndër vite si një shpalosje e elementeve identitare të kulturës shqiptare, që në fokus kanë gruan shqiptare dhe rrethanat që ndikuan në pozitën e saj historikisht. Artistja e cila ka zgjedhur që të ndërtojë opusin e saj artistik mbi mediumin e tekstilit dhe pikturës, fillimet e saj në rrugëtimin me artin i shpalosi në një takim të afërt me publikun në Galerinë Kombëtare të Kosovës, si një rast i rrallë për ta parë atë në këtë format, pasi që, siç thotë dhe vetë, preferon që atë që ka për të thënë, ta thotë nëpërmjet artit. E fjalës i druhet.
Zherka, e cila është ndër emrat e parë të grave që u angazhuan me artin profesionalisht në Kosovë, inspirimin në krijimin e veprave artistike e gjeti fillimisht tek arkeologjia si një fushë e cila e intrigonte kaherë, por që dëshira për ta studiuar atë nuk iu bë realitet. Fati kishte rezervuar diçka tjetër për të.
“Si e re, arkeologjia më ka interesuar shumë dhe kam pasur dëshirë të studioj në Zagreb, por kanë qenë ato kohët e vështira dhe nuk m’u mundësua. Pastaj flitej që do të hapej në Kosovë Fakulteti i Arteve dhe si fillim u përcaktova në skulpturë pasi që arti aplikativ nuk ka qenë fare si degë. Më ka pëlqyer shumë prekja e materialit gjithmonë, por me kalimin e kohës edhe profesorët më thoshin që nuk je dhe aq e fuqishme sa të vazhdosh me skulpturën pasi që duhet forcë, dhe vazhdova me pikturën. Ka qenë privilegj i madh për ne si studentë në atë kohë, pasi që kemi pasur profesor të mrekullueshëm”, ka thënë Zherka në fillim të bisedës së moderuar nga koordinatorja e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Vlora Hajdini, paditen e së enjtes. Ka ndarë motivet parësore të përfshirjes së Zherkës në ekspozitën e fundit të GKK-së, “Ngjarja e një fijeje. Narrativat globale në tekstil” e hapur në fillim të muajit, me vepra të 16 artistëve vendorë e të huaj, kuruar prej gjermaneve Susanne Weiß dhe Inka Gressel. Vepra e Zherkës në këtë ekspozitë sjell në mendje punëdoret tradicionale që vendoseshin si dekore muri. “Rrugëtimi” është tapiceria e frymëzuar nga e kaluara, por edhe imagjinata e spekulimi utopik për të ardhmen. Por arti unik i saj, prej fundit të muajit të kaluar eksplorohet në ekspozitën e saj personale, “Shtegtime” në Galerinë e Ministrisë së Kulturës.

“Ne si Galeri merremi dhe me koleksionin e galerisë dhe shohim se çfarë i mungon koleksionit, kemi parë që ka mungesë të madhe të artisteve, të cilave si duket nuk u janë blerë punët për arsye të ndryshme. Por, që neve pastaj historikisht na ka kushtuar, sepse gruaja nuk është përmendur si artiste, ose shumë pak, sepse historia shkruhet duke u bazuar dhe në koleksionin e veprave që kemi”, ka thënë Hajdini.
Zherka, e cila përfundoi studimet për pikturë në Universitetin e Prishtinës në vitin 1977 në klasën e piktorit Muslim Mulliqi, vazhdoi studimet pasuniversitare për magjistraturë në Beograd, në klasën e Millosh Bajiqit, të cilat i kreu në vitet 1980. Ishte pikërisht shkollimi akademik që përcaktoi gjuhën e saj artistike dhe zgjedhjen e tapicerisë si medium artistik, pavarësisht se pikturës i qëndroi besnike.
Përgatitja e saj akademike i hapi rrugën që emri i saj të njihej në Kosovën e viteve ‘80, duke qenë pjesëmarrëse në shumë ekspozita dhe formacione artistike të njohura për kohën, si grupi i grave “Femrat krijuese” në vitin 1982, “Sallonet e Vjeshtës”, në ekspozitën e përhershme të galerisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në vitin 1978 dhe në ekspozita kolektive në Galerinë Kombëtare të Kosovës, katalogët e të cilave në bisedë janë ekspozuar në një tavolinë si rikujtime të veprimtarisë së saj.
