SOT

Vonesa në bërjen e mamografisë mobile në Drenas

Mamografi mobil ka qenë prezent në sheshin kryesor të komunës së Drenasit të premten dhe të hënën, por në asnjërën nga këto ditë gratë e kësaj komune nuk kanë pasur mundësi që të bëjnë mamografinë.

Në mot me shi Vezire Obri ka udhëtuar një orë për të ardhur te mamografi, ajo thotë që pritja në kushte të vështira atmosferike është maltretim për gratë.

“Unë jam paciente e kamotshme, ka 8 vjet që i kam hequr cistet në njërin gji dhe mjekët po dyshojnë që kam kancer të gjirit. Një doktoreshë më tha që sot do të bëhen kontrollet mamografike mobile, edhe me të 3-tin, kam qenë këtu mirëpo nuk ka pasur asgjë. Ju lutem duhet të keni më shumë kujdes me pacientët, nuk bëhet shaka me neve. Moti është shumë i keq dhe nuk po mund të presim, është dashur më herët të tregojnë dhe të mos na mashtrojnë në këtë mënyre. Vetvetiu kuptohet që ne për qejf nuk kemi ardhur këtu është e vështirë shumë. Shumica kanë paguar edhe taksi që të vijnë këtu”, ka thënë Obri.

E disa të tjera kanë lënë punë që të hënën të jenë të pranishme pranë mamografit mobil.

Haka Tahiraj thotë se mamografia është shumë e rëndësishme për çdo grua.

“Po mbajmë shpresë që po mund të na e bëjnë mamografinë, unë e kisha një punë dhe e lashë e erdha këtu, me shpresë që po kryejmë punë por ne nuk kemi çfarë të bëjmë nganjëherë dështon kështu. Ka dështuar edhe të premten na kanë thënë që makineria është në defekt, për sot na kanë thënë që është i sigurt qe dolëm po presim. Mamografia është shumë e rëndësishme për çdo femër unë e kam bërë edhe një herë më herët, kam pasur dëshirë që ta bëj edhe një herë”, ka deklaruar Tahiraj.

Ajo shpreson që sa më shpejt të sanohet problemi dhe ka një apel për të gjitha gratë që ta bëjnë kontrollin e gjirit edhe në muaj të tjerë.

“Unë nuk kam asnjë problem me gjinjtë vetëm dua ta bëj ta shoh shëndetin tim. Mesazhi im për të gjitha gratë është që mos ta presim vetëm muajin tetor, mirëpo mamografinë ta bëjmë edhe në muajt e tjerë kur kanë ato mundësi. Unë mendoj që edhe këto vonesa e kanë arsyen e vet, diçka nuk është në rregull prandaj nuk po hapet sepse me qëllim nuk po e bëjnë, unë nuk e besoj këtë. Unë mendoj që po u mungon edhe profesionalizmi”, ka thënë ajo.

Përkundër thirrjeve për kontrolle të hershme të gjirit, kushtet teknike nuk janë në rregull, thotë një qytetare tjetër.

“Unë sapo erdha por dëgjova nga gratë e tjera që nuk ka asgjë as sot, pra nuk do të kemi mundësi që të kontrollohemi. As të premten nuk kemi pasur mundësi që ta bëjmë mamografinë. Iu kisha bërë thirrje që të mos i maltretojnë njerëzit në këto kushte atmosferike dhe të mos bëhen kontrollet. Për mua është shumë e rëndësishme që ta bëj kontrollin e gjirit, për çdo grua duhet të jetë e rëndësishme. Këta gjithë kohën na thonë që duhet të bëhet, ne vijmë dhe askund nuk janë gati. Në këtë shi të qëndrojmë këtu nuk është mirë. Është maltretim i madh unë kam udhëtuar një orë për të ardhur këtu dhe tash me prit këtu dhe nuk kemi asnjë përgjigje se a do të bëhet apo jo”.

KOHA ka pyetur edhe zyrtarë te Ministria e Shëndetësisë, por deri më tani nuk kanë kthyer përgjigje.

Muaji tetor në të gjithë botën shënohet si muaj për ndërgjegjësimin e kontrolleve për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.

Edhe në Kosovë viteve të fundit ky muaj është manifestuar me fushata kundër kësaj sëmundjeje.