Deri tani, qytetarët e Podujevës shërbimet emergjente i merrnin vetëm në Klinikën emergjente të qytetit.
Por që nga muaji prill është funksionalizuar edhe Urgjenca e re e Podujevës, një objekt i ndërtuar sipas standardeve bashkëkohore, i pajisur me të gjitha mjetet për trajtim shëndetësor parësor.
Tashmë pacientët nuk kanë më nevojë të presin në radhë, pasi në hyrje janë vendosur shtretër. Pas pranimit, pacientëve u ofrohet ndihmë mjekësore pa vonesë.
Drejtori i QKMF-së në Podujevë, Bajram Bajgora, thekson se funksionalizimi i kësaj urgjence ka ulur nevojën për referime në QKUK dhe rrjedhimisht ka ndikuar pozitivisht edhe në aspektin ekonomik për pacientët
“Këtu është vendi ku bëhet drenazhimi, mga këtu nëse rasti është për nevoja të reanimacionit që është rast urgjent është dhoma e reanimimit. E cila është e pajisur me të gjitha pajisjet për ofrimin e kujdesit urgjent. Ne për hir të shërbimit mjekësor më cilësor janë disa kritere që këtu pranohen vetëm rastet e rënda emergjente që krahasuar me emergjencën e vjetër, këtu është numri më i vogël i personave që iu duhet trajtimi. Kjo ka ndikuar shumë me e ulë koston ekonomike sepse më herët për gjithçka është dashur që të drejtohen pacientët në Prishtinë, tash ofrohen të gjitha shërbimet këtu”, thotë ai.
Bajgora thotë gjithashtu se kjo qendër është e furnizuar shumë më mirë me barna sesa QKUK-ja.
“Kjo është salla e monitorimit për pacientët që vlerësohen me shkallë më të ulët të rrezikut. Mund të ndalet pacienti me orë dhe të marrë trajtimin. Të veçante e kemi dhomën e infuzioneve për të respektuar edhe privatësinë e pacientit. Ne jemi jashtëzakonisht të furnizuar mirë nga Ministria e Shëndetësisë me barna dhe i japim këtu për pacientët ilaçet e po ashtu edhe e kemi edhe kontratën me operatorë që barnat që mungojnë këtu edhe i sjellim prapë. Ne këtu kemi ampula dhe barëra të tjera që nuk gjenden në baza ditore në QKUK”, deklaron ai.
Urgjenca ofron edhe shërbime laboratorike gjatë 24 orëve të ditës, duke përfshirë analizat bazike për pacientët.
“Këtu jemi në katin e dytë, ku merren shërbimet e laboratorit. Edhe ky vend është shumë i rëndësishëm dhe një nevojë ndihmëse e nevojave të Urjgencës dhe është në funskion 24 orë. Kurdo që mjeku e konsideron që duhet, këtu bëhen analizat, urgjente si hemogrami, topolinae të tjera. Sigurisht që koha e reagimit dhe trajtimi është shumë herë më i shpejtë sesa më herët që bëhet nga mjekët për pacientët. Këtu gjithçka është e mundur falë stafit të mjaftueshëm në shërbim dhe falë aparaturave të sofistikuara”, thekson Bajgora.
Ndër të tjera, gjatë projektimit të objektit është paraparë edhe një dhomë e veçantë për pacientët që kanë nevojë për konsultim privat me mjekun.
“Nëse është vlerësuar që pacienti ka më shumë nevojë për privatësi dhe për konsultim më të detajishëm me doktorin atëherë ne i kemi dhomat e posaçme që pacienti rehatohet këtu. Kemi edhe ultrazërin që është komplet i ri, pritet që brenda një muaji të kemi edhe një specializant të radiologjisë që të vijë shpejtë këtu dhe do të jetë në shërbim të pacientit”, deklaron Bajgora.
Urgjenca e re është ndërtuar në partneritet me organizatën “Qatar Charity”, e cila ka investuar mbi 1 milion euro, ndërsa rreth 600 mijë euro janë investuar nga Komuna e Podujevës.