SOT

Kosto e lartë në privat, më shumë pacientë në institucionet publike

Pas marrjes së gjakut nga pacientët laborantja mjekësore, Ema Gashi, po i bën analizat.

Përmes këtyre analizave bëhet edhe diagnostikimi i pacientëve, të cilët vijnë me dhjetëra çdo ditë në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Veternik.

Nga diagnostikimi i infeksioneve e deri te sëmundjet e tjera më serioze, arrihen të bëhen në këtë qendër përmes këtij laboratori.

“Siç e dimë në kujdesin parësor dhe shëndetësor laboratori ka një rol kyç në diagnostikimin e hershëm të parandalimit të sëmundjeve. Ne ofrojmë një gamë të gjerë të analizave bazike që janë të rëndësishme për pacientin. Nga analizat hematoliogjike realizojmë hemogramin dhe sendimentin e eritrociteve me anë të së cilës zbulojmë infeksione, çrregullime të tjera të gjakut dhe proceset inflamatore”, thekson Gashi.

Pasi ka një kosto të ulët në institucionet publike, shumë qytetarë zgjedhin t’i drejtohen institucioneve publike në vend të atyre private.

“Analizat më të shpeshta janë pothuajse të gjitha sepse janë bazike. Por analizat që e tregojnë pasqyrën e gjakut, të mëlçisë, CRP janë analiza që bëhen çdo ditë. Secila lagje e ka qendrën e vet të mjekësisë familjare e në të gjitha qendrat punohen të gjitha analizat, por në disa qendra që kanë më shumë fluks të pacientëve sesa me ato që janë më në periferi kanë një gamë më të gjerë të analizave. Është numri i lartë i pacientëve që marrin shërbimin. Pagesat janë minemaliste 1 deri në 3 euro”, thekson Gashi.

Analizat që ofrohen në shërbimin parësor ndihmojnë në monitorimin e shëndetit të  organeve.

“Pastaj i bëjmë edhe urea, kreatinina kolesteroli e shumë analiza tjera të cilat  vlerësojnë shumë sëmundje. Po ashtu bëhen edhe analizat për mëlçinë. E shumë analiza tjera të rëndësishme që tregojnë infeksione”, deklaron Gashi.

Diabeti e sëmundjet e ndryshme hormonale janë bërë shumë të shpeshta, prandaj edhe këto analiza kryhen në shërbimet publike.

“Punojmë në përcjellje të diabetit për të parë edhe nivelin e sheqerit në gjak tre muajt e fundit. Po ashtu e punojmë edhe dedimerin në rast të dyshimit për trombozë. Po ashtu bëhet analiza e prostatës. Analiza tjera janë edhe hormonalet të cilat tregojnë për të vlerësuar funksionin e gjëndrës tiroide. Aparatura janë të autoimunatizuar të cilat tregojnë shpejtësi dhe saktësi në rezultate sa më të sakta”, shton Gashi.

Për shkak se këto analiza nuk bëhen në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare në Prishtinë, me rritjen e buxhetit, në të ardhmen, parashihet që të zgjerohen edhe në qendrat periferike të Prishtinës.