Në mars pësoi lëndim të rëndë, ndërsa në prill iu nënshtrua operimit. Kapitenia e Kosovës në hendboll, Leonora Demaj, po e vazhdon rikuperimin, por po ashtu po bën ndryshime që beson se i shërbejnë për rritje në karrierë.
Ndonëse nuk ka luajtur për nëntë muaj dhe nuk pritet të luajë edhe për shumë muaj të tjerë, Demaj të enjten e ndryshoi skuadrën. Ajo firmosi me skuadrën Vensyssel, aktualisht në vendin e fundit në ligën elitare të Danimarkës. Danimarka është prej vendeve me hendbollin e femrave më të zhvilluar. Paraqitja në ligën elitare të Danimarkës vlerësohet sukses.
23-vjeçarja Demaj, së fundi ka luajtur për Soenderjysken, në kategorinë e dytë daneze. Për shkak se rikuperimi i saj do të zgjatë edhe disa muaj dhe për faktin se nuk dihet nëse skuadra Vendsyssel do të sigurojë mbetjen në elitë, ka gjasë që Demaj të vazhdojë të luajë në kategorinë e dytë, ndonëse me skuadër tjetër.
Por për lideren e Kosovës e rëndësishme është që të kthehet në fushën e hendbollit. Ajo kishte këputur ligamentet e gjurit të këmbës së djathtë. Ky lëndim kërkon rikuperim të gjatë.
“Një kohë të gjatë kam menduar që të ndërroj ekipin dhe të provoj veten në një mjedis tjetër. Kur erdhi mundësia nga Vendsyssel, nuk munda të them jo. Me Soenderjyske nuk kam pasur kontratë për këtë edicion. Pasi që u lëndova, trajneri i ri nuk më ka vazhduar kontratën”, ka thënë Demaj për KOHËN.
Jo shpesh ndodh që një skuadër të transferojë një lojtar apo lojtare gjatë fazës së rikuperimit. Por te Vendsyssel besojnë te Demaj. Ajo ka firmosur për tre vjet e gjysmë, ndërsa kontrata është e vlefshme prej 1 janarit 2021. Muajt e parë të vitit të ardhshëm, Demajt do t’i shërbejnë për rikuperim.
“Vendsyssel ka treguar interesim të madh për mua. Me ka bërë një ofertë të mirë dhe po ashtu në klub duan që ta bëj rikuperimin te ta. Është një klub me ambicie dhe e shoh veten në një rol që më përshtatet shumë në skuadrën e re”, ka shtuar Demaj.
Me ardhjen e saj, tre vjet më parë, vlerësohet se Kosova ka arritur nivele të reja. Por Kosova nuk ka pasur asnjë ndeshje gjatë këtij viti për shkak të pandemisë. Ndeshjet e ardhshme i luan në mars, pa kapitenen në përbërje.
Demaj nuk brengoset nëse skuadra i bie nga elita.
“Është ende herët, skuadra i ka disa ndeshje të rëndësishme në të ardhmen. Edhe nëse bie nga elita, nuk është problem për mua. Synimi im është që të rikthehem në fushën e lojës e përgatitur 100 për qind. Nuk e di saktësisht se kur do të kthehem. Mirëpo pritet që ndoshta t’i bashkohem ekipit në ushtrime gjatë muajit prill”.
Rikuperimi për më shumë se një viti nuk është i lehtë për asnjë sportist. Gjatë nëntë muajve të kaluar lehtë nuk e ka pasur as Demaj, pranon ajo.
“Rikuperimi ka shkuar shumë mirë, sipas planit. Mirëpo nuk ka qenë e lehtë. Ka qenë shumë e vështirë të qëndrojë gjatë në fitnes, ndërsa bashkëlojtaret ishin në sallë duke luajtur hendboll. Ka qenë e vështirë të ndihesh 100 për qind pjesë e ekipit, duke mos pasur mundësi të ndihmosh në fushë”.
Demaj së fundi për Kosovën ka luajtur në një turne në Turqi, në vjeshtën e vitit 2019. Ishte e pandalshme, duke u shquar me efikasitet të lartë. Për kthimin e saj, te Kosova duhet të presin të paktën deri në vjeshtën e ardhshme.
“Shpresoj që gjithçka të shkojë sipas planit dhe t’i bashkëngjitem përfaqësueses së Kosovës pas pushimeve verore”, thotë Demaj.