I vetëm, por plot energji, Jeton Hajdari, i drejtohet njërës prej fushave të tenisit në kryeqytet.
Është ky teniseri me gati katër dekada përvojë në sportin e bardhë siç njihet ndryshe.
Karrierën sportive Jetoni e nisi qysh nga mosha 7-vjeçare, atëherë kur sipas tij është mosha adekuate për këtë sport.
“Unë që nga mosha 7-vjeç merrem me tenis. Jam kampion i Kosovës që 10 vite në të gjitha kategoritë. Kam përfunduar studimet 4-vjeçare e pastaj edhe Akademinë Olipmike, kështu që jam në rrugë të mirë akademike sportive. Unë e kam dashur shumë tenisin, sepse pa e dashur këtë sport është e vështirë të ushtrosh. Pra me tenis merrem qysh prej viteve të paraluftës ku kam ushtruar intensivisht me babnë. Kushtet më parë nuk kanë qenë aspak të lehta, investime është dashur të bëhen më shumë, prandaj përvojën time e kam marrë në arenën ndërkombëtare për t’i realizuar synimet e mia”, ka theksua ai.
Mësimet për tenisin i mori jashtë shtetit, teksa i veçon edhe trofetë që i ka fituar në garat e ndryshme përballë teniservë ndërkombëtarë.
“Tenisi nuk është sport i lehtë, por është sport rekreativ, pastaj në profesionalizëm duhet të shkosh në bazë të programit duke filluar ditor, javor, e tutje. Dikush vjen për rekreacion. Me tenis duhet të fillosh që nga mosha 7-vjeçare. I kam edhe unë programet e mia në këtë sport, por jam njeri i terrenit dhe e shijoj shumë daljen për tenis në cilëndo fushë sportive. Sa i përket trofeve që i kam marrë, po filloj me atë të 2018-tës ose më saktë turneu mbarëkombëtare, ku kanë qenë krejt shtetet e botës. E po ashtu edhe kupat e tjera që i kam fituar nëpër gara të ndryshme”, deklaron Hajdari.
Megjithëse si sport, teniseri prishtinas thotë se nuk është i zhvilluar sa sportet e tjera.
Kjo bën që edhe interesimi për tenis të jetë më i mangët nga gjeneratat e reja.
“Eksperienca më e mirë e imja ka qenë ajo në moshën 16-vjeçare kur jam shpallur kampion i Kosovës, atëherë kur isha rival me Ben Islamin, të cilin e kam edhe mik, por që në garë e mposhta. Ajo që duhet të dimë është se përgatitja në çdo sport duhet të jetë sa më në nivel, si në aspektin fizik ashtu edhe atë mendor, pasi pa përgatitje psikologjike nuk mund të avancohesh as teknikisht. E nëse flasim për infrastrukturën e sportit të tenisit, këtu ekzistojnë disa terrene sportive për zhvillimin e tenisit si sport në Kosovë”, deklaron Hajdari.
Kampioni i Kosovës në tenis Jeton Hajdari, thotë se karrierën sportive do ta vazhdoj edhe për shumë vite e ta bart te brezat e rinj.