Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Zhvendosja e një perandorie: Nova Roma në Kostandinopojë

Constantinopolisin (Kostandinopojën) Më 11 maj të vitit 330 Kostandini e kishte shpallur kryeqendër të re të Perandorisë Romake

Constantinopolisin (Kostandinopojën) Më 11 maj të vitit 330 Kostandini e kishte shpallur kryeqendër të re të Perandorisë Romake

Perandori Kostandini i Madh – Constantinus I, perandori më i rëndësishëm i antikitetit të vonshëm, i lindur në Naissus, ishte i biri i Konstanc Klorit (Constantius Chlorus, një nga perandorët e Tetrarkisë) dhe i Helenës. Pos reformave radikale të cilat e ngritën Perandorinë, ai e kishte zhvendosur kryeqendrën e Perandorisë nga Roma në Bosfor. Kryeqendra e re ishte ndërtuar në vitin 324 të erës sonë dhe në fillim u pagëzua Nova Roma ndërsa në vitin 330 ishte inauguruar dhe riemëruar në Constantinopolis. Kostandinopoja kishte qenë për më shumë se 1000 vjet qendër e Perandorisë Lindore Romake. Periudha e sundimit të Kostandinit të Madh ia kishte vënë themelet qytetërimit të mëvonshëm evropian

Njëra nga perandoritë më të mëdha botërore ishte themeluar në Romë dhe kulmin e zhvillimit e kishte arritur me seli në këtë qytet, por në vitin 330 kryeqendra e Perandorisë ishte zhvendosur disa mijë kilometra më larg, në Kostandinopojë për shkak se e kishte pozitën strategjike në Bosfor (e rrethuar nga tri anët me det), për shkaqe ekonomike (pjesa lindore e Perandorisë ishte më e pasur dhe më fitimprurëse) dhe për shkak të mundësive më të mira për mbrojtje se të Romës si dhe për shkak të sigurimit të Perandorisë nga sulmet persiane dhe për shkak të kontrollimit të rrugëve tregtare ndërmjet Azisë e Evropës, sidomos atyre detare mes Detit të Zi e Mesdheut. Meqë ishte larg nga ndikimi pagan të Senatit Romak Kostandinopoja ishte shndërruar në kryeqytet të ri të krishterë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Constantinus I – Kostandini i Madh

Perandori Kostandini i Madh – Constantinus I (Imperator Caesar Flavius Valerius Constantinus Pius Felix Augustus, 306-337), u lind në Naissus të Dardanisë në vitin 272. Kognomeni i Tij Constantinus ka kuptimin: “i vazhdueshëm”, “i palëkundur” ose “i qëndrueshëm”. Pas vdekjes së të atit Constantius Chlorus në vitin 306 Kostandini ishte shpallur perandor nga ushtria.

Hartë e Kostandinopojës, kryeqytetit dhe qytetit themelues të Perandorisë Bizantine, e vizatuar në vitin 1422 nga hartografi Cristoforo Buondelmonti. Kjo është harta më e vjetër e ruajtur e qytetit dhe e vetmja që i paraprin pushtimit turk të qytetit në vitin 1453

Ai kishte fituar betejën te Ura e Milviut në vitin 312 kundër rivalit Maksencit, sipas gojëdhënës falë shenjës së kryqit të cilin e mbanin ushtarët e tij. Sipas Euzebit të Cesaresë, një natë para betejës Kostandinit në ëndërr i ishte dëftuar në qiell kryqi dhe porosia: In hoc signo vinces (me këtë shenjë do të fitosh). Shenjën e kryqit ai ua kishte vendosur ushtarëve të vet dhe kishte dalë fitues në luftërat civile të Tetrarkisë kundër rivalëve Maksencit e Licinit, e në vitin 324 u bë perandor i vetëm i pjesës lindore e të asaj perëndimore të perandorisë.

