SOT

Gjimnastika rimtike, sporti që po i tërheq vajzat e reja

Lëvizjet e kombinuara me muzikë e bëjnë të veçantë disiplinën e quajtur gjimnastika ritmike. 

Është klubi “Ritmiks” i themeluar nga Fiona Konxheli, trajnerja që po i ushtron vajzat që nga mosha 3-vjeçare.

Anarita, Ela e Luna janë tri të rejat e këtij grupi, të cilat gjimnastikën ritmike e bënë pjesë të ditëve të tyre qysh në moshë të hershme. 

“Unë këtu ushtroj që 6 muaj dhe kam ardhur në gjimnastikën ritmike, sepse më pëlqen shumë që ka edhe balet. Këtu bëjmë ushtrime me balet dhe hapa të ndryshëm me këngë bashkë me ushtrime. Dua ta falënderoj shumë mësuesen time që më ka mësuar për këto ushtrime”, thotë Anarita Mihilli.

Ela Lahaj thekson se përveç shkollës ka zgjedhur të vijë edhe në gjimnastikën ritmike. 

“Fillimisht jam marrë me balet, por duke i parë në televizor vallëzimet në gjimnastikë ritmike kam zgjedhur që të vij këtu e të ushtroj. Qëllimi im është që një ditë ta përfaqësoj vendin në gara ndërkombëtare”, deklaron ajo.

Luna Duvolli thotë se i pëlqen gjimnastika ritmike. 

“Prej se kam qenë 3-vjeçare kam pasur fleksibilitet dhe prandaj kam ardhur në gjimnastikë. Gjithashtu më pëlqen që përmes kësaj disipline mund ta shpreh shumë mirë veten. Më pëlqejnë edhe ushtrimet e vështira që janë, sepse kam shumë dëshirë që ta sfidoj veten”, thekson ajo.

Përveç teknikave që i kërkon ky sport, trajnerja Fiona Konxheli thotë se synon që gjimnasteve të saj t’ua mësojë disiplinën pasi ato të ardhmen do ta përfaqësojnë Kosovën jashtë vendit. 

“Në klubin e gjimnastikës ritmike kemi vajza qysh nga mosha 3-vjeçare deri në moshën 13-vjeçare, sepse në këtë disiplinë vajza duhet të fillojnë në moshë sa më të re, për shkak se ato kanë më tepër fleksibilitet. Në klubin tonë ‘Ritmiks’ po shoh që ka interesim dhe ka potencial, prandaj jam shumë optimiste që do të ketë edhe sukses. Synimi im është që vajzat të jenë të disiplinuara, pra përveç elementeve teknike të kenë edhe disiplinë sportive, sepse është gjëja kryesore, sepse në një të ardhme të afërt këto vajza kanë me qenë ato që e përfaqësojnë Kosovën ndërkombëtarisht”, thekson Konxheli.

Fiona thotë se si klub i ri pritet të marrë mbështetje nga Komuna e Ferizajt e Federata e Gjimnastikës së Kosovës, pasi për ta zhvilluar këtë sport kërkohen kushte specifike, thekson ajo.

“Ka vetëm pak muaj që e kemi hapë këtë klub dhe fatmirësisht na kanë premtuar edhe Federata e Gjimnastikës e Kosovës e edhe Komuna e Ferizajt se do të na mbështesin, sepse gjimnastika ritmike është një sport që kërkon kushtet e veta dhe ka kushte specifike. Kërkohet një sallë e veçantë për ushtrimet e gjimnastikës ritmike, kërkohet një tapet që na mbron nga lëndimet dhe ajo sallë të jetë e gjerë dhe e lartë për shkak të ushtrimeve që i bëjmë”, deklaron ajo.

Vajzat e klubit “Ritmiks” në qytetin e Ferizajt po stërviten që në të ardhmen ta përfaqësojnë shtetin ndërkombëtarisht.