Shtojca për Kulturë

Zgjerimi i Serbisë dhe përmbysja e pretendimit serb mbi Kosovën

Shkupi në vitet 1900

Me faktet e dhëna në librin “Shkupi, vetë historia e Kosovës (Raporte të diplomatëve italianë)” të autorëve Skënder Asani, Mehmet Prishtina, Albert Ramaj (Eds) – botoi Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup, Shkup, 2022, 221 faqe – edhe një herë përmbyset çdo pretendim serb mbi Kosovën, pasi konfirmohet me të dhëna shumë precize se në detin e madh të shqiptarëve, të cilët, ashtu sikur edhe sot, përbënin mbi 80 për qind të popullsisë së Vilajetit, komuniteti serb, ai bullgar, vlleh dhe turk, ishin një pakicë

Pas dështimit të rrethimit të Vjenës më 1683, pasoi rënia e fuqisë së shtetit osman. Nga kjo periudhë filloi tatëpjeta e kësaj perandorie dhe copëtimi i territoreve të saj sidomos në periudhën e Krizës Lindore më 1876, kur Serbia dyfishoi territorin e saj në drejtim të Vilajetit të Kosovës. Edhe Rusia gjysmës së dytë të shekullit të 19-të, si armikun kryesor në Ballkan i shihte osmanët. Në këtë rrethanë ndodhi Kongresi i Berlinit (1878), i cili çimentoi gjymtimin e territoreve shqiptare, duke i shkëputur rajonet më të bukura e më të pasura, të cilat ju dhuruan serbëve, malaziasve dhe grekëve.

Diplomati italian Ghigi nënvizon faktin se vendimet e padrejta evropiane nisën në Kongresin e Berlinit, kur Serbisë iu njoh e drejta e zgjerimit në territoret e spastruara të Toplicës dhe Kosanicës, ndërsa rajonet shqiptare të Tivarit, Hotit, Grudës, Kuçit, Podgoricës, Plavës e Gucisë do t’i aneksoheshin Malit të Zi. Në këtë kuadër, autori pohon se “Kongresi i Berlinit natyrisht, nuk e la edhe Greqinë pa ia dhënë shpërblimin dhe ia kaloi asaj rajonin, i cili po ashtu është pastërtish shqiptar, që shkon nga Gjiri i Prevezës deri te lumi Kallamas”. Me tone të njëjta, ai përshkruan edhe vendimet e Konferencës së Londrës të vitit 1913, në të cilën u përcaktua fati i shqiptarëve dhe rrjedhimisht edhe fatin e shtetit të cunguar shqiptar i cili u copëtua edhe më keq se në Kongresin e Berlinit, pasi nga Serbia u aneksuan Kosova dhe territoret e tjera shqiptare në pjesën perëndimore të Maqedonisë.

Në vazhdim, ai ndalet në përshkrimin e përgjithshëm të pozitës së shqiptarëve nën Mbretërinë Jugosllave, duke u ndalur veçanërisht në çështjet demografike. Meqë nuk ekziston ndonjë statistikë jugosllave objektive dhe e paanshme, me përjashtim të atij regjistrimi të popullsisë jugosllave të vitit 1921, diplomati italian megjithatë pohon se jetonin afro një milion shqiptarë në këtë shtet të sllavëve. Dihet se shqiptarët në këtë kohë nuk kishin asnjë të drejtë kombëtare dhe politike, prandaj i vetmi organizim ishte mbi baza fetare, me qëllim që të bënin dallimin e tyre me sllavët ortodoksë. Më e njohura ishte bashkësia myslimane e Shkupit, së cilës, sipas diplomatit italian, i printe figura e njohur e elitës shqiptare Ferhat Bej Draga, i njohur për aktivitet kombëtar qysh gjatë Perandorisë Osmane, dhe që kishte një komunikim me përfaqësitë e huaj në këtë qytet.