Periudha e sundimit të Kostandinit është epokë e veçantë e kthesave në historinë e Perandorisë Romake dhe moment kyç në evolucionin nga antikiteti në mesjetë. Kostandini e kishte vendosur Perandorinë në themele të reja. Ai e riformoi shtetin me qëllim të forcimit të tij, duke e ndarë autoritetin civil dhe atë ushtarak, e zëvendësoi Tetrarkinë të cilën e kishte vendosur perandori Dioklecian me trashëgimi dinastike të pasardhësve të tij, të cilët i kishte emëruar bashkësundimtarë, për ta luftuar inflacionin e futi në përdorim monedhën prej ari – solidus e cila u bë model standard për monedhat bizantine e evropiane edhe shumë vjet më vonë, e reformoi ushtrinë duke e forcuar me qëllim të mbrojtjes nga rreziqet e brendshme dhe sulmet barbare. Po ashtu ai e kishte shpërbërë Garden Pretoriane e cila ishte bërë e rrezikshme për shkak të forcës së ndikimit të saj në politikë shtetërore, bashkë me perandorin Licinius shpalli Ediktin e Milanos mbi tolerancën fetare, u konvertua dhe u bë perandori i parë i krishterë romak. Periudha e sundimit të tij i kishte vënë themelet e qytetërimit të mëvonshëm evropian.

Kostandini i Madh vdiq më 22 maj të vitit 337. Periudha e sundimit të tij është epokë e veçantë e kthesave në historinë e Perandorisë Romake dhe moment kyç në evolucionin nga antikiteti në mesjetë (Në foto: Shtatorja e Kostandinit I në York, Angli)

Perandori Kostandin mbi të gjitha, mbahet në mend për faktin që e kishte zhvendosur kryeqendrën e Perandorisë Romake nga Roma, lidhur me çka i kishte shqyrtuar mundësitë e zhvendosjes në Serdica (Sofje, Bullgari), Sirmium (Sremska Mitrovica, Serbi) ose në Thessalonica (Selanik, Greqi) por në fund ishte përcaktuar për koloninë e lashtë greke Byzantion në Bosfor. Kryeqendra e re ishte ndërtuar në vitin 324 dhe në fillim u pagëzua Nova Roma e në vitin 330 ishte inauguruar dhe riemëruar në Constantinopolis, sipas emrit të perandorit. Kostandinopoja kishte mbetur për më shumë se 1000 vjet qendër e Perandorisë Lindore Romake

Kryeqyteti i ri në vend të kolonisë së lashtë greke

Constantinopolis (Kostandinopoja) ishte qytet me rëndësi të madhe historike i vendosur në ngushticën e Bosforit e cila e lidh Evropën e Azinë, të cilin e kishte ndërtuar perandori Kostandini i Madh në vend të Bizantionit, kolonisë së lashtë greke (të cilin e kishte shkatërruar perandori Septimius Severi në vitin 196) prej vitit 324 deri në vitin 330 me emrin Roma e Re (gr. Néa Rhome, lat. Nova Roma), e pas përfundimit të tij më 11 maj të vitit 330 Kostandini këtë qytet e kishte shpallur kryeqendër të re të Perandorisë Romake. Gjatë periudhës mes viteve 330 e 395 ishte seli e Perandorisë Romake dhe në kohen e perandorit Theodosi, mes viteve 413 e 414 qytetin e kishin përforcuar me mure mbrojtëse të larta 18 metra. Në kohën e perandorit Justinian, e tërë Perandoria kishte përjetuar kulmin e zhvillimit e veçanërisht Kostandinopoja, e cila ishte shndërruar në qendër të politikës, kulturës, religjionit, arteve e arkitekturës dhe aty ishin ndërtuar objekte madhështore, në mesin e të cilave dallohej katedralja Hagia Sophia (Aja Sofia), pallati mbretëror dhe muret mbrojtëse, dhe i tillë kishte mbetur deri në shekullin XV, respektivisht deri në fund të mesjetës. Është me interes fakti që gjuha zyrtare ishte greqishtja, ndërsa qytetarët e Kostandinopojës ishin qytetarë të Perandorisë Romake.

Fillis kushtuar Kostandinopojës, prerë në Thessalonika. Në avers është portreti i majtë i gruas e cila personifikon Kostandinopojën me përkrenare në kokë dhe me skeptër mbi krahun e majtë dhe rreth tij është mbishkrimi: CONSTANTINOPOLIS. Në revers është hyjnesha Viktoria (Victoria) në këmbë, me kokë të kthyer nën anën e majtë, me këmbë të djathtë mbi harkun e anijes, duke mbajtur në dorën e djathtë një shtizë dhe mburojën në dorën e majtë. Është gjetur në Pejë.

