Alma Krasniqi është studente e vitit të dytë në Fakultetin Filologjik në Prishtinë, ajo vjen nga fshati Buqe e Komunës së Dragashit.
Vitin akademik e ka filluar para dy jave, por që konviktet për qëndrim hapen më 1 tetor, si rrjedhojë ajo dhe shoqet e veta detyrohen të kalojnë natën tek të afërm apo banesa me qira, apo edhe të udhëtojnë çdo ditë për ndjekje të ligjëratave.
Ajo thotë se është shumë e vështirë edhe për shkak të kushteve ekonomike të familjes të jetojë në ndonjë banesë në Prishtinë.
Bileta nga Dragashi deri në kryeqytet kushton 5 euro, kurse udhëtimi zgjat 4 orë. Kjo për Almën është ngarkesë psikike dhe financiare.
Krasniqi ka menduar edhe braktisjen e studimeve në rast se nuk mund të pranohet në konvikt.
Drejtori i konvikteve, Ekrem Rudari, thotë që kjo mënyrë është bërë për studentët, të cilët nuk janë pranuar në afatin e parë në fakultet, në mënyrë që të mos diskriminohen.
“Ne kemi pritur afatin e dytë të pranimit edhe të studentëve në fakultete, në koordinim me studentë, që të mos i anashkalojmë edhe ata të cilët pranohen në afatin e dytë kjo është arsyeja. Diku rreth 600 studentë janë të pranuar në afatin e dytë, mendoj që do të ishte një diskriminim që ne të fillonim dhe të mos i presim edhe ata”, thekson Rudari.
Këtë vit është ndryshuar edhe mënyra e përzgjedhjes së studentëve për pranim, përparësi do të kenë ata që jetojnë në fshatra.
“Kriterin për pranim edhe vitin e kaluar edhe tash e kemi rregulluar me sistem qendër e studentëve - fshat dhe jo siç ka qenë më herët për kilometrat që i kanë bërë nga qyteti në qendrën e studentëve. Tash bëhet matja e kilometrave jo nga komuna, por nga fshati. Atëherë ka qenë diskriminim për studentët që jetojnë në fshatra të largëta dhe kilometrat janë matur nga qendra e qytetit. Ky është një organizim shumë i mirë dhe i pranueshëm dhe i cili është përqafuar edhe nga studentët”, shton Rudari.
Në korrik të vitit të kaluar Kuvendi i Kosovës ka miratuar statutin e ri të Universitetit të Prishtinës, sipas të cilit viti akademik fillon më 15 shtator dhe jo më 1 tetor, siç ishte më herët.