Luftëtarit shqiptar, Ramiz Brahimaj i është shtyrë debutimi në UFC, serinë më të madhe të Arteve Marciale të Përziera (MMA).
Brahimaj, që jeton në SHBA, është dashur të debutojë në UFC të shtunën në një mbrëmje në Las Vegas. Por UFC-ja ka anuluar luftën e tij për shkak se një prej trajnerëve që është dashur të qëndrojë në këndin e Brahimajt ka dalë me COVID-19.
“Për shkak të rezultatit pozitiv në testin për COVID-19 nga njëri prej personave në kënd, Ramiz Brahimaj është larguar nga lufta e tij me Takashi Saton. Në vend të Brahimajt do të luftojë debutuesi në UFC, Jason Wit”, ka njoftuar UFC-ja.
Brahimaj, që më parë është shëruar nga një tumor në sy, duhet të pres rast tjetër për debutim në UFC. Tumori në sy kishte shtyrë debutimin e tij në një seri tjetër të njohur të MMA-së. 27-vjeçari në shkurt mori lejen për të luftuar sërish.
Ai ishte shprehur shumë i lumtur për debutim në UFC, por plani iu prish në fund. Në UFC prej shqiptarëve garon vetëm Ilir Latifi.
“Për fat të keq, për shkak të rrethanave që aspak nuk varen nga unë, nuk do të garojë në fundjavë. Jam skajshmërisht i dëshpëruar. Por vështirësitë nuk janë të panjohura për mua. Do të tejkaloj këtë dhe do të vazhdoj të ec përpara, si gjithmonë”, ka shkruar Brahimaj të premten.
“Mezi pres të garoj dhe të përfaqësoj të gjithë ju kur të luftoj”, ka shtuar ai.