SOT

I riu nga Rahoveci, pas 10 vjetësh në Itali i kthehet fshatit, jeton nga bujqësia

Mëngjesi i hershëm, Ramadan Gashin, e gjen në tokat bujqësore ku edhe vjel produktet që vetë i kultivon. 

Kështu është rutina e të riut qëkur u kthye nga Italia ku jetoi për 10 vjet. 

Në fshatin Qifllak të Rahovecit, ku edhe jeton, i riu e ka edhe fermën me lopë, të cilën e ka ndërtuar me familjen. 

“Çdo mëngjes për mua fillon herët. Ditën e nisi menjëherë me kulturat bujqësore që i mbjellim si familje, por e kemi edhe fermën e vogël që e kemi ndërtuar vet e ku i mbajmë 20 lopë. Për me u kujdes për to nuk mundem vet, prandaj më ndihmon familja dhe prej tyre ne sot si familje jetojmë”, thotë Gashi.

I mbushur me nostalgji për fshatin e vet, Gashi thotë se rehatinë e gjen vetëm pranë familjes. 

Pavarësisht pagës që atje merrte si ndërtimtar, shpenzimet e jetesës në Itali thotë se nuk i lanë hapësirë që të ruante të holla për vete. 

“Unë për një kohë të gjatë kam jetuar në Itali. 10 vite nuk janë pak me jetuar larg vendit ku jam lind e rritë, por pastaj vendosa me u kthyer këtu te familja ime, sepse ndihem i përmbushur dhe rehat. Atje kam punuar, por në fund paga që e merrja nuk më mjaftonte në fund të muajit, a më mbeteshin 500 euro a jo, kështu që zgjodha me u kthyer këtu në vendlindjen time, pranë familjes time e pse jo me ju dhënë edhe ndihmë në fushën e bujqësisë e me ju bashku fuqisë punëtore”, deklaron Gashi.

Të jetojnë në vendin e vet e ta punojnë tokën e Kosovës, është thirrja që ai ia bën çdo të riu. 

“Në Itali kam punuar si krejt shqiptarët qysh punojnë në ndërtim, po më kanë mjaftuar veç për ushqim, pije e shpenzime tjera të banesës ku jetoja. Por kur doja me kontribuar në familje, ose më duhej me lënë veten keq e me ju ndihmuar atyre, ose mos me ju ndihmuar me para. Përndryshe i kam letrat, por nuk e kam në mend të shkoj, se nuk është jetë atje. Prandaj gjeneratave të reja ju them ma mirë rrini këtu në vend, punojeni tokën tuaj”, shton Gashi. 

Megjithëse si punë bujqësia e ka rëndesën e vet, i riu nga Rahoveci thotë se ndihet i lumtur që iu bë krah pune familjes.

“Si bujk unë ndihem shumë i lumtur, jo që fitojmë shumë para, por të paktën shpenzimet e mëdha si familje që i kemi pas e që kemi investuar për bujqësi, tash i nxjerrim. Edhe thuajse si çdo familje në Kosovë që kanë kredi edhe ne të paktën përmes bujqësisë po ja dalim me u mbuluar. Mjafton që këtu po e ndjej veten të lumtur. Edhe pse kur u ktheva pas 10 vitesh nuk është se pashë ndonjë ndryshim shumë në fshatin tim, rëndësi ka që me të afërmit që jemi këtu kalojmë kohë të mirë dhe thuajse të gjithë i punojnë tokat e kështu e ndihmojmë edhe njëri-tjetrin”, thekson Gashi.

Kulturat bujqësore si lakrën e specin, që i kultivojnë në 10 hektarë tokë, i riu i shet në tregjet vendore si në qytetin e tij në Rahovec ashtu edhe në Prishtinë.