Kostandinopoja – kryeqendra e disa perandorive të fuqishme

Pas rënies të Perandorisë Perëndimore Romake, respektivisht në fund të shekullit V të erës sonë, Kostandinopoja kishte qenë për më shumë se 1000 vjet qendër e Perandorisë Lindore Romake (Bizantine, 330-1204 dhe 1261-1453), Latine (1204-1261) dhe në fund u bë edhe qendër e Perandorisë Osmane (1553-1922).

Në fakt gjatë historisë ishte shprehur edhe një ide e perandorit Heraclius (610-640) për zhvendosjen e kryeqytetit të Perandorisë në Carthage (Fenikia, sot në Tunizi), e cila nuk ishte realizuar dhe vetëm në vitin 1930 kryeqyteti ishte zhvendosur në Ankara, ndërsa Kostandinopoja zyrtarisht ishte riemëruar në Stamboll.

Follis kushtuar Kostandinopojës, prerë në Thessalonika. Në avers është portreti i majtë i gruas e cila personifikon Kostandinopojën me përkrenare në të cilën gjendet kurora. Gruaja është e veshur me pelerinë e në dorën e majtë mban skeptrin. Rreth portretit është mbishkrimi: CONSTANTINOPOLIS. Në revers është paraqitja e hyjneshës Victoria e cila është duke e ecur nga ana e djathtë dhe ka këmbën e djathtë të vendosur mbi harkun e një anijeje. Në dorën e djathtë hyjnesha mban skeptrin e nën anën e majtë mburojën. Monedha është gjetur në fshatin Dobrotin të Lipjanit në vitin 1961 në thesarin e monedhave të fshehura bashkë me 5775 monedha të tjera.

Perandori Kostandini i Madh gjatë viteve të fundit të sundimit të tij e më vonë edhe bijtë e tij Krispi (317-326), Konstandini II – i Riu (316-340), Konstanci II (317-361) dhe Konstansi (337-350) prej vitit 307 deri 361 të erës sonë, kanë emetuar monedha të vogla prej bronzi me qëllim të përkujtimit të zhvendosjes së kryeqytetit nga ai i vjetri – Roma në kryeqytetin e ri – Kostandinopojën, si simbol të barazisë së dy qyteteve dhe rëndësisë së kryeqytetit të ri të Perandorisë dhe të rëndësisë së re të Kostandinopojës për Perandorinë.

Me qëllim të shënimit të kësaj ngjarjeje historike, Kostandini i kishte emetuar dy seri monedhash përkujtimore të qytetit (city commemorative coins): njërën në të cilën glorifikohej qendra e re Konstandinopoja dhe tjetrën e cila glorifikonte qendrën e lashtë, Romën si simbol të barazisë së dy qyteteve dhe rëndësisë së kryeqytetit të ri të Perandorisë dhe të rëndësisë së re të Kostandinopojës për Perandorinë.

Në Kosovë janë gjetur disa dhjetëra monedha me të cilat është shënuar kjo ngjarje historike.

Follis kushtuar Constantinopolis. Në avers është portreti i majtë i hyjneshës me përkrenare në të cilën gjendet kurora. Hyjnesha është e veshur me pelerinë e në dorë të majtë mban skeptrin. Rreth portretit është mbishkrimi: CONSTANTINOPOLIS. Në revers është paraqitja e dy ushtarëve në këmbë me përkrenare në kokë, duke u mbështetur mbi mburoja me një dorë e në dorën tjetër mbajnë nga një heshtë. Mes ushtarëve është një vexillum e rreth figurave mbishkrimi: GLORIA EXERCITVS (lavdi ushtrisë). Monedha është gjetur në fshatin Dobrotin të Lipjanit në vitin 1961 në thesarin e monedhave të fshehura bashkë me 5775 monedha të tjera.

