SOT

Familja nga Rahoveci me traditë 30-vjeçare në bujqësi

Qifllaku është njëri ndër fshatrat më të njohura të Rahovecit për bujq aktivë. 

I tillë është Safet Gashi me familjen e tij, të cilët jetesën e sigurojnë nga bujqësia. 

"Me bujqësi merremi thuajse mbi 30 vjet. I kemi pas kushtet shumë të rënda, aq sa në fillim me kali i kam qu specat e lakrat me i shit në treg. Për me pas fitim prej bujqësisë po duhet me punu shumë. Tash i kemi 10 hektar tokë të mbjella me speca, lakër e grurë", thotë Gashi.

25 mijë euro ka investuar në bujqësi bujku nga Qifllaku. 

Ai mbjell disa lloje perimesh në 10 hektarë tokë që kanë. 

"Bujqësia për neve si familje është shumë e rëndësishme,sepse nuk merremi me diçka tjetër veç me këtë veprimtari. 25 mijë euro i kom investim veç në bujqësi", shton Gashi.

Nga fitimet e shitjes së kulturave i kanë blerë të gjitha mjetet e punës bujqësore. 

"Për çdo ditë e gjithë familja me mëngjes jemi në arat tona. I kemi të gjitha mjetet e punës që i kemi siguruara të gjitha prej bujqësisë. Sa i përket Komunës së Rahovecit, nuk e kam marrë asnjë ndihmë, ndërkaq prej Ministrisë siç dihet subvencionet i kemi marrë. Na kanë ndihmu edhe me plehra vitin e kaluara, ndërkaq sivjet nuk kemi marrë ende asgjë", deklaron Gashi.

Bujku Safet Gashi thotë se Qifllaku është shquar gjithnjë për banorë aktivë në bujqësi. 

Madje thekson se të gjithë e ndihmojnë njëri-tjetrin në punët bujqësore. 

"Prej se e mbaj mend fshatin Qifllak gjithmonë është marrë me bujqësi. I ka tokat shumë të mira e fatmirësisht edhe vendësit që jemi këtu i punojmë ato. Dhe çka është më e veçanta si fshat është se i ndihmojmë shumë njëri-tjetrit për çdo gjë, e sidomos për punët në bujqësi", shton Gashi.

Kulturat bujqësore që i kultivon familja nga Rahoveci, si specat, lakrën e misrin i shesin në tregjet e vendit.