Me një dhuratë në dorë studentët po kontribuojnë për fëmijët që festat i kalojnë në spital.
Me ndezjen simbolike të dritave të bredhit të Vitit të Ri, studentët dhe stafi akademik bashkohen për të dhuruar dhe për të sjellë pak gëzim te fëmijët.
“Kampanja ka filluar qysh para 5 viteve, tash është edicioni pestë që po e realizojmë, unë në atë kohë kam qenë në vitin e parë student në Fakultetin Filozofik dhe së bashku me Organizatën Studentore Reforma, lindi ideja që të organizojmë diçka për festat e fund vitit dhe më pas erdhëm deri te kjo që po shihni sot, ku vendosëm e ndezjen e dritave të bredhit te vitit të ri, me një far forme të simbolizojmë hapjen e kësaj kampanje dhe studentët dhe stafi akademik i gjithë Universiteti i Prishtinës jo vetëm Fakulteti Filozofik të kenë mundësi dhe të kontribuojnë me një dhuratë. Ne kemi bërë disa rregulla të pa shkruara që kampanja të funksionojë në mënyrën më të mirë të mundshme, duke mos pranuar veshje ose diçka të tillë për arsye këto dhurata do të vazhdojnë te fëmijët të cilët janë të shtrirë në QKUK për te ju ikur problemeve të tjera që mund të ndodhin me dhurata me veshje, dhurata mjafton të jetë e thjesht me një mbishkrim që a është për gjininë vajzë apo djalë dhe ne më pas e bëjmë shpërndarjen e tyre”, ka thënë Krasniqi.
“Qëllimi i kampanjës është solidarizimi i studentëve me fëmijët e shtrirë në QKUK në natën e Vitit të Ri”, shtoi Krasniqi.
“ Qëllimi kryesor i yni që edhe ne si student të Universitetit të Prishtinës të solidarizohemi me një far forme me të gjithë fëmijët që gjenden të shtrirë në natën e vitit të ri në QKUK, ai është qëllimi ynë kryesor, sepse përveç aktiviteteve studentore që zhvillohen brenda Universitetit të Prishtinës ne si organizatë studentore e kemi për detyrë të tregojmë se nuk ka vetëm jetë akademike këtu, por edhe aktivitete joformale që herë pas here mund të jenë edhe si kjo”, ka shtuar ai.
Sipas kryetarit të Reformës, thelbësore është që të mbajnë gjallë aktivizmin, si vazhdimësi e historisë dhe kontributit të studentëve.
“ Për ne së pari është tejet e rëndësishme të mbahet gjallë aktivizmi studentor duke ditur edhe historinë e studentëve te Universitetit të Prishtinës e kemi ndjerë obligim që ky aktivizëm të vazhdojë edhe me ne gjeneratat e reja, ne e dimë se në çfarë forme kanë funksionuar studentët në të kaluarën sidomos gjatë vitit 98-99 e tutje kështu qe ndoshta ne në liri tashmë e kemi më të lehtë dhe synojmë ta mbajë gjallë sa më gjatë që të mundemi edhe aktivizmin studentor duke e ditur se ndryshimet më të mëdha në këtë vend kanë ardhur kryesisht nga studentët”, ka thënë ai.
“Tashmë ne besojmë se është traditë sepse shumë prej gjeneratave të cilat e kanë iniciuar ndoshta këtë kampanjë tashmë nuk janë pjesë e Fakultetit Filozofik por ne që kemi mbetur ndoshta edhe në nivelin master po e vazhdojmë edhe unë besoj që pasi mos të jemi edhe gjenerata jonë e fundit që e kemi nisur këtë kampanjë do të vazhdojë tutje për shkak se tashmë është bërë traditë dhe Fakulteti Filozofik dhe Këshilli i Studentëve këtu së bashku me Organizatën Studentore Reforma do ta vazhdojë secilin vit”, ka deklaruar Krasniqi.
Organizatorët kanë hasur vështirësi në sigurimin e fondeve, gjithashtu dhe studentët dhe stafi akademik ftohen të kontribuojnë me dhurata.
“Kemi pasur problem në gjetjen e fondeve për blerjen e dekorimeve për bredhin edhe për paketimin e dhuratave ndoshta ndonjëherë për shkak se ne si organizatë nuk kemi dashur të kërkojmë të holla direkt nga studentët por të gjejmë forma të tjera për të realizuar projektin”, është shprehur ai. “Sipas mundësive e ftoj secilin student të vij të kontribuojë po ashtu edhe stafin akademik njëjtë, kanë mundësin deri në datën 26-27 dhjetor të vijnë dhe ta lënë një dhuratë këtu dhe më pas nëse shprehin dëshirën mund të vijnë së bashku me neve dhe t’i shpërndajmë këto dhurata së bashku.”
Gjithashtu edhe studentët e vlerësojnë lart këtë iniciativë, ku edhe me një dhuratë të thjeshtë mund të lumturosh shumë fëmijë.
“ Është një ndjenjë jashtëzakonisht e mirë tu e pas parasysh që një dhuratë e jona mundet me ndikua shumë pozitivisht tek fëmijët e hiq më pakë tu e pa faktin që ata janë në spital edhe janë duke kaluar një gjendje të keqe edhe ajo dhuratë e jona i lumturon ata dhe e kanë një harmoni të brendshme”, ka thënë studentja e vitit të tretë të Historisë, Fatbardha Kapiti. “Tu e pas parasysh për iniciativat e fundit që i kemi marr ne si reformë mendoj se është shumë mirë se shumë student e kanë atë iniciativën me ndihmu e sidomos te kampanja e fundit që e kemi për dhuratat për fëmijë, zakonisht afër 200 dhurata mblidhen sepse kanë secili dëshirë për të kontribuar.”
“Ju kisha ftuar të gjithëve për të kontribuar me ndonjë dhuratë pa marrë parasysh se çfarë vlere e madhe apo e vogël e dhuratës që këta e bijnë sepse kjo dhuratë ka me kontribu tek fëmijët që janë duke e kaluar një gjendje të keqe dhe pse mos mi jep një ndjenjë të mirë dhe mos me u jep një pozitivitet te ta”, ka shtuar ajo.
Dhurata do të mblidhen në hollin e Fakultetit Filozofik deri më 27 dhjetor dhe më pas do të dërgohen në Pediatri.