Monedhat kushtuar Kostandinopojës

Monedhat e gjetura të gjitha janë të prera nga bronzi. Averset (faqet) e monedhave të kushtuara kryeqytetit të ri është pothuaj uniformë dhe i standardizuar meqë në avers paraqitet portreti i majtë i hyjneshës (e cila personifikon Kostandinopojën) me përkrenare në të cilin gjendet kurora. Gruaja është e veshur me pelerinë e në dorë të majtë mban skeptrin. Rreth portretit është mbishkrimi: CONSTANTINOPOLIS.

Reverset (shpinat) e këtyre monedhave ndërkaq janë më të llojllojshme dhe kanë disa variante me paraqitje të figurave të ndryshme.

Në njërin variant të reversëve janë dy ushtarë në këmbë me përkrenare në kokë, duke u mbështetur mbi mburoja me një dorë e në dorën tjetër mbajnë nga një heshtë. Mes ushtarëve është një vexillum (flamur luftarak) e rreth figurave mbishkrimi: GLORIA EXERCITVS (lavdia e ushtrisë).

Në variantin tjetër paraqitet hyjnesha Victoria (Viktoria), e cila është duke ecur nga ana e djathtë dhe ka këmbën e djathtë të vendosur mbi harkun e një anijeje. Në dorën e djathtë hyjnesha mban skeptrin e në të majtën ka mburojën.

Hyjnesha Viktoria paraqitet edhe në një variant tjetër në këmbë, me kokë të kthyer në anën e majtë, me këmbë të djathtë mbi harkun e anijes, duke mbajtur në dorën e djathtë një shtizë dhe mburojën në dorën e majtë.

Follis kushtuar qytetit të Romës. Në avers është portreti i majtë i hyjneshës Roma me përkrenare në kokë dhe rreth saj mbishkrimi: VRBS ROMA. Në revers pa mbishkrim është ujkonja me Romulin dhe Remin. Monedha është prerë në Cyzicus, Mysia (sot Kapu Dagh në Turqi). Është gjetur në Pogragjë të Gjilanit.

Është i njohur po ashtu edhe varianti ku në revers është kurora e rrumbullakët dhe brenda saj mbishkrimi: VOT XX/ MVLT XXX (Votis Vicennalibus Multis Tricennalibus) që paraqet betimin-falënderimin e perandorit për 20 vjetët e kaluar të pushtetit dhe dëshirën-lutjen për edhe 10 vjet të tjerë të pushtetit në të ardhmen.

Në Kosovë janë evidentuar gjetjet e 9 monedhave të tilla të punuara prej bronzi por pa dyshim duhet të këtë edhe të tjera. Shtatë monedha kushtuar qendrës së re Constantinopolis janë gjetur në fshatin Dobrotin të Lipjanit në vitin 1961 në thesarin e monedhave të fshehura bashkë me 5775 monedha të tjera, një është gjetur në Pejë dhe një tjetër në vendzbulim të panjohur.

Në ekserg (segment) në pjesën e poshtme të reversit monedhat në fjalë kanë shkurtesën SMTS që është shkurtesa e punëtorisë monedhëprerëse që do të thotë se monedhat janë prerë në Thessalonica, Mysia (sot Selanik, Greqi).

Monedhat kushtuar qytetit të Romës

Në averse të monedhave kushtuar qytetit të Romës është portreti i majtë i hyjneshës Roma (padrone e qytetit të Romës) e veshur me pelerinë perandorake dhe me përkrenare në kokë e rreth saj është mbishkrimi: VRBS ROMA (qyteti i Romës).

Follis kushtuar qytetit të Romës. Në avers është portreti i majtë i hyjneshës Roma. Hyjnesha e ka përkrenaren në kokë dhe është veshur me pelerinë. Rreth portretit është mbishkrimi. VRBS ROMA (qyteti i Romës). Në revers, kurora e rrumbullakët dhe brenda saj mbishkrimi: VOT XX/ MVLT XXX që paraqet betimin-falënderimin e perandorit për 20 vjetët e kaluara të pushtetit dhe dëshirën-lutjen edhe për 10 vjet të tjera të pushtetit në të ardhmen.

Në revers pa mbishkrim është po ashtu një skenë uniforme: ujkonja e kthyer në anën e majtë me binjaket mitologjik Romulin e Remin me kokë të kthyer drejt Romulit e Remit të cilët të ulur në tokë e thithin qumështin e ujkonjës. Mbi shpinën e ujkonjës janë dy yje.

