SOT

Krasitja e drunjve, procesi që mban kryeqytetin më të gjelbër dhe më të sigurt

krasitje

Vjeshta është periudha kur fillojnë punët më të rëndësishme për mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra në kryeqytet.

Ndërmarrja publike lokale “Gjelbër” është angazhuar këtë ditë në krasitjen e drunjve, pastrimin e mbetjeve bimore dhe përgatitjen e sipërfaqeve për dimër, me qëllim të ofrimit të një ambienti të gjelbër dhe të shëndetshëm për qytetarët e Prishtinës.

Gent Luzha nga “Gjelbër” thotë se vazhdimisht janë në përkujdesje të parqeve që qytetarët të kenë një ambient sa më të gjelbër për të shëtitur e për t’u relaksuar.

“Ndërmarrja Publike Lokale “Gjelbër” ka një rol thelbësor në ruajtjen, zhvillimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra publike në Komunën e Prishtinës. Përgjegjësitë e saj përfshijnë mirëmbajtjen e parqeve, shesheve, bulevardeve, lulishteve, si dhe kujdesin e vazhdueshëm për drunjët, shkurret dhe bimësinë dekorative. Synimi kryesor është sigurimi i një mjedisi të pastër, të sigurt dhe estetikisht tërheqës për qytetarët. Krasitja është një proces profesional që synon ruajtjen e shëndetit të drunjve, stimulimin e rritjes dhe formimin e një kurore të ekuilibruar. Ajo ndihmon në largimin e degëve të thata ose të sëmura, përmirëson qarkullimin e ajrit dhe dritës në kurorë, dhe parandalon rrezikun që degët e mëdha të bien gjatë erërave apo reshjeve. Në hapësirat urbane, krasitja ka edhe funksion sigurie dhe estetik, për të ruajtur pamjen dhe funksionalitetin e zonave të gjelbra”, ka thënë Luzha.

Sipas Luzhës kjo është periudha më e përshtatshme për krasitje pasi druri rigjenerohet në një periudhë të shkurtër kohore.

“Koha më e përshtatshme për krasitjen e drunjve është gjatë periudhës së qetësisë vegjetative, zakonisht nga fundi i dimrit deri në fillim të pranverës, janar - mars, para se të fillojë lulëzimi. Në këtë periudhë, dëmtimet për bimën janë minimale dhe druri e rigjeneron më shpejt plagën. Nëse krasitja kryhet jashtë sezonit të duhur ose me teknikë të gabuar, mund të shkaktojë stres për bimën, tharje të degëve, ulje të vitalitetit dhe ndjeshmëri ndaj sëmundjeve. Krasitjet e forta gjatë verës ose periudhës së lulëzimit mund të ndikojnë negativisht në proceset fiziologjike të bimës”, ka shtuar ai.

Ai thotë se krasitjet asnjëherë nuk janë të forta, edhe pse qytetarët ashtu e shohin, por prerjet ndihmojnë që bima të zhvillojë degë të reja.

“Shpeshtësia e krasitjes varet nga lloji i drurit, mosha dhe gjendja e tij. Në mënyrë të përgjithshme, drunjtë në qytet kontrollohen çdo vit, ndërsa krasitjet rigjeneruese ose formuese bëhen çdo 2–3 vjet. Qëllimi është mirëmbajtja e kurorës, siguria dhe rritja e qëndrueshme. Krasitjet që duken “të forta” shpesh janë të nevojshme për rigjenerimin e drurit, sidomos te ekzemplarët e vjetër ose të dëmtuar. Në këto raste, ndërhyrja ndihmon që bima të zhvillojë degë të reja të shëndetshme dhe të zgjasë jetën e saj. Edhe pse vizualisht mund të duken drastike, këto ndërhyrje janë pjesë e mirëmbajtjes profesionale dhe të planifikuar”, ka thënë ai.

Krasitja shpesh bëhet edhe për sigurinë e qytetarëve kur bima është e dëmtuar dhe mund të thyhet lehtë.

“Krasitja e rregullt përmirëson gjendjen e përgjithshme të drurit, nxit rritjen e qëndrueshme dhe parandalon rreziqet që mund të shkaktohen nga degët e thata apo të thyera. Kjo rrit sigurinë e qytetarëve, sidomos në rrugë, parqe dhe hapësira publike ku frekuentimi është i lartë. Ekipet profesionale të “Gjelbër” përdorin pajisje moderne si sharra elektrike, gërshërë teleskopike, kaska mbrojtëse, rripa sigurie, doreza dhe veshje reflektuese. Gjatë punës respektohen të gjitha standardet e sigurisë në lartësi dhe në afërsi të infrastrukturës elektrike ose rrugore”, ka shtuar ai.

Pasi bëhet krasitja, mbetjet grumbullohen dhe me to bëhet ripërdorimi në materiale organike si kompost.

“Degët dhe mbetjet drunore grumbullohen dhe transportohen në Qendrën e Kompostimit të ndërmarrjes, ku ripërpunohen në materiale organike si kompost dhe mulch për përdorim të mëvonshëm në gjelbërim. Kjo ndihmon në riciklimin e burimeve natyrore dhe reduktimin e mbetjeve. Ndërmarrja “Gjelbër” njofton paraprakisht Komunën dhe komunitetet lokale për zonat ku do të kryhet krasitja, përmes kanaleve zyrtare, mediave dhe rrjeteve sociale. Qytetarët mund të kontribuojnë në mirëmbajtjen e drunjve duke raportuar dëmtimet, mosdëmtuar bazat e drunjve, mos hedhur mbetje pranë tyre dhe duke bashkëpunuar me ekipet në terren gjatë ndërhyrjeve”, ka thënë ai.

Përmes punës së ekipit të “Gjelbër” dhe bashkëpunimit me qytetarët, hapësirat e gjelbra në Prishtinë jo vetëm që ruajnë bukurinë dhe shëndetin e drunjve, por gjithashtu ofrojnë një ambient të sigurt, të qetë dhe të shëndetshëm për të gjithë.