SOT

“Floktaria”, ndër profilet më të kërkuara në shkollën “Shtjefën Gjeçovi”

Para tre vjetësh, shkolla profesionale “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë rriti numrin e nxënësve duke hapur drejtimin e ri të floktarisë. Fillimisht, në këtë drejtim u regjistruan 29 nxënës, prej të cilëve 19 diplomuan këtë vit. 

Rona Gashi, Loris Karricaj dhe Fatlum Kastrati janë nxënës në këtë drejtim dhe aktualisht janë në përfundim të klasës së dhjetë. Ata synojnë ta shndërrojnë floktarinë në profesionin e tyre të ardhshëm. 

“E kam zgjedhur profilin e floktarisë sepse më ka pëlqyer nga fillimi. Në shkollë kam mësuar shumë gjëra të reja. Që nuk i kam ditur. U them edhe të tjerëve që të zgjedhin edhe shkollat profesionale, jo vetëm gjimnazet”, thekson Gashi.

Nxënësi Loris Karricaj thotë se këtë drejtim e ka zgjedhur sepse gjithmonë i ka pëlqyer. “Nga mosha 13-vjeç kam qenë berber”, thekson ai.

Ndërsa nxënësi Fatlum Kastrati, thekson se në të ardhmen dëshiron të ketë një sallon të tijin. 

“Prej sallonit ku kam punuar dhe shkollën që e ndjek, e kam pasur një diferencë shumë të madhe. Në dallon zanatin e kam mësuar nga dikush që ka pasur përvojë, ndërsa në shkollë kam mësuar nga literatura dhe praktika. Për krejt të rinjtë që duan të bëhen berber apo floktar ju kisha referuar ta zgjedhin këtë shollë, është një opsion i mirë. Të ardhmen e shoh veten me një sallon timin”. 

Ardiana Salihu-Uka dhe Rabije Jupolli-Smajlaj janë mësimdhënëse në drejtimin e floktarisë që prej hapjes së këtij programi në shkollën profesionale “Shtjefën Gjeçovi”.

Prej tre vjetësh, ato po luajnë një rol kyç në edukimin e brezave të rinj, duke sjellë përvojat dhe njohuritë e fituara jashtë vendit, Ardiana e shkolluar në Britaninë e Madhe dhe Rabija në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Mësimdhënëset theksojnë se regjistrimi në këtë drejtim është i kufizuar dhe pranojnë vetëm nxënësit me sukses më të lartë, veçanërisht në lëndët si kimi, biologji dhe matematikë.

“Çka është më e mira, këta nxënës kur të dalin për të punuar në praktikë, duhet të nënshkruajnë kontrata me sallonet ku punojnë. Kontratat janë kontrata të punës të cilat janë përpiluar me ligjin e punës dhe menjëherë fillojnë të paguhen që nga klasa e 10-të. Pagesat janë të ndryshme. Besoj se do të rritet numri i paraleleve sepse kërkesat janë të shumta. Vitin e kaluat i kem refuzuar 60 dokumente, nuk kanë pasur mundësinë të regjistrohen”, deklaron Salihu-Uka. 

“Si e ardhur nga Amerika dhe eksperiencën atje që e kam marr në shkollë por edhe në punë, shumë kam qenë entuziaste me ushtruar këtë profesion në Kosovë, ku kem pasur mungesë të këtij profili. Për këto tri vite jam e kënaqur, por pres akoma më shumë në zgjerimin e këtij profesioni”, shton Jupolli.

Ardiana Salihu-Uka tregon sesi mësojnë nxënësit nga klasa e 10-të deri në të 12-tën.

“Në gjysmëvjetorin e parë nxënësit mësojnë, 5 ditë në javë në shkollë. Dy ditë kanë lëndë të përgjithshme dhe 3 javë në ditë kanë floktari. Në gjysmë vjetor të dytë, 2 ditë në javë mësojnë lëndë të përgjithshme, 1 ditë në javë mësojnë floktari në pjesën teorike, e mësojnë në shkollë dhe dy ditë të javës në sallon- praktikë. Në klasën e 10-të mësojnë për bazat e floktarisë, siç janë konstruktin, kimik e biologjik të flokut dhe lëkurës, larja profesionale, fenerimet, ngjyrosje etj. Në klasën e 10-të vazhdojnë 1 ditë në javë mësim në shkollë me lëndë të përgjithshme dhe një ditë me floktari dhe 3 dite të tjera janë në praktik te sallonet. Në klasën e 11-të e mësojnë vetëm modulin e prerjes, sepse prerjet e flokëve janë module që kërkon kohë më shumë. Në klasën e 12-të kanë vetëm një ditë me mësim të përgjithshëm dhe 4 ditë në javë punojnë në sallone”, tregon ajo.

Pas drejtimit të floktarisë, që vazhdon të jetë ndër më të kërkuarit, profilet më të preferuara nga semimaturantët janë ato të ngrohjes dhe klimatizimit, si dhe profili i automekanikut, fusha këto që ofrojnë mundësi të mira punësimi dhe zhvillimi profesional.