Vjeshta sjell ngjyra të arta e freski ajri, por kjo kohë për shumë njerëz nuk është vetëm e bukur, është periudhë kur humori i tyre u ndryshon, energjia nuk është e njëjtë si në verë, e kjo ndikon drejtpërdrejt në qetësinë emocionale të tyre.
Sipas ekspertëve mënyrat më të mira për të tejkaluar këtë gjendje emocionale është ecja në natyrë, ushqyerja e shëndetshme, komunikimi me njerëz të rinj e profesionistë të shëndetit mendor e po ashtu edhe angazhimi me aktivitete të ndryshme sportive.
Përveç kujdesit mendor, praktikimi i i yogas dhe meditimit ndihmon trupin të çlirohet nga tensioni, stresi dhe nxit prodhimin e hormoneve të mirëqenies.
Instruktorja e Yogas, Melita Kabashi, thotë se trupi dhe mendja kanë nevojë për qetësi, e yoga është një nga mënyrat si mund ta arrijmë atë.
“Njëjtë sikur viti ka 4 stinë, edhe trupi duhet t’i ketë ato. Është një periudhë kur lulëzon, jep fruta dhe më pas duhet t’i lirojë ato. Shpesh, ne nuk e bëjmë këtë. Kur jemi vazhdimisht duke punuar, si verë e dimër, pa ndryshime, kemi ndjenjën se gjatë gjithë kohës jemi në luftë. Kjo ka ndikim negativ në trupin dhe mendjen tonë, duke marrë parasysh se nuk i japim kohë trupit të qetësohet. Është e natyrshme dhe pjesë e trupit tonë, por një pjesë e madhe e njerëzve nuk e lejojnë këtë proces”, thotë Kabashi.
Ajo tregon disa nga teknikat që i japim fokus vetes dhe tejkalimit të situatave të ndryshme dhe qetësinë emocionale.
“Tani jemi në atë periudhë vjeshte. Duhet të fokusohemi në veten tonë. Fillojnë viruset dhe është me rëndësi t’i kushtojmë kujdes trupit, të jemi në lëvizje dhe të meditojmë. Sistemi limfatik është ai që lufton viruset, dhe ai lëviz përmes frymëmarrjes dhe lëvizjeve trupore. Në këtë periudhë është shumë e rëndësishme të bëjmë lëvizje të ndryshme”, thekson Kabashi.
Instruktorja shton se periudha e vjeshtës është kur numri i pjesëmarrësve në Yoga rritet dhe njerëzit i kushtojnë më shumë rëndësi vetes.
“Kur vjen koha e vjeshtës, numri rritet më shumë, sepse në verë kemi obligime të tjera dhe në vjeshtë i rikthehemi vetes. Yoga ndihmon në çdo stinë, e në veçanti në vjeshtë, kur kthehemi te vetja jonë. Ajo që del nga brendia jonë, jo gjithmonë na pëlqen, por përmes Yogës, meditimit dhe lëvizjeve përpiqemi t’i lirojmë emocionet që i mbajmë brenda. Mendimet që kemi shndërrohen në emocione, emocionet në veprime, dhe veprimet janë ato që ta formojnë jetën. Nëse mendimet i ke negative, veçanërisht në këtë periudhë, atëherë atë ndjenjë do ta transmetosh dhe çdo veprim do ta bësh nën ndikimin e saj e kështu ndikon edhe në mënyrën si e përjeton jetën që vjen”, deklaron Kabashi.
Sipas psikologut, Ilir Havolli në periudhën e vjeshtës shtohet kërkesa për këshillime psikologjike, me ankesat se ndihen të lodhur, të pamotivuar, e të trishtuar.
“Vjeshta është një periudhë tranzicioni ku ditët shkurtohen, ka më pak rreze dielli, ndryshon stina dhe trupi fillon të reagoj ndaj këtyre ndryshimeve. Ulja e ekspozimit ndaj dritës ndikon në prodhimin e serotoninës dhe melatoninës, hormone që lidhen në humorin dhe gjumin prandaj shumë njerëz ndiejnë lodhje, motivim, ndjenja trishtimi etj. Zakonisht gjatë vjeshtës rritet kërkesa për këshillime psikologjike, njerëzit raportojnë lodhje, ankth, ndjenja boshllëku ose humbje të interesit për aktivitetet që dikur sjellin kënaqësi, kjo tregon se gjithnjë e më shumë njerëzit ndërgjegjësohen për rëndësinë e shëndetit mendor dhe kjo është gjë pozitive”, thotë Havolli.
Ai tregon se ushqimi i mirë, aktivitetet fizike bëjnë që të jemi më mirë me veten, por nëse simptomat e depresionin e stresit dhe dëshpërimit janë të theksuara dhe nuk tejkalohen me javë atëherë duhet kërkuar ndihmë nga psikologu.
“Më shumë në këtë periudhë na ndihmon vetëdija emocionale sepse duhet kuptojmë se ndjenjat tona nuk janë dobësi por janë sinjale, edhe kontaktet njerëzore janë të rëndësishme, një bisedë me një të afërm ose psikolog mund të ndihmojë në parandalimin e përkeqësimit të gjendjes emocionale. Menaxhimi kërkon disa hapa të thjeshtë por të qëndrueshëm, duhet ruajtur rutinën e përditshme dhe aktivitetin fizik, duhet qëndruar shumë në dritë natyrale e në veçanti në mëngjes, duhet ushqyer shëndetshëm dhe të shmangim izolimin social, duhet gjetur kohë për aktivitete që na japin kënaqësi emocionale, por nëse simptomat na zgjasin më shumë se disa javë atëherë duhet kërkuar ndihmë profesionale”, thekson Havolli.
Shkencëtarët thonë se një formë ushtrimesh e në veçanti ato të Yogas mund ta ndihmojnë disponimin e ulët, ankthin dhe reduktimin e stresit duke e mposhtur depresionin në disa raste.