Kufijtë e ri të Shqipërisë dhe Shkupi i Kosovës

Duke u ndalur në përshkrimin e kufijve të ri të Shqipërisë, ku përshkruhen karakteristikat dhe veçoritë e qyteteve dhe të vendbanimeve shqiptare, nënvizohet elementi strategjik i qytetit të Shkupit, të cilin diplomati italian e cilëson si kryeqytetin moral, politik dhe ekonomik të Kosovës dhe se me këtë qytet është e lidhur ngushtësisht historia e shqiptarëve.

“Qyteti i Shkupit është kryeqyteti moral, politik dhe ekonomik i Kosovës. E gjithë jeta e shqiptarëve të Kosovës është e lidhur ngushtësisht me ngjarjet historike të këtij qyteti dhe ende sot ato organizata të mbetura, që tolerohen prej Qeverisë së Beogradit, e kanë selinë e tyre në Shkup. Kosova pa Shkupin nuk ka as një domethënie morale e as politike”, shkruan diplomati italian. Këto observime të diplomatëve italianë në të njëjtën kohë se Roma po mbante gjallë idenë e irredentizmit shqiptar dhe një linjë e tillë politike u shpërfaq sidomos gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur viset etnike, të cilat ishin lënë jashtë kufijve të shtetit shqiptar, do t’i bashkëngjiteshin territorit të shtetit shqiptar të administruar nga Italia e Musolinit.

Etnitë dhe kombësitë e Vilajetit të Kosovës nga pikëpamja etnike, fetare dhe statistikore

Në kapitullin e dytë të studimit të Augusto Stranieri, konsull i Italisë në Shkup gjatë vitit 1908, ndërsa në vitin kur dorëzoi studimin për Shkupin dhe viset shqiptare në rrethinë ai mbante e detyrën e Ministrit të Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Italisë, fokusohet në trajtimin e situatës në Vilajetin e Kosovës nga pikëpamja etnike, fetare dhe statistikore, si dhe në pasqyrimin e rrethanave shoqërore, ekonomike, intelektuale dhe politike në mesin e popullatës shqiptare, bullgare dhe serbe. Ky studim, i cili ishte rezultat i kërkimeve të rëndësishme të Stranierit kryesisht gjatë kohës së qëndrimit të gjatë në Shkup, ndahet në dy pjesë. Derisa në pjesën e parë trajton etnitë dhe kombësitë në Vilajetin e Kosovës nga pikëpamja etnike, fetare dhe statistikore, në pjesën e dytë pasqyron kushtet shoqërore, ekonomike, intelektuale dhe politike të tre elementët kryesorë të popullsisë në vilajet: bullgarët, serbët dhe shqiptarët.

Më vazhdim diplomati italian Stranieri, jep të dhënat interesante gjeografike dhe historike për Vilajetin e Kosovës, të cilat ai i ndanë në pesë periudha: ilire, romake, bizantine, sllave dhe osmane.

“Gjatë periudhës ilire, sipas gjurmimeve të zotit Hahn, zemra e Vilajetit të Kosovës, domethënë rajoni i Dukagjinit dhe i Fushës së Kosovës përbënin provincën e Dardanisë”, shkruan ai, duke shtuar se “kur vendin e sundimit romak e zuri sundimi bizantin, nisën pushtimet e sllavëve në Gadishullin e Ballkanit dhe si Maqedonia, ashtu edhe vendi në veri të saj në fakt ranë në duart e tyre dhe me ndërprerje të shkurtra, mbetën pothuaj gjithë shekullin e katërmbëdhjetë, domethënë deri në ardhjen e pushtimit turk”.

Por, gjatë përshkrimit të dallimeve të etnive dhe kombësive në Vilajetin e Kosovës, Stranieri, siç duket në mungesë të referencave të bollshme, bazohet kryesisht mbi të dhënat e studiuesit nacionalist serb Jovan Cvijiq, i cili si projektues i doktrinës së “Serbisë së Madhe” mohonte ekzistencën e shqiptarëve ortodoksë. Në këtë kuadër, autori italian me apo pa dashje pohon se shqiptarët i përkisnin vetëm popullatës myslimane dhe një pjese të vogle të përkatësisë katolike.

“Me përjashtim të një pjese të vogël katolikësh të etnisë shqiptare dhe të një pjese shumë të vogël ortodoksësh me origjinë kuco-vllahe, i gjithë elementi i krishterë është sllav”, shkruan në mes të tjerash diplomati Italian.