Tematikat që Zherka ka trajtuar me tekstil dhe ngjyrat nëpër pikturë e tapiceri duket se janë orvatur gjithnjë rreth interpretimit të historisë së popullit shqiptar ndër shekuj, por kujdes i shtuar u ofrohet gruas dhe vështirësive në përmirësimin e pozicionit të saj në shoqëri.
“Si e vogël me nënën dhe shoqet e saj shpeshherë i kam shikuar duke punuar në veg teksa tregonin gjërat nëpër të cilat kanë kaluar, kështu që ajo ka mbetur diku në vetëdijen time dhe e kam përdorur në artin tim vazhdimisht. Unë kam pasur fatin të kem lirinë maksimale nga familja dhe rrethi, por përmes veprave të mia jam munduar t’i rrëfej historitë e grave të tjera të cilat janë ballafaquar me vështirësi të ndryshme gjatë jetës”, ka thënë Zherka.
Pavarësisht se kryesisht njihet me tapiceritë, piktura është pjesë integrale e identitetit të saj si artiste. Dhe atë e konsideron si medium më të lehtë krahas tapicerisë që kërkon më shumë mund dhe impenjim.
“Në pikturë kryesisht punoj me figura dhe u vendos diçka në kokë, edhe aty trajtoj rezistencën, femrat... ngjyrat i kanë të ngjashme me tapiceritë, por të dyja kanë veçantitë e tyre dalluese, sidomos në procesin e punës”, ka shtuar Zherka.
Artin si pjesë e pandashme e jetës së saj e ka ilustruar me një moment kur ndau një histori personale nga lufta e fundit në Kosovë dhe si veprimtari e cila e kishte ndihmuar të shprehej në atë kohë.
“Gjatë luftës e kam pasur të varur një pikturë në shtëpi, kanë qenë disa gra me fytyrë të mbuluar, por duke pritur se kur po na nxjerrin nga shtëpia, thash të lë diçka nga vetja dhe kam intervenuar në atë pikturë aty për aty, i kam vendosur disa fëmijë duke qarë poshtë dhe imazhet e grave i zbulova”, është rikthyer Zherka në vitin 1999, duke iu referuar pikturës, e cila projektohej në mur gjatë kohës kur ajo fliste për të.
Ka shpalosur edhe detaje të tjera. Karrierën e saj pas studimeve e kishte nisur me një angazhim krejt të veçantë në vitet ‘80.
“Në Qendrën Rehabilituese në Shtime, krahas logopedëve dhe psikologëve unë kam shkuar me muaj të tërë për t’u mësuar fëmijëve teknika të ndryshme të artit si një lloj terapie përmes artit. Por, fatkeqësisht nuk rezultoi e suksesshme për shkak të gjendjes së rënduar të pacientëve”, ka bërë të ditur ajo.
Artin ajo e konsideron si terapi më vete, procesi i thurjes dhe pikturimit dalin të jenë metoda me të cilat ajo përpunon përditshmërinë e saj dhe realitetin kosovar.
“Tapicerinë e punoj duke mos bërë skica, materialin e përgatis vetë përmes një procesi të vështirë e që zgjat, por gjatë punës zhvillohet, ndryshon shumë, varësisht nga disponimi”, ka thënë Zherka. Por fondi i veprave të saj nuk është i plotë. Shumë punë të Zherkës fatkeqësisht tani rezultojnë të humbura nga rrethana të ndryshme dhe kjo përbën një shqetësim të madh si për artisten ashtu edhe për trashëgiminë artistike të vendit.
“Kur kam aplikuar në Fakultetin e Arteve për t’u punësuar si asistente, kam dorëzuar shumë piktura, vizatime e tapiceri, njëjtë edhe në ekspozita të shumta, por nuk e di se çfarë ka ndodhur me to, kanë humbur, nuk i kam parë më”, ka treguar artistja Zherka.
Rikthimi i artistes në skenën e artit në vend nëpërmjet ekspozitës personale “Shtegtime” të kuruar nga Vesa Sahatçiu, muajin e kaluar dhe asaj kolektive “Ngjarja e një fijeje” në Galerinë Kombëtare të Kosovës, duket ta kenë inspiruar atë të rikthehet sërish me punimin e tapicerive, të cilat synon t’i jetësoj me një cikël të ri, i cili njëjtë si veprat e mëparshme të Zherkës, që shkruajnë historinë e artit në Kosovë, do të vazhdojnë të jenë pikë referimi dhe inspirimi për teknikën e tekstilit.
Lexo edhe
Lexo edhe: