Sport

Dest i bindur se kalimi te Milani do t’ia sigurojë vendin në Botëror

Mbrojtësi i SHBA-së, Sergino Dest, shpreson të ketë minutazhë të mjaftueshme dhe ta sigurojë një vend në Kupën e Botës të këtij viti në Katar, pasi iu bashkua Milanit në formë huazimi në ditën e fundit të afatit kalimtar. Milani ka të drejtën të blejë Destin nga Barcelona për 20 milionë euro në fund të këtij edicioni.

“Më duhet të kem minuta për Kupën e Botës. Më duhet të luaj. Jo vetëm për Kupën e Botës, thjesht dua të luaj gjithmonë”, tha Dest në një intervistë për kanalin e Milanit të premten. “Milani më dha një mundësi të madhe. Kështu që nuk u mendova dy herë. Dua të luaj dhe vendimi për t’iu bashkuar Milanit ishte shumë i lehtë”.

Desti filloi karrierën në Ajax përpara se të transferohej te Barcelona dy vjet më parë për 21 milionë euro. Por ai kurrë nuk i përmbushi plotësisht pritjet tek ekipi spanjoll dhe nuk mundi të siguronte një vend titullari. Ai kishte mjaft minuta në sezonin e parë, por më pas hapësira iu zvogëlua gradualisht. Dhe 21-vjeçari e dinte se me Kupën e Botës që po afrohej duhej të kishte një vend të rregullt në ekip.

Dest e ka babanë amerikan dhe nënën holandeze dhe zgjodhi të luante për Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vend të Holandës, ku lindi dhe u rrit. Ai ka shënuar dy gola në 17 ndeshje për SHBA-në.

“Në fakt gjithçka ndodhi shumë shpejt, si brenda një dite”, tha Dest për lëvizjen drejt Milanit. “Më duhej të merrja një vendim shumë të shpejtë, të ndryshoja jetën time, të shkoja në një klub tjetër, në një vend tjetër, në një kulturë tjetër. Unë e dua këtë klub. Ky është një klub për të cilin doja të luaja kur isha më i ri. Mendoj se ky është një hap i mirë për mua, një shans i mirë për të luajtur sërish. Jam shumë i lumtur dhe i nderuar që luaj për këtë klub dhe do të jap më të mirën time”.

Dest, i cili është i shpejtë, fillimisht filloi si sulmues krahu në akademinë e të rinjve të Ajaxit përpara se të zhvendosej në mbrojtje.

“Ishte një vendim i mirë për të më vënë në krah, sepse cilësitë e mia u shfaqën edhe më shumë”, tha ai. “Për shkak se mund të shkoja përpara, mund të mbrohesha. Unë kam qëndrueshmëri që të mund të vrapoj lart e poshtë. Ishte pozicioni më i mirë dhe është pozicioni më i mirë për mua, mbrojtës i djathtë dhe i majtë. Thjesht vendimi më i mirë për t’u marrë në futbollin profesionist”.

Dest mund të përballet me një fillim të vështirë te Milani. Ndeshja e radhës e kuqezinjve është të shtunën dhe është derbi kundër rivalit të qytetit, Interit. Milani përfundoi përpara Interit të vendit të dytë, për titullin e në 11 vjet, edicionin e kaluar.

“Përsëri një ligë tjetër dhe do të jetë një ligë e vështirë. Disa kundërshtarë janë shumë të mirë. Kemi rivalë të fortë”, tha Dest.

Më pas ai me gisht preku logon e Milanit në fanellë për të dëshmuar se është pjesë e kampionit në fuqi të Italisë dhe synimi i tij është ta ndihmojë ekipin për ta mbrojtur trofeun e fituar.

“Ne e kemi logon që tregon se jemi kampionë në fuqi. Kështu që ne duhet ta mbajmë atë dhe të sigurohemi që vitin e ardhshëm ta kemi ende trofeun në fanellën tonë”, insistoi Dest.

Dest ka kontratë me skuadrën spanjolle deri në verën e vitit 2025.