Në nënkapitujt vijues autori ndalet te prezantimi i strukturës etnike të popullsisë nëpër kazatë e Vilajetit të Kosovës, duke u ndalur njëkohësisht edhe tek organizmi administrativ (sanxhaqe) i këtij vilajeti, i cili në perëndim përkufizohej me Vilajetin e Shkodrës dhe Malin e Zi, ndërsa në veri Bosnjën e në verilindje me Serbinë dhe në jug me vilajetin e Selanikut dhe të Manastirit.

Megjithëse përpiqet të na japë të dhëna të sakta statistikore, ai detyrohet ta pranojë se statistika e elementeve të ndryshëm të popullsisë për Vilajetin e Kosovës lidhur me pjesën femërore, nuk janë të plota, pasi krerët e familjes e quajnë veten të fyer, në rast se u kërkohet që ta tregojnë. Ndaj, kjo i bën të dhënat jo shumë të qëndrueshme si dhe fakti se në kazatë shqiptare ishte madje e vështirë të regjistrohet popullsia e rrallë e krishterë, sepse ata, me përjashtim të kryeqendrave, jetonin të shpërndarë në brendësi të lokalitetit, ku nëpunësi i statistikës nuk guxonin të hynin për shkak të zakoneve dhe të shqiptarëve. Sipas autorit, nga popullsia myslimane shqiptarët janë në shumicë kundrejt myslimanëve me prejardhje tjetër (sllavë, turq, turkomanë, jyrykë, çerkezë, romë) të marrë së bashku. Nga shifra gjithsej prej 658,291 myslimanësh, mund të llogaritet se mbi 450,000 janë shqiptarë.

Sistemi arsimor në bullgarisht e serbisht dhe “shqiptarët – serbë”

Në përmbyllje të studimet jepet një pasqyrë mjaft e detajuar edhe mbi rrethanat shoqërore, ekonomike, arsimore dhe politike të popullsisë në Vilajetin e Kosovës: shqiptarëve bullgarëve dhe serbëve. Këtu Stranier flet për sistemin arsimor në gjuhën bullgare dhe serbe, derisa arsimi në gjuhën shqipe ishin pothuajse inekzistent. Edhe nga ky libër dokumentohet qartë se për dallim ndaj qëndrimit dashamirë ndaj gjuhës serbe, bullgare dhe greke, shteti osman nuk e njihte gjuhën shqipe dhe rrjedhimisht ata edhe nuk kishin as shkollat e tyre kombëtare edhe pse në Vilajetin e Kosovës elementi mysliman ishte krejtësisht shqiptar, me pak përjashtime. Përkundër kësaj, sipas konsullit italian, “serbët kundërshtojnë, që në sanxhakun e Prishtinës popullsia myslimane është me origjinë të vërtetë shqiptare. Sipas tyre, myslimanët e këtij sanxhaku nuk janë gjë tjetër, veçse serbë të shqiptarizuar ose të arnautizuar, të ashtuquajturit arbanashë ose arnautashë”.

Megjithatë, diplomati italian i hedh poshtë këto pretendime propagandistike serbe, kur pohon se “popullsia myslimane e sanxhakut të Prishtinës vetëquhet shqiptare dhe sepse, për më tepër, ajo ka lidhje të përbashkëta me pjesën tjetër të shqiptarëve, feja, gjuha, zakonet, doket e dallojnë qartazi nga gjithë popullsia sllave e krishterë e vilajetit. Si produkt i rrethanave të administratës së dobët osmane dhe prapambetjes së thellë kulturore dhe ekonomike shqiptare, shqiptarët kishin një organizim të fortë fisnor dhe si rrjedhojë ata bënin luftë të ashpër kundër njëri -tjetrit, luftë e cila gjithmonë mbahej e ndezur nga zbatimi i hakmarrjes së gjakut. Po kësaj, vihet në dukje edhe përpjekja e vazhdueshme e qeverisë osmane për të korruptuar krerët shqiptarë me “dhurata bujare të përjetshme, lëshimesh etj., etj., me poste dhe vende në administratën publike”, me qëllim që ata të mbahen afër dhe që të amortizoheshin kërkesat e tyre për të drejta më të mëdha në vilajetin e Kosovës, ku ndihej mbizotërimi shqiptar.