Binjakët Romuli e Remi lidhen me themelimin mitologjik të qytetit të Romës. Sipas mitologjisë ata ishin bijtë e hyjit romak të luftës Mars dhe të priftëreshës vestale Rea Silvia të cilët, xhaxhai i Reas Amuli, i cili ia kishte rrëmbyer fronin e krahinës Lacium babait të Rees – mbretit Numitor nga frika që, sipas profetizimit, do t’ia marrin fronin i kishte hedhur binjakët në lumin Tevere për t’i mbytur, por aty i kishte gjetur ujkonja Martia, e cila i kishte shpëtuar duke i ushqyer me qumështin e saj, e pastaj i kishte rritur bariu Faustulus. Pasi ishin rritur, ata e kishin kthyer në fron gjyshin dhe kodrën Palatinus, afër vendit ku i kishte shpëtuar ujkonja e kishin themeluar qytetin e Romës dhe Romuli ishte bërë mbreti i parë mitologjik i tij.

Edhe pse kjo skenë është uniforme në çdo revers të monedhave megjithatë janë një varg variantesh të paraqitjes së kësaj skene, posaçërisht të paraqitjes së pamjes së figurës së ujkonjës.

Në ekserg janë shenjat e punëtorive monedhëprerëse ku janë prerë monedhat: SMK dhe SMHE.

Në Kosovë janë gjetur 22 monedha kushtuar qytetit të Romës (VRBS ROMA). Dy gjetje të këtyre monedhave janë regjistruar në rajonin e Pejës, një në Vërban të Kllokotit, 3 në Pogragjë të Gjilanit, 1 në rajonin e Gjilanit e në fshatin Dobrotin të Lipjanit janë gjetur 13 monedha në thesarin e monedhave të fshehura, kurse për disa nga këto monedha nuk ka të dhëna për vendzbulimet e tyre.

Follis kushtuar qytetit të Romës. Në avers është portreti i majtë i hyjneshës Roma e veshur me pelerinë perandorake dhe me përkrenare në kokë e rreth saj është mbishkrimi VRBS ROMA. Në revers, pa mbishkrim, është ujkonja me binjakët mitologjikë, Romulin e Remin, me kokë të kthyer drejt Romulit dhe Remit të cilët të ulur thithin qumështin e ujkonjës. Mbi shpinën e ujkonjës janë dy yje. Monedha është prerë mes viteve 330-334 të erë sonë në Heraclea (Marmara Ereglisi, Turqi). Është gjetur në rajonin e Pejës.

Monedhat në fjalë janë prerë mes viteve 330-333 dhe 334 të erës sonë në Cyzicus, Mysia – shenja SMK (sot Erdek, Balikesir në Turqi) dhe në Heraclea - shenja SMHE (Marmara Ereglisi, Turqi).

Kostandini i Madh vdiq më 22 maj të vitit 337. Periudha e sundimit të tij është epokë e veçantë e kthesave në historinë e Perandorisë Romake dhe moment kyç në evolucionin nga antikiteti në mesjetë. Kostandini e vendosi Perandorinë në themele të reja dhe e zëvendësoi Tetrarkinë të cilën e kishte vendosur perandori Dioklecian me trashëgimi dinastike të pasardhësve të tij të cilët i kishte emëruar bashkësundimtarë, për ta luftuar inflacionin e futi në përdorim monedhën prej ari – solidus e cila u bë monedhë standarde për monedhat bizantine e evropeiane për më shumë se 1000 vjet, e reformoi ushtrinë, duke e forcuar me qëllim të kundërshtimit rreziqeve të brendshme dhe të sulmeve barbare, dhe e shpërbeu Garden Pretoriane e cila ishte bërë e rrezikshme për shkak të forcës së ndikimit të saj në politikë shtetërore, bashkë me perandorin Licinius shpalli Ediktin e Milanos mbi tolerancën fetare dhe u bë perandori i parë i krishterë romak.

Periudha e sundimit të Kostandinit të Madh i kishte vënë themelet e qytetërimit të mëvonshëm evropian e sistemi monetar i tij u bë model për shumë shtete të mëvonshme.