SOT

Varfëri, mungesë punësimi dhe sfida për mbijetesë

Në zemër të Mitrovicës, lagjja “Adem Voca” paraqet një nga shembujt më të qartë të sfidave me të cilat përballen komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë. Megjithëse është lagjja më e madhe në këtë komunë, banorët jetojnë në kushte të rënda ekonomike, me mungesë të punësimit, mbështetjes institucionale dhe sigurisë publike.

Lagjja “Adem Voca” në Mitrovicë është ndër më të mëdhatë në këtë komunë dhe kryesisht e banuar nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. 

Megjithatë, banorët e saj përballen me kushte të rënda jetese, varfëri të thellë, mungesë të punësimit, si dhe probleme serioze me higjienën dhe sigurinë publike.

Shumica e familjeve mbijetojnë vetëm me ndihma sociale, të cilat shpeshherë nuk mjaftojnë as për nevojat më bazike.

“Babë e babagjysh jemi të lindur këtu. Përpara ka qenë shumë më ndryshe, tash nuk është më si përpara. Tani është krejt ndryshe, asgjë nuk ja vlen më për Kosovën. Unë jetoj edhe mirë edhe keq, me një social krejt muajin jetoj. Me 100 euro nuk mundesh me jetuar krejt muajin, kam edhe fëmijë. Jam pa punë”, tha banori Hysen Hajdini. 

Përveç varfërisë, banorët shprehin shqetësime të mëdha për mungesën e sigurisë. Thonë se ndihen të pambrojtur dhe të harruar nga institucionet.

Sulejman Bajrami dikur ka jetuar në Gjermani, por me kthimin në Kosovë, në lagjen “Adem Voca”, është ballafaquar me kushte të rënda ekonomike në komunitete. 

“Jetesa është shumë e dobët për popullin ashkali, rom e të tjerë. Shumica e tyre nuk janë të punësuar, dalin me kolica dhe prej mbeturinave jetojnë. Premtimet i ka marr era për neve, nuk janë të punësuar askund banorët këtu. Nuk është lehtë me jetuar këtu nuk ka as siguri, derisa policia po arrin problemet po ikin. Banorët këtu xhamat ambulancës ja thyejnë shpesh, nuk e dinë as policia”, tha Bajrami.  

Grumbullimi i mbeturinave është një tjetër problem i përhershëm për banorët e kësaj lagjeje. Ata thonë se kanë pasur shumë biseda me Komunën, por zgjidhjet konkrete kanë munguar.

“Kësaj lagje i nevojitet me bisedua me kryesorët që pagesën e mbeturinave dhe çështjen e mbeturinave me zgjidh. Sepse vijnë edhe prej qytetit e gjuajnë mbeturina në këtë lagje. Dimrit nuk vërehet edhe aq, por verës vjen shumë erë e mbeturinave. Mundemi me marr ndonjë sëmundje të rëndë. Më mirë pagesën e mbeturinave banorët me pas mundësi përmes socialit me lidh. Me na ndihmuar edhe institucionet”, tha Bajrami. 

Bajrami jeton me një pension invalidor dhe përpiqet të mbajë familjen me të ardhurat që merr nga shitja e rrobave të përdorura.

“Jetoj më një pension invalidor edhe merrem me shitjen e rrobave nga jashtë. Me shitjen e rrobave mbes gjallë dhe e mbaj familjen”, tha Bajrami.  

“Ne duam që shtëpitë tona të mos shiten, por t’i mbajmë kështu si janë”, tha ai. 

Sipas zyrtarëve komunalë, buxheti për komunitetet joshumicë është shumë i kufizuar. 

“Ne si zyra komunale për kthim dhe komunitete kem një buxhet prej 15 mijë euro. Buxheti më së shumti shfrytëzohet për Rom Ashkali dhe Egjiptian, pra 95%. 15 mijë euro në Komunën e Mitrovicës është për krejt komunitetet jo shumicë. Ne u ndajmë komuniteteve subvencione me pako ushqimore higjienike, pra 43, 90 euro për çdo familje. Ne si komision i verifikojmë kërkesat e komuniteteve në bazë të rregullave sikurse dokumentet letërnjoftimi dhe libreza për ndihma sociale, ose pension invalidor. Rreth 200 familje marrin ndihma sociale në Mitrovicë. Duhet me cek se shumica marrin ndihma sociale nga institucionet paralele”, deklaroi Enes Kaçapor nga Komuna e Mitrovicës.

Ai shton se shumë nga banorët marrin ndihma nga institucionet paralele dhe se shumica e shtëpive në lagje janë ndërtuar rreth 15 vjet më parë, kur ndodhi kthimi masiv i komuniteteve.

“Para 15 vjet kur është bërë kthimi më i madh i banorëve, Komuna bashkë me organizatat e huaja kanë ndërtuar shtëpi në lagjet me komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Shumica e familjeve kanë ardhur nga pjesa veriore. Ka pasur problem me prona, por Komuna 10 hektar tokë u ka dhënë këtyre komuniteteve”, tha Kaçapor. 

Aktualisht, në Mitrovicë janë tri lagje ku jetojnë komunitetet joshumicë: “Adem Voca” me rreth 1100 banorë, “2 Korriku” me rreth 60 familje dhe “Ura e Gjakut” me vetëm 15 familje. 

Por për banorët e “Adem Vocës”, sfida më e madhe mbetet një e ardhme më e sigurt dhe një jetë më dinjitoze.