Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore dhe të konsumit të përditshëm po i vështirëson gjithnjë e më shumë financat familjare për qytetarët e Kosovës.
Vehbi Rexhaj dhe Gani Krasniqi janë blerës të rregullt në tregun e gjelbër të Prishtinës. Ata thonë se çmimet janë të larta, por megjithatë përpiqen të sigurojnë ushqimet bazë sipas mundësive që ua lejon buxheti i tyre.
Një fotografi e shpërndarë online, e bërë në njërin nga marketet në Prishtinë, tregon etiketën e çmimit: 25.99 euro për kilogram qershi – çmim që ka ngjallur reagime yë qytetarëve të cilët e kanë cilësuar si të papërballueshëm.
Pas kësaj, në tregun e gjelbër, por edhe më gjerë ekspozimi i qershive vështirë gjendet.
“Për standardin tonë shumë shtrenjtë janë qershitë. Edhe perimet sivjet janë më shtrenjtë, sidomos për pensionistë. Qershitë i blen për qejfi, çka me bë këto tjerat që janë të domosdoshme t’i blejmë. 25 euro kilogrami për qershi janë shifër e lartë nuk paguhen”, thotë Rexhaj.
Edhe Krasniqi thotë se çmimet janë të larta.
“Janë çmimet e larat, por nuk kem qare pa i ble. Speca, domate, spinaq, qepë të reja, lakra sallata më shumë i blejmë. Nuk mbajmë as lopa, as pula të gjitha i kem me të blemë. Kilogrami i limonëve, domateve ishte i lartë. Qershitë nuk kam blerë akoma, dhe nuk kam dëgjuar që kilogrami i tyre është 25 euro, por është shumë shtrenjtë. Edhe kilogrami i bostanit ish shtrenjtë”, thotë ai.
Ndërkohë, Fikrie Gërdovci-Çitaku, edhe pse në moshë të shtyrë, është blerëse e rregullt në treg. Thotë se preferon prodhimet vendore.
“Krejt çka ka blej në treg të gjelbër, duke filluar prej biberit e gjitha të tjerat. Sidomos te ky zotëria blej gjithmonë, te Idriz Hajdari. Për produkte vendore nuk kam vrenjtje, jam e kënaqur në përgjithësi. Markete shumë rrallë shkoj, në treg vij më shpesh”, deklaron ajo.
Tregtarët pohojnë se përpiqen të mbajnë çmime sa më të arsyeshme, duke u bazuar në gjendjen ekonomike të qytetarëve.
Ata theksojnë se ekspozojnë kryesisht produkte vendore.
“Në treg të gjelbër shesim çaja natyral, hudhra, miell misri, e prodhime të tjera vendore. Për momentin po shesim fara për mbjelljen e perimeve janë prodhime italiane sepse nuk ka prodhime nga vendi. Kem edhe spinaq nga Podujeva. Kush donë mu furnizuar me produkte të mira e të lira lë të vijnë në treg të gjelbër. Ne punojmë shumë tregtar këtu, ku të gjen më lirë konsumatorë mundet me ble. Përgjithësi me çmime shkojmë si njëjtë”, thekson tregtari Idriz Hajdari.
E tregtari Kadri Sfarqa thotë se çmimet janë reale.
“Për momentin aq sa po shihni, përveç trangujt edhe lakrës së bardh, të gjitha të tjerat janë produkte vendore. Kem preshin, qepën, sallatën e gjelbër, spinaqin, karotën, pataten. Mundohemi të punojmë, çmimet janë reale nuk janë të shtrenjta, por në krahasim me rajonin janë çmimet më të shtrenjta. Sallatën e shesim nga 0.35 centë deri në 0.50 centë. Kilogrami i preshit është 1 euro, qepa 4-5 tuba janë 1 euro, kilogrami i spinaqit është nga 1 euro deri në 1.50 euro, kilogrami i patates është 0.80 centë etj. Konsumatorët i kem të përditshëm të cilët e vlerësojnë kualitetin. Kem ankesa jo vetëm të unë por të gjithë, popullata është e varfëruar”.
Sipas të dhënave zyrtare, paga minimale në Kosovë është 350 euro në muaj. Ndërkaq shkalla e papunësisë arrin në 10.7%. Inflacioni aktual është 2.9%, duke ndikuar drejtpërdrejt në fuqinë blerëse të qytetarëve.