Në fund të librit janë prezantuar edhe tri anekse lidhur me popullsinë e Vilajetit të Kosovës: popullsinë shqiptare katolike, popullsinë kuco-vllehe dhe një listë e bajrakëve dhe e fiseve shqiptare në sanxhakët e Prizrenit dhe të Pejës. Sipas autorit, popullsia shqiptare katolike e vilajetit arrinte rreth 17,000 frymë dhe ishte nën juridiksionin fetar të arqipeshkvit të Prizrenit dhe ishte ndarë në 10 famulli dhe që gëzonin një mbrojtje ndërkombëtare nga Austro-Hungaria, e cila po ashtu subvenciononte klerin, mbante kishat, si edhe shkollat në të gjitha selitë famullitare të sipërpërmendura.

Ky libër i diplomatëve italian sjell një histori panoramike dhe provokuese të historisë shqiptare, e cila dhe, pa dyshim paraqet një narrativë interesante nga këndvështrimi i diplomatëve evropianë, të cilët shihet qartë se kanë njohuri të hollësishme për qytete dhe vendbanimet e Vilajetit të Kosovës dhe kryeqendrës së saj, Shkupit, i cili i kishte një rol të rëndësishëm në komunikimet ndërshqiptare si dhe me qendrat evropiane nëpërmjet përfaqësuesve të tyre diplomatikë, të cilët atëbotë ishin personalitete me njohuri të thella politike, historike dhe kulturore.

Dëshmi se historia e Kosovës kalonte nëpërmjet Shkupit

Me faktet dhe të dhëna që sjell ky libër edhe një herë përmbyset çdo pretendim serb mbi Kosovën, pasi konfirmohet me të dhëna shumë precize se në detin e madh të shqiptarëve, të cilët, ashtu sikur edhe sot, përbënin mbi 80 për qind të popullsisë së Vilajetit, komuniteti serb, ai bullgar, vlleh dhe turk, ishin një pakicë. Autorët na japin një informacion të bollshme dhe interesant me këtë rast, edhe për peshën e luftërave dhe të rezistencës shqiptare në Vilajetin e Kosovës, duke potencuar pa dyshim, rëndësinë që paraqiste për Kosovën edhe kryeqyteti i tij, Shkupi, në kuadrin shtetin osman si qendër me peshë politike dhe ekonomike për shqiptarët dhe rajonin. Me një fjalë, ky libër dëshmon se historia e Kosovës kalonte nëpërmjet Shkupit.

Në këtë linjë, do të shtoja se ky libër i botuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup paraqet një kontribut të rëndësishëm në ndriçimin e të kaluarës historike të qytetit të Shkupit, ish-kryeqendrës politike dhe administrative të Kosovës gjatë periudhës të sundimit osman, dhe duke konfirmuar prezencën (autoktoninë) e pandërprerë të shqiptarëve në qytetin e Shkupit dhe trevat tjera verilindore të Kosovës të cilat kishin një rendësi të veçantë strategjike në hapësirën ballkanike. Në këtë kontekst, “Shkupi, vetë historia e Kosovës” është një kronikë e kohës e shkruar nga dy diplomatë italianë, të cilët me të dhënat e tyre dëshmojnë se kishin njohuri të shkëlqyeshme për gjeografinë shqiptare dhe problemet me të cilat ballafaqohej bota shqiptare në kontekstin e zhvillimeve rajonale dhe evropiane. Me këtë botim, ITSHKSH në Shkup, i cili krahas Prishtinës dhe Tiranës pos shndërrohet në një qendër me peshë të veçantë në studimet historike dhe albanologjike, i ka ofruar lexuesit të gjerë shqiptar dhe sidomos atyre të shkencave shoqërore një mundësi të artë që të njihet më të dhënat historike, demografike dhe diplomatike për Shkupin dhe rajonet e tjera të Kosovës në këndvështrimin e diplomacisë italiane.